1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Afghanistan Wahl

21 Gusht 2009

Më 20 gusht në Afganistan u zhvilluan zgjedhjet presidenciale. Në të njëjtën kohë u votua edhe për këshillat e provincave. Pushtetmbajtësi Hamid Karzai konsiderohet si favorit, por ai është kritikuar shumë kohët e fundit

https://p.dw.com/p/JFhi
Partia e presidentit Karzai e ka deklaruar veten fitimtare në zgjedhje. Ne foto: presidenti i Afganistanit, Hamid Karzai
Partia e presidentit Karzai e ka deklaruar veten fitimtare në zgjedhjeFotografi: AP

Përgatitjet për zgjedhjet nisën me vonesë e nuk u respektua afati i parashikuar me kushtetutë

Për të ardhmen e Afganistanit zgjedhjet demokratike kanë një rëndësi të madhe historike. Qeveria Karzai është treguar jo e aftë. Këtë e dëshmon përkeqësimi gjithnjë më i madh i gjendjes ekonomike si dhe i asaj të sigurisë. Karzai ka humbur besimin e popullatës. Kësaj i shtohet fakti, që meqenëse përgatitjet për zgjedhjet nisën me vonesë, nuk mundi të respektohej afati i parashikuar me kushtetutë. Për të shmangur vakuumin e pushtetit, gjykata supreme e vendit mori një vendim të kontestueshëm: I mundësoi Karzait, që të qeverisë edhe më tej me pushtet të pakufizuar, por pa e ligjëruar në mënyrë demokratike.

Shteteve me misione ushtarake dhe rindërtuese të Afganistanit u nevojitet një sukses të vërtetë

Megjithatë nga votimet pritet një lloj stabilizimi i situatës në Hindukush dhe qetësimi i gjakrave në një mjedis të vështirë politik. Në radhë të parë shtetet, të cilat me misionet e tyre të rrezikshme ushtarake dhe me punën për rindërtimin e vendit u angazhuan aq shumë në shoqërinë afgane pas konfliktit kanë nevojë për një sukses të vertetë në Afganistan.

Shtypi i dha më shumë kohë hapësirës fushatës elektorale të presidentit se kandidatëve të tjerë

Përpjekjet për një zhvillim të rregullt të zgjedhjeve qenë shumë të mëdha. Shpenzimet prej 220 millionë dollarësh amerikanë ishin gjigande për kushtet e Afganistanit. Fondacioni afgan „Zgjedhje të lira dhe të ndershme", duhet të ketë regjistruar qysh në prag të zgjedhjeve shkelje të rregullave të votimit. Shtypi, i cili ndodhet nën ndikimin e shtetit, i ka dhënë p.sh. më shumë kohë dhe hapësirë fushatës elektorale të presidentit se sa të kandidatëve të tjerë. Vetë organet zyrtare punuan në favor të presidentit për kufizimin e lirisë së shtypit. Në thuajse të gjitha pjesët e vendit u kërcënuan gazetarët, u rrëmbyen, apo u arrestuan.

Mbajtja e zgjedhjeve demokratike, edhe pse në kushtet më të vështira, është e domosdoshme për vazhdimin e procesit demokratik të paqes në Afganistan, por jo e mjaftueshme. Shoqëria e shtetit shumëkombësh afgan e ndarë në baza etnike, fetare dhe politike është pak e konsoliduar. Ajo është shumë e brishtë dhe shumë e varur nga mbështetja e bashkësisë ndërkombëtare. Demokracia duhet të institucionalizohet me forcimin e institucioneve demokratike, mbështetjen e shoqërisë civile dhe në radhë të parë me inkurajimin e partive me orientim demokratik. Partitë ekzistuese me orientim demokratik kanë shumë dobësi. Atyre u mungojnë përvojat demokratike dhe nuk e njohin demokracinë sa duhet. Përvec kësaj atyre u mungojnë strukturat e qëndrueshme partiake si dhe baza e gjërë tek popullsia.

Ndjenja e bashkësisë fisnore shfrytëzohet nga elita politike

Në Afganistan mbisundon në rradhë të parë ndjenja e bashkësisë fisnore, që shfrytëzohet vazhdimisht nga elita politike.T'u sqarosh njerëzve se në rradhë të parë nuk janë anëtarë të klanit, por qytetarë të barabartë të një shteti demokratik, është një proces i gjatë. Përvetësimi i ideve demokratike nga popullsia afgane është detyra e qeverisë së ardhshme. Demokracia nuk është një produkt i gatshëm. Ajo përbën formën më të vështirë dhe më komplekse të qeverisjes. Por nuk ka opcion tjetër më të arsyeshëm për Afganistanin, se sa për të vazhduar me konsekuencë rrugën e nisur të „ procesit demokratik të paqes“ në Hindukusch.

Autor: Said Musa Samimy

Redaktoi: Auron Dodi