1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Negocioni nga e para marrëveshjen INF, jo ta braktisni!

Udo Bauer
23 Tetor 2018

Presidenti i SHBA, Donald Trump do ta braktisë marrëveshjen INF të vitit 1987, sepse Rusia ka vite që e shkel atë. Me këtë programohet një garë e re e superfuqive, mendon Udo Bauer.

https://p.dw.com/p/36ygZ
DW Dokumentationen Trump and Putin - Komplott gegen Amerika
Fotografi: ZDF

Më e vonta prej katër vjetësh SHBA e dinë se Rusia e shkel marrëveshjen INF, e cila ndalon armë me rreze të mesme veprimi me një rreze prej 5500 kilometrash. Një sistem raketor të lejuar, "Iskander" ata e kanë modifikuar në një sistem të ndaluar, "SSC-8".

Në lidhje me këtë, rusët bëjnë atë, që bëjnë gjithmonë në raste të tilla kritikash nga Perëndimi: në fillim e mohojnë, që sistemet e reja janë të ndaluara në bazë të marrëveshjes, pastaj përgjigjen me kundërakuza. NATO-ja bën të njëjtën gjë me sistemin e saj të mbrojtjes raketore në Rumani, është interpretimi rus. Ai vërtet është i drejtuar formalisht kundër armëve iraniane, por mund të përdoret edhe si sistem sulmi kundër Rusisë. Ndaj kësaj Moska duhej të reagonte.

Kthim pas në vitet 1980?

Si shpesh, të dyja paraqitjet përmbajnë diçka të vërtetë. Pyetja që shtrohet është vetëm si duhet të veprosh me këtë. Dihet se Donald Trumpi nuk njeh tone të ndërmjetme, ai njeh vetëm një gjë: të bubullojë dhe të kërcënojë. Rusëve nga ana tjetër ua kërkon krenaria që t'i kthejnë kërcënimet. Trumpi synon të shënojë pikë para zgjedhësve të tij para Midterm Elections, Putini duhet t'ia kthejë, për të mos dalë si ngordhalaq para bashkëkombasve të tij.

Sjellja mazohiste e dy kundërshtarëve çon pas në vitet 1980, në kohën e garës së madhe të armatimeve midis NATO-s dhe Traktatit të Varshavës. Marrëveshja INF e vitit 1987 ishte një moment historik, sepse tregoi një rrugëdalje nga spiralja e armatimit. Atëherë unë isha student, për mua asgjësimi i "Pershing II" në anën perëndimore dhe i "SS20" në anën lindore qe një hap gjigand në drejtim të paqes dhe pajtimit. Dhe unë nuk dua të kthehem pas në vitet 1980.

Të krijohet besim i ri në negociata

Kjo në një kohë kur do të kishte qenë krahasimisht e lehtë që të gjendet një rrugëdalje: në vend të braktisjes së marrëveshjes, NATO-ja dhe Rusia të uleshin së bashku dhe të diskutojnë se si mund të shpëtohet marrëveshja. Shumë tani do të thonë të pakënaqur se për këtë mungon besimi reciprok: Rusia ka aneksuar Krimenë dhe ka sulmuar Ukrainën Lindore - si mund t'u besosh atyre? Në kampin tjetër do të thonë "Si mund t'i besojmë ne rusët NATO-s?" kur pikërisht këto ditë ajo mban manovrën më të madhe që prej fundit të Luftës së Ftohtë në Skandinavi dhe kur stacionon prej vitesh gjithmonë e më shumë ushtarë në kufirin perëndimor të Rusisë?

Unë nga ana tjetër mendoj: edhe më 1987 besimi reciprok midis Lindjes dhe Perëndimit nuk ka qenë veçanërisht i theksuar. Megjithatë bota u bë më e sigurtë duke pasur më pak armë. Kjo bëhet edhe sot: pra në tavolinë dhe në negociata!