1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Muzg perëndish për Theresa May-n

6 Nëntor 2017

Çfarë e lidhë qeverinë britanike me shembjen e Perandorisë Romake? Atmosfera në Londër është si e fundit të botës dhe sundimi i Theresay May-t po lëkundet, mendon Barbara Wesel.

https://p.dw.com/p/2n4a2
Theresa May
Fotografi: Reuters/T.Melville

Ajo e ka mbijetuar dështimin në zgjedhje në qershor dhe rrjedhën kaotike të negociatave të Brexit-it. Por tani, skandali që po përhapet për shakatë me nënkuptim seksual dhe për sulmet në partinë konservatore mund t'i kushtojë kokën Theresa May-t. Fushata '#MeToo'kaloi nga Hollivudi në Westminster, dhe kryeministrja britanike nuk duket se e përballon dot fuqinë e publikimeve për shakatë e burrave të vjetër dhe për duar që vërtiten në radhët e saj.

A do të rrëzohet May përballë serisë së dorëheqjeve?

Viktima e parë e spastrimeve ishte ministri i Mbrojtjes, Michael Fallon. Në fillim u bë e njohur se i kishte kapur dikur gjurin një gazetareje, pastaj kolegia e partisë së tij, Andrea Leadsom e akuzoi për një shaka të rrallë budallaqe lidhur me kërkesën për "një vend për duart e saj të ftohta". Po të jetë e saktë ajo që tregon ajo, atëherë niveli i shakave me dy kuptime në Westminster duhet të jetë me të vërtetë shokues.

Thashethemi i fundit ka të bëjë me zëvendësin e May-t, Damian Green. Edhe ai thuhet se ka përkëdhelur një gju, pa e ftuar njeri. Po të duhet të largohet edhe ai atëherë situata do të jetë e vështirë për kryeministren. Për një riorganizim të thellë të kabinetit ajo nuk ka mbështetje as në partinë e saj dhe as në popull. Nëse ditët dhe javët e ardhshme do të pikojë një seri zbulimesh dhe dorëheqjesh, Theresa May nuk do ta mbijetojë konfuzionin.

Damian Green pranë Theresa May-t
Damian Green pranë Theresa May-tFotografi: Reuters

Në Westminster qarkullon një dosje sekrete me ngacmime seksuale dhe me shprehje seksiste të deputetëve dhe të krerëve të partisë. Nëse përmbajtja do të shfaqet me porcione të përditshme në shtyp, atëherë aparati politik në Londër mund të shpërthejë së brendshmi.

Shembja e Perandorisë Romake

Meqenëse Theresa May e ka të vështirë të kënaqë kënd për momentin, edhe emërimi i një ministri të ri të mbrojtjes çoi në një shpërthim zemërimi kolektiv të partisë së saj konservatore. Politikani i ri dhe tani ministër i Mbrojtjes, Gavin Williamson më parë kujdesej për disiplinën në Grupin Parlamentar të partisë dhe u bë i njohur me terrarin me xham që mbante në zyrë, brenda të cilit jetonte një merimangë e madhe e gjallë - gjë që i bëri gjuhët e helmuara te konservatorët që të vendosin një lidhje midis qeverisë së Theresa May-t dhe shembjes së Perandorisë Romake.

Emërimi i "merimangës helmuese Williamson" është një mësim nga "libri i mësimeve të Perandorit Kaligula, akti administrativ i fundit të të cilit ishte emërimi si senator i kalit të tij të preferuar", citon Financial Times një konservator anonim.

Vëzhguesit e krahasojnë klimën aktuale politike në Londër me ditët e fundit të qeverisë së Major-it ose atmosferën pas skandalit të llogarive, që për pak e fundosi qeverinë e Gordon Brown-it. Por këtë herë bëhet fjalë më shumë se për riparimin e varreve të kështjellave dhe shtëpive të rosave në kurriz ta taksapaguesve. Në një valë të madhe nxirren në sipërfaqe raste të mbuluara, të cilat tregojnë një klimë frike dhe abuzime seksuale në politikën britanike.

Barbara Wesel
Barbara Wesel

Shansi më i mirë i Theresa May-t për t'i mbijetuar serinë e zbulimeve do të ishte që të vihej vetë në krye të lëvizjes. Por fuqia politike që ka nuk mjafton për këtë, atë ngjarjet vetëm e shtyjnë përpara. Dhe veç kësaj, ajo nuk është më në gjendje që të bëjë politikë.

Brexiti po del gjithnjë e më tepër jashtë kontrollit, në parlament e pret një disfatë në votim.

A do ta bëjë kryeministrja dot rrugën deri në Krishtlindje? Orakujt politikë janë të mendimit: në 2018-ën në Britaninë e Madhe do të ketë zgjedhje të reja. Mbretërinë e Bashkuar nuk mund ta kesh zili për këto kohë interesante.