1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment i FAZ: E pandershme - ndërhyrja e Turqisë në Siri

Rainer Hermann
26 Janar 2018

Turqia nuk rrezikohet nga rajoni kurd i Afrinit, ndaj sulmi i saj ndaj kurdëve nuk është i justifikuar. Problemin Turqia si duket e ka tek ekzistenca e autonomisë së kurdëve.

https://p.dw.com/p/2rXF5
Türkei Hatay - Türkische Panzer an der Syrischen Grenze "Operation Olive Branch"
Fotografi: picture-alliance/AA/F. Aktas

Argumentimi turk, me të cilin qeveria turke kërkon të imponojë në Perëndim dhënien e një miratimi për operacionin e saj "Dega e ullirit", nuk është bindës. Ankaraja pretendon se ka një interes legjitim sigurie dhe prandaj e ka ndërmarrë ofensivën e saj tokësore dhe ajrore kundër kantonit kurd Afrin në Veriperëndim të Sirisë. Ky veprim të sugjeron se prej atje Turqinë e kërcënon një rrezik - gjë që nuk është në përputhje me realitetin. Sepse me shpërbërjen e shtetit në Siri, që kur kurdët vetëadministrohen, nga territori i tyre nuk ka pasur sulme kundër Turqisë.

Nga ana tjetër, megjithatë ka qenë Turqia që veçanërisht vitin e kaluar ka hapur në mënyrë të përsëritur zjarr kundër Afrinit dhe ka provokuar. Turqia duhet të tregohet e ndershme dhe të pranojë, se një autonomi kurde ajo nuk e duron dot, as në vendin e saj dhe as në Siri. Turqit, me mënyrën si veprojnë mund të shkatërrojnë edhe një komunitet që është më demokratik se në çdo vend tjetër në Lindjen e Afërt, që mundëson një bashkëjetesë paqësore të grupeve të ndryshme popullore dhe të konfesioneve të ndryshme. Udhëheqja e Ankarasë siç duket nuk ka interes për këtë.