1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Shoqëria e pambrojtur

Alexander Kudascheff17 Korrik 2016

Në intervale gjithnjë e më të shpeshta qytetarët e thjeshtë po goditen nga terrori. Ndërkohë ekziston rreziku që shoqëritë liberale demokratike të ndryshojnë, mendon kryeredaktori i Deutsche Welles, Alexander Kudascheff.

https://p.dw.com/p/1JPxD
Frankreich Gedenkstätte an der Strandpromenade in Nizza
Fotografi: DW/B. Riegert

Terrori, terrori islamist është kthyer ndërkohë në tmerr. Ai i godet shoqëritë e hapura kudo: në restorante, aeroporte, hotele, stadiume, klube, në tren, në plazh, para shkollave dhe tani edhe në rrugë. Terrori është kudo, dhe njerëzit në shoqëritë e lira - dhe jo vetëm aty- gjithnjë e më shumë ndjejnë frikë, kërcënimin e kudogjendur, në përditshmëri si në pushime. Demokracitë, e veçanërisht Franca, që vuan goditjen e tretë të tmerrshme - po sfidohen nga terrori. Ato janë futur në një luftë të detyruar kundër terrorit. Një luftë josimetrike. Terroristë të veçuar, apo grupe të vogla, shumë të vogla, vrasin pa dallim njerëzit, pa ndonjë shpenzim të madh logjistik. Ndërkohë që demokracitë i tremben humbjes së lirisë, humbjes së lirive.

Terrori i kudogjendur

Shteti duket se nuk po e përmbush detyrën e tij kryesore: Megjithë zyrat e kriminalistikës, shërbimet sekrete, megjithë përgjimin gjithnjë e më masiv të qytetarëve, megjithë angazhimin e madh të policisë - shteti nuk po i mbron dot qytetarët e tij. Terrori është i kudogjendur, sepse ai vjen nga brenda shoqërive.

Kudascheff Alexander Kommentarbild App
Kryeredaktori i Deutsche Welle-s, Alexander Kudascheff

Të mrekulluar nga fuqia e islamizmit, të dehur nga xhihadi, të rinj, shumica meshkuj marrin rrugën për të na sfiduar ne, po, për të sfiduar shoqëritë e tyre. Ata vrasin pa dallim, por jo pa qëllim. Ata duan t'i trondisin shoqëritë e lira, dhe ia dalin. Në atë masë që forcat tradicionale të sigurisë nuk mund t'i mbrojnë dot më qytetarët e tyre, po në atë masë edhe qytetarët do të humbasin qetësinë deri më tani në Francë dhe Britani të Madhe të pashembullt. Na kërcënojnë situata shoqërore, në të cilat triumfon urrejtja, refuzimi, racizmi. Ëndrra më e keqe për shoqërinë e lirë.

Fund tmerrit të "Shtetit Islamik"

Natyrisht tani duhet të ketë luftë: Kundër "Shtetit Islamik". Politikisht kjo është e nevojshme, por edhe kritike, sepse të duhet të kalosh në anën e rusëve dhe kasapit, Bashar al-Asad. Por me sa duket nuk ka rrugë tjetër. Raka duhet të merret, IS- të mposhtet, luftëtarët e mbetur të nxirren para gjyqit, t'i jepet fund tmerrit të një kalifati islamist. Për këtë duhet të bashkëpunosh me të gjitha fuqitë, edhe pse politikisht apo nga ana diplomatike është e papërtypshme.

E pastaj duhet të shtrohet pyetja se pse kaq shumë të rinj myslimanë në Europën laike apo në Amerikën me aq larmi fetare bien pre e një islami të dhunshëm? Çfarë e shkëput identitetin e tyre, që ata të ndjekin pas kalifin e vetëemëruar në Raka, apo të ngrenë lart në internet atentatorët vetëvrasës dhe t'i himnizojnë si heronj?

Ky është një proces i gjatë shoqëror. Më parë duhet që shoqëritë e lira të mësojnë, se si të tejkalojnë pambrojtshmërinë e tyre. Presioni ndaj skenës së simpatizantëve duhet rritur. Duhet ndërhyrë më me vendosmëri. Myslimanët duhet të heqin dorë nga simpatia e fshehtë për predikuesit e dhunës dhe t'i nxjerrin ata jashtë xhamive të tyre. Toleranca pasive duhet të pezullohet, me qëllim që të mbrohet liria, mënyra jonë e lirë e jetesës. Ndryshe shoqëritë kanë për t'u transformuar në drejtimin e kundërt me demokracinë. Përshëndetje pastaj nga "Front National"!

Ju mund të jepni mendimin Tuaj në fund të këtij artikulli. Ne ju mirëpresim!