Koment: Rusia mbetet në Këshillin e Evropës - dhe kjo është gjë e mirë! | Evropa | DW | 18.05.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Evropa

Koment: Rusia mbetet në Këshillin e Evropës - dhe kjo është gjë e mirë!

Ministrat e Jashtëm të Këshillit të Evropës e shmangën daljen e Rusisë nga Këshilli i Evropës. Në fund, interesat e qytetarëve ishin më të rëndësishme sesa nevoja për të ndëshkuar një vend, thotë Fabian von der Mark.

Mund t'ia kishte bërë vetes të lehtë Këshilli i Evropës. Atje mund të kishin thënë: Më e vonta me aneksimin e Krimesë dhe me luftën në Ukrainën lindore, Rusia ka treguar se nuk i përmbahet së drejtës ndërkombëtare dhe prandaj nuk ka çfarë të kërkojë në Këshillin e Evropës. Mund t'i kishin dërguar pas Turqinë dhe dy ose tre anëtarë të tjerë dhe pastaj mund të festonin bashkësinë e vlerave. E pse jo?

Spirale fatale

Në fakt, Këshilli i Evropës veproi në mënyrë shumë të ngjashme pesë vjet më parë. Ai e privoi Rusinë nga e drejta për të votuar në Asamblenë Parlamentare në Strasburg. Ky ishte një veprim konsekuent, sepse pranimi i një deklarate lufte ndaj një shteti tjetër anëtar me një të ngritur të supeve do të ishte e pashpjegueshme jo vetëm për Ukrainën e prekur. Por gradualisht, anëtarëve të tjerë iu bë e qartë se në çfarë spiraleje fatale kishin hyrë.

Së pari, Rusia mori qëndrim kokëfortë dhe ndaloi kontributet e saj. Rreth 60 milionë euro i humbën Këshillit të Evropës në këtë mënyrë - jo pak, por një shumë e përballueshme. Ajo që ishte më e keqe ishte se kjo situatë - Rusia e pakënaqur nuk paguan - edhe pak do të kishte bërë edhe më shumë dëm: që në qershor, Rusia nuk do të mundte të merrte pjesë në zgjedhjen e një Sekretari të ri të Përgjithshëm dhe të gjykatësve të rinj për Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. "Ruxit"-i - lamtumira e Rusisë nga Këshilli i Evropës - me këtë do të qe bërë e pashmangshme.

Me largimin e shtetit më të madh anëtar, do të kishte vuajtur para së gjithash vetë Këshilli i Evropës  - humbja e rëndësisë do të kishte qenë shumë e madhe. Edhe më drejtpërdrejt do të qe prekur shoqëria civile ruse: nga asnjë vend tjetër nuk vijnë më shumë ankesa në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, sa nga Rusia. Një arsye për këtë është natyrisht madhësia e popullit rus. Por arsyeja e vërtetë është gjendja e keqe e të drejtave të njeriut dhe e sundimit të ligjit në Rusi. Nga kjo vuajnë opozitarë, artistë, gazetarë. Dhe shpesh e vetmja mundësi që mbetet është vajtja në Strasburg.

Fabian von der Mark

Fabian von der Mark

Reagimet e para janë të dhimbshme

Reagimet e para ndaj vendimit të Ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës mund të jenë të dhimbshme. Rusia tani mund të paraqitet si një vend "i denjë" i Këshillit të Evropës, pavarësisht nga mënyra si veproi në Krime dhe në Ukrainën lindore. Qeveria e Putinit mund të festojë se për herë të parë përfundojnë sanksione të mëdha ndërkombëtare kundër Moskës, të pretendojë se gjithçka ishte vetëm një fazë. Dhe gjithashtu të shkakton dhimbje zhgënjimi që mbetet te ukrainasit, të baltët dhe te kritikët e tjerë të Rusisë.

Në fund megjithatë kemi një fitore të bashkëpunimit ndërkombëtar, të multilateralizmit, siç thotë gjithmonë Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas. Për aq kohë sa njihet gjykata e Strasburgut dhe vendimet e saj zbatohen, çdo vendi duhet t'i jepet mundësia që të mbetet në Këshillin e Evropës. Edhe Rusisë. Për sanksione ka hapësirë në vende të tjera - ku qytetarët vuajnë më pak, se sa një largim nga Këshilli i Evropës.