1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mesia Macron bëhet President

15 Gusht 2017

100 ditë pas fitores në zgjedhje të Emmanuel Macronit, me të është i kënaqur vetëm një ndër tre francezë. Por kjo nuk do të thotë shumë, beson redaktori i DW, Christoph Hasselbach.

https://p.dw.com/p/2iDUe
Frankreich | Emmanuel Macron bei Gedenkfeier des 2016 in der Normandie von Dschihadisten ermordeten Priesters Jacques Hamel
Fotografi: Getty Images/AFP/C. Triballeau

Me të vërtetë Macronin e festuan kudo në Evropë gati si një Mesia: ai arriti ta çlirojë Francën dhe kontinentin nga ëndrra e keqe e një Presidenteje Marine Le Pen. Por jo vetëm kjo: ai u duk se zgjoi një entuziazëm të ri për Evropën dhe se po i bashkonte francezët.

Me 39 vjeçarin inteligjent, në Francë fryu një fllad i freskët. Macroni kishte çfarë t'u ofronte të gjithëve: atyre me probleme sociale një arsim më të mirë, sipërmarrjeve më pak taksa, të pasigurtëve një shtet më të fortë dhe për konservatorët ai udhëtoi në ceremoninë e marrjes së postit në një automjet të hapur ushtarak nëpër Paris - në vend që të udhëtonte me një limuzinë civile, si parardhësi i tij, François Hollande.

Nuk është për t'u çuditur që entuziazmi nuk do të ishte i përhershëm. Por që vlerat e mbështetjes për të do të binin kaq me vrull, kjo ishte surprizë për shumë vetë. Në kryengritje janë para së gjithash punonjësit e Shërbimit Publik, të ardhurat  e të cilëve Macroni dëshiron t'i kufizojë. Dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Pierre de Villiers dha dorëheqjen pas grindjes publike për masat e kursimit tek Forcat e Armatosura.

Christoph Hasselbach
Christoph Hasselbach

Pas pushimeve vjen prova e forcës

Kjo në një kohë kur Macroni nuk i ka therur ende lopët më të shenjta: ai ende nuk e ka vënë në jetë reformën e shpallur të tregut të punës. Javën me 35 orë punë, e cila i kushton shumë aftësi konkurrence Francës, Macroni gjithsesi nuk guxon ta prekë - ose ende nuk guxon. Edhe një reformë e pensioneve ende nuk është kryer. Prova e parë vendimtare e forcës pritet pas pushimeve të verës. Sindikatat kanë bërë që tani thirrje për greva.

Ngjitja e Macronit ka të bëjë shumë me alternativat zgjedhore të pranverës, para së gjithash me Marine Le Penin. Shumë e zgjodhën, jo sepse donin patjetër Macronin, por sepse donin të pengonin Le Penin. Dhe gati gjysma e francezëve - ky është rezultati i raundit të parë të zgjedhjeve - votuan për kandidatë, të cilët duan ta izolojnë Francën nga globalizimi. Ai që në raundin e dytë votoi pastaj për shkaqe taktike për Macronin, ai zor se e ka ndryshuar qendrimin e tij.

Kalim rrufe në burrë shteti

Por problemet për të nuk janë të pakapërcyeshme. Macroni mbërthen në krye reformat jopopullore. Po të ecë mirë ekonomia dhe po të japë mbështetje koniunktura, ai mund të korrë disa fryte që në kuadër të mandatit të tij. Edhe në parketin ndërkombëtar Macroni bën një figurë të mirë. Gati pa periudhë tranzitore ai po kalon nga një avancues i shpejtë në politikë në një burrë të vjetër shteti. Dhe ai përfiton nga një gjendje e re shpirtërore në Evropë: larg populizmit dhe drejt politikës serioze.

Të gjitha këto nuk janë garanci për sukses. Por me sa duket në Francë është përhapur konkluzioni se opozita fondamentale kundër çdo ndryshimi në vend ka qenë ajo që e çoi vendin në krizë. Macroni nuk është shpëtimtar, megjithëse ndërkohë aktualisht e thërrasin me ironi "Jupiter". Por Presidenti i ri ka shanse të mira, që duke mbetur qenie tokësore, si reformator ta çojë përpara Francën.

 

Hasselbach Christoph Kommentarbild App
Christoph Hasselbach Analist, korrespondent dhe komentues i politikave ndërkombëtare