Koment: Nuk ka paqe me Asadin
1 Prill 2017Nuk mund ta dish, nëse kemi të bëjmë me një njeri jashtë bote apo me cinizëm. Sirianët le të vendosin vetë për fatin politik të Asadit, deklaroi ministri i Jashtëm amerikan, Rex Tillerson të enjten gjatë një vizite në Ankara. "Statusi në plan afatgjatë” i presidentit duhet të vendoset nga populli sirian. Së bashku me deklaratën e ambasadores amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, se administrata amerikane nuk përqëndrohet më tani „të heqë qafe" Asadin, edhe njoftimin e Tillersonit sinjalizohet kthesa e qeverisë së re në luftën e Sirisë.
Jashtë bote mund të quhet kjo politikë, sepse një vrasësi si Asadi, në burgjet e të cilit Amnesty International ka dokumentuar, se si janë ekzekutuar arbitrarisht mijëra vetë, nuk mund t'i besohet më respekti për popullin e tij. Por më shumë kjo kthesë mund të kuptohet në cinizmin e saj: Ajo vjen si pasojë e një vetëdijësimi, se politikanit kriminel në Damask nuk ke ç't'i bësh më.
Gabimi i Obamës
…Nuk ke ç't'i bësh më…sigurisht jo me kursin, të cilin e kanë ndjekur deri më tani SHBA dhe vendet e tjera perëndimore. E parë kështu, deklarata e Tillerson nuk është veçse zhvillimi logjik i asaj strategjie që praktikoi Obama në krizën e Sirisë. Ajo ishte e kujdesshme dhe e përmbajtur, sigurisht pas përvojës katastrofike në Irak në vitin 2003, Obama duhej të ishte i kujdesshëm. Por presidenti i atëhershëm me këtë qëndrim lejoi që të forcoheshin fuqi të tjera më agresive në Siri, e më vonë në rajon, pra Rusia, Irani, dhe krijesa e tij, Hizbollahu.
Më së voni ngurrimi i Obamës për të reaguar në verën e vitit 2013, kur u kalua sipas tij edhe „vija e kuqe" me sulmin me gaz helmues, pati efektin e një ftese për të gjitha ato forca, që nuk ia donin të mirën rajonit, të grushtonin interesat e tyre. Pasojat dihen: Lufta u shkallëzua më shumë, dhuna mori përmasa të mëdha, mentaliteti i luftës u çimentua.
Thekse të reja nën Trump
Me siguri: Për të gjitha këto nuk është fajtor Obama, por një politikan, të cilin mund ta cilësosh si „despotin oriental" klasik. Por si presidenti i fuqisë më të madhe botërore, Obama e humbi shansin, të ndalte shkallëzimin e mëtejshëm të situatës. Ai lejoi me këtë që një fuqi tjetër, e një kalibri tjetër moral, si Rusia nën Putinin të përcaktojë masivisht fatet e rajonit.
Administrata e Trumpit vetëm se po e vazhdon këtë kurs. Ai ndryshon nga paraardhësi i tij vetëm formalisht. Nëse Obama dhe John Kerry e kishin zor të pohonin hapur, se Asadi mund të qëndrojë në post, kjo nuk përbën ndonjë problem të madh për presidentin aktual dhe ministrin e Jashtëm.
Me shumë gjasa ka mjaft arsye për një vendim të tillë: Organizata terroriste e të ashtuquajturit „Shteti Islamik” nuk është mundur akoma, e ka shkak që kësaj hordhie psikopatësh vrasës e përdhunues t'i dalësh ballazi me të gjithë fuqinë. Por ky vendim nuk merr parasysh, që Siria nën Asadin nuk do të paqësohet asnjëherë. E me këtë as rajoni, as më gjerë, e në një kohë, kur distancat hapësinore nuk janë më problem, as e gjithë bota. Kultura e dhunës do të hedhë farën e saj përtej Damaskut, edhe njerëz të traumatizuar dhe të radikalizuar do ta transportojnë këtë farë. Asadi mund të jetë gjithçka, por jo garantues i paqes.
Autokratë anarkistë
Fakti që Tillerson e bëri një deklaratë të tillë pikërisht në Ankara, i jep asaj edhe një ngjyrim tjetër. Sepse ai sinjalizon edhe bashkëpunimin me një qeveri, e cila ka përfytyrimet e saj për përgjegjësinë politike. Në javët e fundit, presidenti Erdogan ka treguar, se për hir të përgjegjësisë, siç e kupton ai, nuk do të hezitojë asnjë sekondë të shkaktojë tërmete politike. Në Gjermani ai tregoi se mund të fshijë me një turr rezultatet e një pune disavjeçare të politikës së integrimit. Jo vetëm komuniteti turk në Gjermani është i përçarë, por edhe populli gjerman është mjaft i pasigurtë për vullnetin integrues të pjesëve të mëdha të këtij komuniteti.
Me siguri që nuk mund t'i zgjedhësh partnerët me të cilët duhet të bashkëpunosh. Por shqetësuese është që tani SHBA, pasi presidenti i ri flirtoi me Rusinë në fushatë, bëhet vendi që shpreson tek një regjim autoritar i klasit të parë. Europianët e ndjejnë përditë se çfarë do të thotë, kur autokratët nuk njohin lifij. Por fushata propagandistike e Erdoganit, dhe shqetësimi për përzierjen e Kremlinit në fushatën gjermane për zgjedhjet e Bundestagut të lenë të kuptosh, se çfarë bëjnë këta të fortë, kur nuk i tremben as opozitës dhe as sanksioneve. Siria është kulmi i tragjedisë aktuale politike. Por goditjet afrohen gjithnjë e më shumë drejt Europës. Për këtë nuk është vetëm përgjegjës Asadi. Por përfytyrimi, se ai mund të kontribuojë për stabilizimin, është një besim i rremë e me pasoja.