Koment: Komisioni i ri i Ursula von der Leyen para sfidave të mëdha | Evropa | DW | 28.11.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Evropa

Koment: Komisioni i ri i Ursula von der Leyen para sfidave të mëdha

Ruajtja e klimës dhe digjitalizimi janë dy prioritete politike të Komisionit të ri të BE. Presidentja e KE, Ursula von der Leyen nuk do ta ketë aspak të lehtë, veçanërisht sa i përket financimit, mendon Bernd Riegert.

Pas kompromiseve të shumta me të gjitha palët e Parlamentit Evropian, Ursula von der Leyen ka arritur të sigurojë mbështetjen për përbërjen e re të Komisionit Evropian. Ajo ka premtuar shumë gjëra në të gjitha anët: Mbrojtjen e klimës, më shumë të drejta për PE, investime në digjitalizim dhe ekonomi, më shumë barazi gjinore, një rol më të fuqishëm të BE në botë ... Por pëveç Parlamentit, presidentja e re e KE duhet të sigurojë edhe mbështetjen e presidentëve dhe kryeministrave të 27 vendeve anëtare të BE. Pa këtë mbështetje, nuk ka asgjë.

Ata e kanë nominuar politikanen gjermane për presidente të KE. Presidenti i Francës Emmanuel Macron e ka bllokuar njëherë von der Leyenin. Me veton e tij është pamundësuar fillimi i negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE. Ndërkohë që Macron ka kërkuar edhe hartimin e një politike të veçantë ushtarake evropiane. Macroni ai ka imponuar idenë për një konferencë për reforma në BE. Tani në këtë tren të nisur duhet të futet edhe Gjermania.

Edhe një konferencë

Në këtë konferencë e cila është mbajtur njëherë nën emrin "Konventa" para 18 vitesh, ai pretendon të bëjë ndryshime në BE. Komisioni i ri nën drejtimin e Ursula von der Leyen duhet ta organizojë atë. Punëtorja e zellsme von der Leyen, do të detyrohet të ndërmjetësojë në harmonizimin e qëndrimeve. Ky nuk është roli kryesor i kryesuesit të BE, ndonëse ajo po përpiqet që këtë rol ta fusë nën kornizat e një veprimi "gjeopolitik".

Riegert Bernd Kommentarbild App

Bernd Riegert

Freskuese është përpjekja e saj për sjelljen e një fryme të re në Bruksel. Shpresojmë se fshesa e Von der Leyenit në Komision do të punojnë mirë - në përpjekjet për t'u përballur me ndryshimet e klimës, digjitalizimin dhe evitimin e ngritjes së forcave populiste. Në rrafshin ndërkombëtar do të përballet me udhëheqësinë kineze, presidentin amerikan dhe liderët e Afrikës, kur bëhet fjalë për të drejtat e njeriut, tregtinë dhe migrimet. Përveç kësaj ajo duhet të ndërtojë raporte edhe me Britaninë e Madhe, pas Brexitit, që është një detyrë shumë e madhe e presidentes së re të Komisionit.

Provat e para serioze në gjysmën e dytë të vitit 2020

Komisioni i deritanishëm ka arritur t'i zbusë krizat dhe të forcojë Evropën, thuhet në analizën e von der Leyen. Por ajo tani do të krijojë politika për të ardhmen e qëndrueshme, që do të jetë një rrugë e vështirë. Synimet janë shumë të mëdha. Asaj i duhet mbështetja e vendeve më të fuqishme, pra edhe e Gjermanisë, si vendi i origjinës. Ndërsa prova më serioze e parë, do të jetë sigurimi i financave vitin e ardhshëm. Presidentja me origjinë gjermane duhet që gjatë gjysmës së dytë të vitit 2020, kur Gjermania do të jetë kryesuese e Këshillit, të sigurojë bazën financiare për shtatë vitet e ardhshme. A do ta mbështetë si duhet kancelarja gjermane Angela Merkel ish-ministren në kabinetin e saj qeveritar?

Kjo është një detyrë ku do të shihet roli dhe fuqia e Ursula von der Leyen. Koha e fjalimeve të mjegulluara ka kaluar, tani fillon puna.