1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Selenskyj - shërbëtor i Donald Trump

Bernd Johann
27 Shtator 2019

Donald Trump ka vënë nën presion Volodymyr Selenskyjn në telefon. Kjo mund të sjellë një procedurë shkarkimi nga detyra të presidentit. Por skandaloze është edhe servilosja e presidentit ukrainas, mendon Bernd Johann.

https://p.dw.com/p/3QHmJ
USA New York | Wolodymyr Selenskyj, Präsident Ukraine & Donald Trump, Präsident
Fotografi: Reuters/J. Ernst

"Shërbëtor i popullit" - ky është emri i partisë së presidentit ukrainas. Emri është program: Volodymyr Selenskyj e partia e tij duan t'i shërbejnë popullit. Por kur bëhet fjalë për Donald Trumpin, atëherë Selenskyj do të tregojë e ndoshta duhet të tregojë se është gati për shërbim edhe ndaj presidentit amerikan. Servilizëm është nocioni më i butë që mund të thuhet për fjalët e Selenskyjt për bashkëpunimin pa kushte e me lavde.

Protokolli i bisedës bërë në mirëbesim mes të dy politikanëve më 25 korrik 2019 të thotë shumë. Shënimet janë bërë publike, sepse Trump për shkak të kësaj telefonate ndodhet nën presion aq të madh në vendin e tij, saqë lejoi publikimin e saj. Kështu aty lexohet, se presidenti amerikan vërtet i bën fort presion homologut ukrainas. Dhe nuk janë interesat amerikane që janë në plan të parë, por bëhet fjalë për mbledhjen e materialit kompromentues për një rival të mundshëm të Trumpit në fushatën e ardhshme zgjedhore, politikanit demokrat dhe ish-zëvendëspresidentit, Joe Biden.

New York UN Generalversammlung Zelenskij Trump
Fotografi: picture-alliance/AP Images/E. Vucci

Selenskyj përsërit ato që thotë Donald Trump

Po si reagoi Selenskyj? Ai përsëriste fjalët e Trumpit, renditi një kompliment pas tjetrit, dhe e quajti madje partnerin e tij në bisedë një "mësues të madh". Selenskyj pranoi me vullnet dëshirat e Trumpit. Shërbëtori i popullit ukrainas u bë shërbëtor i presidentit amerikan dhe me këtë e bëri vendin e tij top loje të politikës së brendshme amerikane. Po, e vërtetë në politikë gjithmonë bëhet fjalë për interesa. Problemi i Selenskyjt në këtë pikë: Ai nuk i përfaqësoi kushedi sa interesat e vendit përballë Trumpit. Ai u hoq si fëmijë i mirë. As ndonjë dëshirë politike të rëndësishme nuk shprehu, sikur vendi i tij të mos kishte asnjë të tillë. Ai as nuk e përdori këtë takim për të tërhequr investime amerikane në Ukrainën e tronditur nga kriza, as nuk punoi për axhendën e tij të reformave, që ua ka premtuar ukrainasve.

Selenskyj vërtet lëvdoi sanksionet amerikane kundër Rusisë dhe ndihmat për ushtrinë ukrainase. Por ai nuk foli për një mbështetje të mundshme të SHBA në një zgjidhje diplomatike të konfliktit me Rusinë, megjithëse shumë ukrainas do të dëshironin pikërisht këtë. Ai nuk përmendi planet për dhënien fund të luftës në Donbas, megjithëse kjo do të jetë temë kryesore e presidencës së tij dhe në këtë pikë do të kishte nevojë për ndihmën amerikane.

Të gjitha këto nuk ishin kushedi sa të rëndësishme, kur Selenskyj në korrik të këtij viti më në fund kishte shansin të fliste me "Mr.President", të cilin ai deri më sot nuk e ka vizituar në Shtëpinë e Bardhë, dhe mundi ta takonte shkurt në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Kjo, kur të dy janë të një mendimi, se sa e rëndësishme është SHBA për Ukrainën dhe sa pak europianët, me në krye Angela Merkelin bëjnë për Ukrainën. Të dy politikanët kishin kohë madje në telefonatë edhe për të folur keq për kancelaren gjermane dhe presidentin francez, Emmanuel Macron. Vetëm pas kësaj Donald Trump u fut në temë, temën që i interesonte. Disa herë dhe me theks të veçantë ai i bënte presion Selenskyjt për mbledhjen e informacioneve mbi djalin e Joe Bidenit, Hunter Biden, që është i përfshirë në Ukrainë në pazare energjitike të kontestuara.

Johann Bernd Kommentarbild App
Koment i Bernd Johann

Dy presidentë dhe një procedurë shkarkimi

Donal Trump nuk foli në tërësi për korrupsionin e përhapur në Ukrainë dhe ekonominë klienteliste të padepërtueshme. Ai kërkoi qartë hetime kundër djalit të Bidenit, që në kohën e Poroshenkos ishte në krye të një koncerni energjitik ukrainas mbi të cilin rëndonin dyshime. Tjetra: Jo drejtësia amerikane, por pikërisht një nga avokatët e Trumpit do ta ndihmonte Ukrainën në këtë pikë. Pikante është se, pikërisht në kohën e telefonatës, Trump vërtet ndali përkohësisht ndihmat ushtarake amerikane për Ukrainën. Por të dy presidentët nuk folën për këtë.

Dyshimi ngrihet megjithatë - Trump vë nën presion një kryetar shteti të një vendi të huaj. Dhe ai u bë pjesë e lojës, sepse nuk mundte ose nuk donte të bënte ndryshe. Varësia e Ukrainës nga SHBA është e madhe. Nuk ka çudi, që demokratët tani kapin rastin për mundësinë e një procedure shkarkimi të presidentit amerikan.

Pikërisht Selenskyj, - partia e të cilit vetëm para pak kohësh futi sipas modelit të SHBA procedurën e shkarkimit për presidentët edhe në Ukrainë, - mundet tani që me politikën e tij servilosëse të ketë ofruar rastin që në Uashington të hapet një procedurë shkarkimi.