1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Terror do të thotë tmerr

Fabian von der Mark
3 Dhjetor 2016

Elementë të rinj ka pak në paralajmërimet e Europolit, por frika nga atentatet shtohet- dhe me këtë IS e arrin synimin e tij.

https://p.dw.com/p/2Tfh8
Niederlande Den Haag Europol Zentrale
Fotografi: Imago/CHROMORANGE

Fjala terror vjen nga latinishtja dhe do të thotë tmerr. Synimi i të ashtuquajturit "Shteti Islamik" është që të përhapë frikë dhe tmerr. Prandaj me të drejtë IS quhet organizatë terroriste. Gjermanët kanë frikë nga kjo organizatë. Kërcënimin e mirëfilltë ata nuk janë në gjendje ta vlerësojnë - duhet t'u besojnë politikanëve, ekspertëve dhe medieve.

Çfarë kuptohet nga lajmërimi i ri i Europolit:

1. IS ka një taktikë të re

2. Së shpejti në Evropë do të ketë një atentat.

3. Luftëtarët ndodhen tashmë midis nesh.

Reagimi i natyrshëm: frikë.

Të supozuarën "taktikë të re" e ka shpallur që në verë 2014 njeriu i IS, Abu Muhamed Al-Adnani. E përmbledhur ajo është: ndërmerrni sulme kundër "të pafeve" edhe në Perëndim, pavarësisht se kundër kujt, pavarësisht se me cilat armë, më e mira me sa më shumë viktima.

Do të ketë së shpejti një atentat?

Atentate të këtij modeli ka pasur që atëherë shumë (Bruksel, Paris, Nica, Esen, Hanover, Vyrzburg) dhe askush nuk mund të thotë nëse do të shtohen edhe të tjera. Gjasat janë të mëdha prandaj autoritetet ka kohë që janë në gjendje të lartë gatishmërie. Në Gjermani janë kryer së fundi arrestime terroristësh potencialë si dhe islamistësh të rangut të lartë dhe vigjilenca është e lartë në të gjithë Evropën. Jo e lartë sa duhet?

A janë tashmë të pranishëm terroristët potencialë?

Veçanërisht nën mbikqyrje kanë shërbimet e fshehta luftëtarë me origjinë nga Evropa, të cilët kthehen nga Siria dhe Iraku në Gjermani, Francë ose në Belgjikë. Një pjesë e këtyre personave që kthehen janë të zhgënjyer dhe të traumatizuar, një pjesë bashkëpunon me autoritetet dhe një pjesë tjetër mund të ndërmarrë atentate. Veç kësaj, në Gjermani jetojnë atentatorë potencialë, që nuk kanë qenë kurrë në Irak ose në Siri.

Kërcënuese po jo të reja

Të reja këto njohuri nuk janë. Natyrisht që shërbimet e fshehta kanë edhe njohuri të tjera, shumë më konkrete - ato regjistrojnë - si thonë - edhe "zhurma"më të vogla ose edhe më të mëdha. Dhe natyrisht që mbi këtë bazë merren edhe vendime politike dhe policore. Vetëm se: cilat janë vendimet që duhet të marrë qytetari?

Çfarë do të thonë për qytetarin informacionet pak të reja të Europolit?

Fabian von der Mark
Fabian von der Mark

Që qytetari të mos udhëtojë më me metro? Që të mos vejë më në tregun e Krishtlindjeve? Me plot të drejtë politikanët thonë pas atentateve se ne nuk duhet të lejojmë ta na marrin stilin tonë të jetesës, lirinë tonë, shoqërinë tonë të hapur; që ne duhet të vazhdojmë të jetojmë më tej në mënyrë fare normale. Kjo bindje duhet të na shoqërojë edhe para atentateve. Natyrisht që njerëzit duhet të informohen edhe për rreziqe të reja terroriste. Vetëm se çfarë sjellin raporte që tërheqin shumë vëmendjen, por të cilat janë në thelb të rëndomta?

Përhapja e panikut është punë e terroristëve

Një institucion vihet në qendër të vëmendjes dhe një gazetë tërheq lexues - të dyja nevojat janë legjitime, por në luftë kundër terrorit ato janë absolutisht me rëndësi dytësore. Vitin e kaluar në aksidentet automobilistike në Evropë e humbën jetën 170 herë më shumë njerëz se në atentatet terroriste. Megjithatë gjermanët nuk kanë frikë nga asgjë tjetër më shumë se nga një atentat. Kjo ka të bëjë edhe me faktin se frika ushqehet vazhdimisht. Ne nuk duhet të përhapim panik. Kjo është punë e terroristëve, jo e jona. Terror do të thotë tmerr - kurse ne duam ta fitojmë luftën kundër terrorit!