Komenti i të ftuarit: G20 - Kthim pas te fillimet | Bota | DW | 30.11.2018
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Komenti i të ftuarit: G20 - Kthim pas te fillimet

Sërish është mbledhur G20. Sërish ndoshta prej takimit nuk do të dalin shumë gjëra. Kjo kur forumi i bisedimeve mund të ishte me vlera - po të ishte pak më i vogël, mendon Peter Sturm nga Frankfurter Allgemeine Zeitung.

Herë-herë vitin e kaluar të krijohej përshtypja se takimi i përvitshëm i nivelit të lartë të kryetarëve të shteteve dhe të qeverive të G20-ës ekziston në radhë të parë, që kundër tij të protestohet me dhunë mundësisht brutale. Pamjet nga Hamburgu qenë sidoqoftë frikësuese. Protesta do të ketë edhe në Buenos Aires, dhe mund të shpresosh vetëm që këtë herë protestat të jenë paqësore.

Takimi i G20-ës ka ecur në këtë pikëpamje në rrugën, në të cilën kanë ecur të gjitha aktivitetet e këtij lloji. Takimi i parë i nivelit të lartë u bë në frymën e krizës së madhe financiare dhe të gjithëve iu duk si forumi i vetëm i duhur, për të folur për problemet më urgjente të botës në një rreth pjesëmarrësish, i cili është vërtet përfaqësues për të gjithë botën. Teorikisht kjo vlen deri më sot. Prandaj tema e tregtisë botërore do të zërë me siguri një vend të gjerë në Buenos Aires, megjithëse shumica e pjesëmarrësve, përballë mosmarrëveshjeve amerikano-kineze mund të luajnë me çdo rast role dytësore.

Por ndërkohë, takimet e nivelit të lartë ndërkohë fryhen kaq shumë nga pikëpamja organizative dhe tematike, sa thuajse nuk janë më të mundura biseda serioze midis "shefave". Jo vetëm që duhet të prodhohen vazhdimisht fotografi të bukura. Edhe interesat e vendeve pjesëmarrëse janë shumë të ndryshme. Deklaratat përfundimtare janë në përputhje me këtë - gjithmonë për ato raste kur arrihet të hartohet një deklaratë përfundimtare. Impulse të rëndësishme nga takimet gjithsesi nuk dalin.

A duhen lënë fare këto takime? A duhen kursyer shumat e mëdha të parave, të cilat shpenzohen për aktivitetin dhe për sigurimin e tij? Në frazat e panumërta klishe, të cilat i nxjerr herë pas here politika botërore, njëra megjithatë është e drejtë: me të vërtetë që është më mirë që të flasësh me njëri-tjetrin, se sa për njëri-tjetrin. Me siguri që është e drejtë edhe që të ketë tema, për të cilat të mos raportohen menjëherë rezultate. Në këtë kuadër, si pjesëmarrësit ashtu edhe publiku i interesuar duhet t'i ulin shpresat e tyre.

Takimet le të zhvillohen më tej. Por pjesëmarrësit bëjnë mirë të çlirohen nga detyrimi për të prodhuar sasi sa më të mëdha ajri të nxehtë. Takimi i shteteve kryesore të industrializuara (sot G7) nisi dikur në një dhomë të vogël, në një dhomë me oxhak në Francë. Ndoshta edhe për G20-ën do të ishte mirë që të kthehej te këto fillime.

 

Reklamë