1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Shansi i fundit për G7

Henrik Böhme4 Qershor 2015

Takimi i nivelit të lartë të G7-ës në Kështjellën Elmau duhet të sjellë më tepër rezultat se sa fotografi të bukura. Gjermania duhet të jetë më shumë se mikpritëse e mirë, mendon Henrik Böhme.

https://p.dw.com/p/1FbUV
Flamujt G 7 ne Lybek
Fotografi: picture-alliance/dpa/C. Rehder

Gjenova më 20 korrik 2001: Silvio Berluskoni, atëherë kryeministër i Italisë është mikpritës i takimit të nivelit të lartë të G-8-ës, në qytetin e vjetër port. Kanë ardhur edhe dhjetëra mijëra demonstrues, të cilët duan të protestojnë kundër këtij takimi të nivelit të lartë. Ata e shohin Klubin e G-8-ës si burimin e të gjitha të këqiave, si strofkë të neoliberalizmit, përgjegjës për padrejtësinë në këtë botë. Më 20 korrik protestat arrijnë një pikë kulmore dramatike. Nga një plumb policie, i shkrehur nga karabinieri 20 vjeçar Mario Placanica vdes 23 vjeçari Carlo Giuliani. Takimi i nivelit të lartë zhvillohet megjithatë, por temat politike zbehen përballë ngjarjeve. Bihet dakord që në të ardhmen takimet të mbahen diku në rajone larg dhe të shkëputura nga pjesa tjetër e vendit.

Kërkim i profilit

Disa vjet më vonë tregjet financiare u tronditën nga falimentimi i bankës amerikan Lehman. G-8 e kupton shpejt se nuk janë në gjendje ta zgjidhin vetë problemin. Mendja u vete te Forumi G 20, i cili deri tani vepron vetëm në nivelin e ministrave të Financave dhe i vihet emri zjarrfikës i krizave. Në nëntor 2008, kryetarët e shteteve dhe të qeverive ulen për herë të parë së bashku në një tryezë në Uashington. Si pasojë, G-8 e humbet rëndësinë. Në verë 2010 bëhen përpjekje që në Kanada të organizohet një lloj takimi i dyfishtë i nivelit të lartë: në fillim G8, pastaj G20. Por as kjo nuk e shpëton Klubin e G-8-ës. Ai i jep vetes një profil të ri dhe përpiqet të funksionojë si forum për politikën e jashtme. Ekonomia botërore do të debatohet në të ardhmen në kuadër të G-20-ës. Por këtu dinamika fillon të bjerë, me kapërcimin e krizës financiare botërore. Pjesëmarrësit nuk kanë shumë ç't'i thonë njëri-tjetrit, interesat ekonomike të shteteve janë shumë të ndara nga njëra-tjetra.

Henrik Böhme
Henrik BöhmeFotografi: DW

Luftim i padrejtësisë

Kështu, G-8 fillon të besojë për një shans të ri: si "bashkësi vlerash" do të bëhen përpjekje që të gjenden zgjidhje për problemet në botë. Njëri prej këtyre problemeve më të mëdha është ndarja e pabarabartë e mirëqënies në botë. Herë pas here, në dokumentat në fund të konferencave të G-7-ës dhe G-8-ës gjenden shënime të tilla, si lufta kundër varfërisë, tatime më të mëdha për kapitalin, luftimi më i mirë i proteksionizmit dhe i praktikave të tatimeve të koncerneve të mëdha ndërkombëtare. Por shpesh ajo që arrihet, nëse arrihet, janë vetëm hapa të vegjël. Në ndarjen e pasurisë kjo bëhet veçanërisht e qartë. Kështu, pasuria e 80 njerëzve më të pasur të botës në katër vitet e shkuara (pra pas krizës financiare!) u rrit nga 1,3 në 1,9 miliardë dollarë. Ky klub i super të pasurve, sipas një studimi të organizatës britanike Oxfam ka aq pasuri sa gjysma e varfër e njerëzimit - dhe këta janë gjithsesi 3,5 miliardë dollarë. Të ngjashme janë shifrat edhe të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO). Në bazë të tyre, rreth 40 përqind e të gjitha të ardhurave u venë 10 përqind të popullatës.

Të mbahet përgjegjësi

Të gjitha këto i dinë drejtuesit e tani vetëm shtatë shteteve, që kur Rusinë e hodhën jashtë Grupit. Receta të vërteta kundër shfaqjeve të një kapitalizmi të pafrenuar financiar megjithatë nuk dallohen.

Takimi i G-7-ës në Kështjellën Elmau është një shans i fundit për Grupin dhe për konfirmim që G-7-a është në gjendje të zbatojë objektiva. Vetëm nëse shtatë shtetet do të arrijnë të bien dakord për synime të qarta për të frenuar ndryshimin e klimës, të bien dakord për standarde sociale dhe t'i bëjnë ato të detyrueshme në vendet e tyre, vetëm atëherë Klubi i G-7-ës do ta meritonte karkaterizimin "bashkësi vlerash". Vetëm në këtë mënyrë mund të deaktivizohet bomba sociale me sahat, që po punon.