Koment: Neonazistë te policia - zjarri të shuhet që në fillim | Gjermania | DW | 19.12.2018
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Koment: Neonazistë te policia - zjarri të shuhet që në fillim

Një kërcënim radikal i djathtë, i dërguar nga një faks i policisë në Frankurt mbi Main ndoshta është vetëm maja e ajsbergut. Tani dalin detyra para gjithë shoqërisë, mendon Michaela Küfner.

NSU 1.0 - këto ishin dhjetë vrasje të radikalëve të djathtë ndaj fqinjëve, shumica me origjinë të huaj. Ishin 13 vjet dështime të plota të autoriteteve hetuese gjermane. Gjithsesi: në fund të një procesi të stërzgjatur disavjeçar u mor vendimi "me burgim të përjetshëm" për Beate Zschäpe-n, të vetmen anëtare që është ende gjallë nga treshja e vrasësve. Në këtë proces, avokatja nga Frankfurti Seda Basay-Yildiz mbrojti njërën nga familjet e viktimave. Ajo mbrojti edhe Sami A., që dyshohet se ka qenë rojë personale e Osama bin Ladenit.

Aparati i faksit, prej të cilit iu dërgua verën e kaluar kërcënimi Basay-Yildiz-it, se do ta "thernin" vajzën e vogël të saj, me sa duket ndodhet në rajonin 1 të policisë në Frankfurt mbi Main. Tani kanë nisur hetime kundër pesë punonjësve të policisë në Frankfurt. Në një grup të mbyllur bisedimi në internet ata besohet se kanë këmbyer materiale ekstremiste të djathta.

Vetëm fillimi i hetimeve

Po përvijohet se ky është me siguri vetëm fillimi i hetimeve, të cilat pritet të zgjerohen. Nga ana tjetër, ministri i Brendshëm i Hessenit mbrohet me të drejtë kundër vendosjes nën dyshim të përgjithshëm të 14.000 policëve të landit. Nga lindja e Gjermanisë, para së gjithash nga Saksonia kjo është gjë e njohur.

Prandaj siç pritet vala e revoltës politike është e madhe. "Frikësuese" komenton ministrja e Drejtësisë, Katarina Barley. Po, është frikësuese, që struktura të tilla mund të zhvillohen në një stacion policie. Dhe këtë thuhet se nuk e ka vënë askush re?

"NSU 2.0" e kanë quajtur veten me sa duket policët. Dallimi me NSU 1.0 duhet të kishte qenë që një institucion duhet të dallonte vetë, pa u shtyrë nga jashtë, struktura me drejtim të djathtë dhe duhej të kish vepruar me vendosmëri kundër tyre. Për të mbrojtur viktimat, por edhe për të mbrojtur kolegët, që luftojnë me trup dhe me jetën e tyre për demokracinë tonë dhe për shtetin tonë juridik.

Michaela Kuefner

Michaela Küfner

Jo vërtet e papritur

Ai që ka përjetuar nga afër procesin e NSU-së ose njërin nga komisionet hetimore përkatëse në Bundestag, pas lajmit nga Frankfurti ndoshta edhe është frikësuar, por nuk habitet. Familjet e viktimave të NSU-së ankohen deri sot, se është hedhur pak dritë në rrjetin e fshehur të mbështetësve. Kjo në një kohë kur pikërisht kjo e bëri të mundur lindjen e celulës terroriste të NSU-së.

Herën e fundit NSU-ja vrau dymbëdhjetë vjet të shkuara. Që atëherë Gjermania ka ndryshuar shumë, e nxitur nga pranimi i më shumë se një milion refugjatëve në 2015 dhe 2016. Simpatitë për idetë e djathta për shkak të partisë populiste të djathtë AfD janë bërë të pranueshme në shoqëri dhe në Bundestag. Grupet ekstremiste të djathta shfaqen në mënyrë gjithnjë e më të paturpshme në publik - dhe me sa duket edhe midis kolegëve në polici.

Mbetet të shpresohet, që shumica që hesht - në kuadër të ngushtë dhe të gjerë - t'u vërë emrin atyre që shikon. Dhe që çdo individ të reagojë kur shfaqen ide ekstremiste të djathta në metro, në fqinjësi, në punë, te kolegët në korridore. Tani është detyra e të gjithëve ne që ta shuajmë këtë zjarr që në fillim.