1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Viti i shansit të fundit

Max Hofmann17 Janar 2016

BE ndeshet me disa kriza, por vetëm kriza e refugjatëve ka potencialin e varrosjes së unionit. Fjalimi i Junckerit zbuloi për herë të parë zhgënjimin e thellë, izolimin e Merkelit në Bruksel, mendon Max Hofmann.

https://p.dw.com/p/1Hecz
Deutschland Treffen Angela Merkel und Jean-Claude Juncker in Berlin
Miq në kohë stuhie - Angela Merkel dhe Jean-Claude JunckerFotografi: Reuters/F. Bensch

Në fillim konferenca e parë e Vitit të Ri të Presidentit të Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker të dukej objektive. Ai bëri një restrospektivë të vitit të kaluar, ku foli për marrëdhëniet me Parlamentin Europian (një histori suksesi) por edhe për fondin e fjetur të investimeve, (ende jo një histori suksesi). Por pas kësaj rifilluan apelet drejtuar vendeve anëtare të marrin përgjegjësinë që u takojnë, sidomos në krizën e refugjatëve.

„Më ka ardhur në majë të hundës që Komisioni duhet të pranojë të gjitha kritikat që i bëhen, ndërsa vendet anëtare nuk i plotësojnë detyrimet e tyre.“ Këtë fjali e kanë dëgjuar shpesh gazetarët në Bruksel, por asnjëherë nuk ka pasur kaq zhgënjim në fjalët e Jean-Claude Junckerit si kësaj here. Ai që në marrjen e mandatit kishte bërë thirrje për Komisionin e shansit të fundit, e ndjen se si po ikën ky shans nga duart, i papërdorur. Të gjitha planet për t'i dalë zot krizës së refugjatëve, sigurimi i kufijve të jashtëm, ngritja e „Hotspot“-eve për regjistrimin e migrantëve dhe në fund pika qendrore: shpërndarja e drejtë e refugjatëve brenda BE-së – të gjitha nuk janë veçse fjalë në erë deri më tani.

Deutsche Welle Studio Brüssel Max Hofmann
Max Hofmann komentonFotografi: DW/B. Riegert

Merkel me gjithnjë e më pak aleatë

Megjithatë Presidenti i Komisionit Europian nuk do të dorëzohet, ai flet me vendosmëri, por faktet flasin një gjuhë tjetër. 160.000 refugjatë duhet të shpërndanin vendet e BE-së, një pikë uji në oqean. Por edhe këta refugjatë vendet e BE-së nuk arrijnë t'i shpërndajnë si duhet. Disa pak qindra vetë janë ngjitur në avione për të shkuar në një vend të BE-së sipas procedurave. Shtetet e njohura si shtetet e Vishegradit në Lindje të BE-së, me në krye Hungarinë dhe Poloninë refuzojnë bashkëpunimin, megjithë vendimet zyrtare. Madje edhe në Francë ky plan nuk gjen shumë mirëkuptim.

Kancelares Merkel, e cila lufton për këtë plan, po i ikin aleatët në Bruksel. Ironi, por Juncker-i, veprimet e të cilit nganjëherë e kanë zemëruar Berlinin, është i fundit që i mbetet besnik. Ai e mbron me sa ka fuqi planin e refugjatëve, por me këtë edhe të gjithë BE-në, Bashkimin e tij Europian, tek i cili ai ka vite që jep kontributin e tij. Kriza e refugjatëve rrezikon lirinë e udhëtimit të njerëzve në BE me vendosjen pa u vënë edhe aq re të kontrolleve kufitare. Kush rrezikon Shengenin, rrezikon tregun e brendshëm, tregun e punës, në fund Euron dhe të gjithë BE-në, argumenton Juncker.

Mbyllja e kufijve

Ministri gjerman i Financave, Schäuble përdori të njëjtin ton të premten (15.01) në Bruksel duke i dhënë një rëndësi të re deklaratave të Junckerit. "Po qe se edhe Gjermanisë do të duhet t'i mbylli kufijtë", paralajmëron ai, "ky do të ishte një „rrezik shumë i madh për Europën“. Ai ka të drejtë! Rrallë janë përdorur tone të tilla, por prapë pa ndonjë efekt. Kush arrin të shkojë deri në përfundimin logjik të kësaj situate, ai e di se në fund kancelarja gjermane dhe Gjermania nuk kanë rrugë të tjetër veçse t'i mbyllin kufijtë.

Juncker përmend në fjalimin e tij edhe kantieret e tjera të Europës për 2016-n: Një “Brexit” i mundshëm, rrezikimi i shtetit ligjor në Poloni, rritja e ngadaltë ekonomike e të tjera e të tjera. Por vetëm kriza e refugjatëve ka potencialin e varrosjes së BE-së. Këtë e dinë edhe krerët e shteteve e qeverive të BE-së. Se pse ky mohim i vazhdueshëm për të ofruar një zgjidhje konstruktive, nuk dihet. Ndoshta shpresa se të tjerët e zgjidhin këtë punë? Apo është hakmarrje ndaj Merkelit? Hakmarrje për të gjitha seancat e pafund në Bruksel në vitet e fundit, hakmarrje për influencën dhe patundshmërinë tek tema të caktuara?

Shansi i fundit ka kaluar ndërkohë?

Sa më e dobët kancelarja Merkel në Gjermani, aq më të fortë armiqtë e saj në BE. Këtë e di edhe Junckeri. Prandaj ai del fort në mbrojtje të saj dhe planeve për kapërcimin e krizës së refugjatëve. Dy luftëtarë të vjetër të bashkuar më në fund në skenën europiane. Ndoshta jo gjatë. Sepse nuk ka asnjë shenjë që ky plan të funksionojë vërtet. Jo zyrtarisht në Bruksel edhe politikanë me përvojë të thonë se ideja e një shpërndarjeje të drejtë të refugjatëve ka vdekur ndërkohë. Pra, me shumë gjasa edhe shansi i fundit ka kaluar.

Ju mund tö ofroni mendimin Tuaj në fund të këtij artikulli. Ne e mirëpresim shprehjen e opinionit Tuaj!