Koment: Një kompromis i vështirë për t′u kuptuar | Gjermania | DW | 02.02.2018
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Gjermania

Koment: Një kompromis i vështirë për t'u kuptuar

Çështja nëse një grup i caktuar refugjatësh do të lejohet të sjellë në Gjermani familjet është kthyer thuajse në çështje përcaktuese për fatin e koalicionit qeveritar, i cili ende nuk ekziston, mendon Jens Thurau.

Sërish u kalua një provë tjetër zjarri në rrugën e thepisur drejt koalicionit qeveritar të partive më të mëdha: në Bundestag, CDU, CSU dhe SPD arritën të mërkurën që të qëndrojnë të bashkuara, megjithë rezistencën nga opozita. Në këtë mënyrë, që në gusht do të kemi një rregull tepër të ndërlikuar dhe shumë të diskutueshëm për një grup shumë të caktuar njerëzish, të cilët kanë ardhur si refugjatë në Gjermani: deri 1000 të afërm të refugjatëve me status mbrojtjeje të përkohshme do të lejohet që të vijnë çdo muaj në Gjermani. Do të lejohen edhe një sërë rastesh të veçanta të rënda, por jo më shumë se 100 të tilla në muaj. Gjithçka e qartë?

A është çdo refugjat i përndjekur?

Për këtë duhet të tërhiqemi një hap pas, për të parë si janë zhvilluar punët: të përndjekurit politikë gëzojnë në Gjermani të drejtën e azilit, kështu është shkruar në ligjin themelor të Gjermanisë. Po a janë të gjithë të përndjekur, ata në vendin e të cilëve ka luftë dhe mjerim? Ka edhe shumë njerëz që marrin arratinë, sepse kanë frikë nga përndjekja në të ardhmen ose sepse një luftë civile është në vetvete një kërcënim. Kjo po ndodh në Siri, këtë nuk e kundërshton dot njeri.

Kështu që në vjeshtë 2015 ishin kryesisht prej këtij vendi mijëra vetë që erdhën, edhe sepse atje kishte qarkulluar lajmi se ata do të lejoheshin të sjellin familjet e tyre. Me të vërtetë, qeveria gjermane e kishte vendosur këtë në gusht 2015. Pastaj numri i refugjatëve u rrit me shpejtësi, atmosfera në Gjermani ndryshoi, dhe pa kaluar shumë kohë u ra dakord që bashkimi familjar të bllokohej. Deri tani.

Jens Thurau

Jens Thurau

Tani ky bashkim do të lejohet sërish, por negociatorët nxorrën me shkop magjik nga kapelja kufirin prej 1000 vetash në muaj. Më mirë se asgjë për të prekurit, por një vendim i kritikueshëm nga pikëpamja etike dhe morale. Shumë familje ka vite që janë ndarë, shumica e ekspertëve thonë: kur familjet janë të bashkuara, integrimi funksionon më mirë. Dhe të tërheq vëmendjen se sa pak shqetësohen partitë me orientim të krishterë CSU dhe CDU, që kishat u kërkojnë të gjejnë zgjidhje sa më bujare.

Shifra 1000 është një kompromis tipik: CSU do të kishte preferuar që të mos kishte fare bashkim familjar, SPD u mbërthye te kjo temë, edhe sepse dëshiron t'u demonstrojë mbështetësve të saj se është në gjendje t'i marrë diçka CSU-së.

Politikë e pamenduar mirë

Tema e bashkimit familjar është në përgjithësi një shembull i mirë për kaosin, që ka shkaktuar qeveria në politikën ndaj refugjatëve, gjë që tani duhet të rregullohet gradualisht. Fillimisht një premtim me plot gojën, të cilin njerëzit nga Siria e pranuan duke falenderuar, pastaj tërheqja e tij, tani pranimi i kufizuar.

Politika e planifikuar dhe e menduar mirë ka pamje tjetër. Edhe nëse rregulli për të cilin u ra dakord për disa prej të prekurve është një rreze shprese.