1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një sinjal i fuqishëm

Bettina Marx21 Shtator 2014

Dita e aksionit e myslimanëve gjermanë kundër urrejtjes dhe padrejtësisë është një sinjal i fortë për tolerancë. Shoqëria jomyslimane duhet ta rrokë dorën e shtrirë, mendon Bettina Marx.

https://p.dw.com/p/1DG6f
Fotografi: Reuters/Hannibal

Në Siri dhe Irak milicët terroristë të „Shtetit Islamik“ përparojnë pa u ndalur. Duke vrarë dhe duke djegur ata marrin një fshat pas tjetrit, torturojnë dhe poshtërojnë popullsinë dhe detyrojnë dhjetëra mijëra vetë të marrin arratinë. Në të njëjtën kohë në Gjermani myslimanët ngrenë zërin e tyre të protestës kundër urrejtjes dhe padrejtësisë. Ata distancohen kështu qartë nga ekstremistët të cilët në emër të tyre kanë ngritur një rregjim terrori të pashembullt në Lindjen e Afërt. Një regjim terrori, viktimë e të cilit bien në radhë të parë myslimanë.

Distancim nga ekstremistët

Myslimanët gjermanë distancohen me këtë ditë aksioni nga të paktën 400 persona të të njëjtit besim të cilët kanë shkuar në këtë luftë nga Gjermania për të marrë pjesë në luftimet mizore. Janë të rinj dhe të reja që janë radikalizuar përmes internetit ose janë tërhequr nga predikues të urrejtjes të cilët veprojnë në skajet e shoqërisë myslimane në Gjermani. Ata si rregull nuk janë pjesë e rreth 2000 komuniteteve të xhamive, të grupuar në katër shoqatat e mëdha islame. Pjesa më e madhe e myslimanëve gjermanë, të cilët kanë një jetë të rregullt dhe qytetare, nuk duhet bërë përgjëgjëse për rrugën e gabuar të disave me sy të errësuar, të cilët u shkojnë pas predikuesve të urrejtjes dhe janë të gatshëm të vënë në lojë jetën e tyre, për të realizuar përfytyrimet e tyre të dhunshme të një islamizmi të pastër.

Megjithatë është mirë që shoqatat e fesë islame me ditën e tyre të aksionit kundër urrejtjes u distancuan aq qartë nga këta fanatikë. Ata kontribuojnë nga njëra anë për zhvillimin e një debati mbi përmbajtjet, pikërisht në një kohë kur pjesa më e madhe e shoqërisë gjermane vështron krejt e habitur dhe e trazuar ngjarjet e tmerrshme në Lindjen e Afërt dhe kur në skajin e djathtë të kësaj shoqëria nxitet urretja kundër fesë islame dhe myslimanëve. Numri i sulmeve ndaj myslimanëve dhe institucioneve të tyre është në rritje, thonë funksionarët e shoqatave të fesë islame.

Bettina Marx
Fotografi: DW/S. Eichberg

Sulme kundër myslimanëve në Gjermani

Gushtin e kaluar ka pasur pesë atentate kundër xhamive në Gjermani, më shumë se kurrë më parë. Edhe kundër tyre protestuan myslimanët me ditën e tyre të aksionit të premten, ashtu si dhe kundër antisemitizmit dhe urrejtjes për hebrenjtë. „Unë jam hebre kur sulmohen sinagogat, jam i krishterë kur të krishterët përndiqen dhe jam mysliman kur u vihet zjarri xhamive“, tha këtë javë Ayman Mazyek, kryetari i Këshillit Qendror të Myslimanëve. Vetëm me vendosmëri dhe kurajo civile mund t‘i kundërvihemi intolerancës në rritje, ekstremizmit dhe fanatizmit.

Por vetëm kjo nuk mjafton: edhe politika dhe mediet kanë detyrim të veprojnë. Politika duhet të kujdeset që të rinjve të përjashtuar dhe pa mundësi në shoqëri t‘u ofrohet një perspektivë, p.sh. duke iu vënë në dispozicion shoqatave të fesë islame mjetet e nevojshme për punë me të rinjtë. Në plan ndërkombëtar ajo duhet të angazhohet që të sheshohen konfliktet që trondisin Lindjen e Afërt dhe të thahet moçali ku gjallon terrorizmi. Mediet nga ana e tyre duhet të sqarojnë dhe të informojnë dhe të bëjnë kujdes që me përzgjedhjen e temave dhe të terminologjisë të mos kontribuojnë në radikalizimin dhe largimin nga shoqëria.