Koment: Goditje e moderuar nga Teherani | Bota | DW | 08.01.2020
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Bota

Koment: Goditje e moderuar nga Teherani

Reagimi i Teheranit ndaj vrasjes së gjeneralit iranian Soleimani duket çuditërisht i moderuar. Për një kohë të shkurtër kjo hap një dritare për diplomacinë, thotë Matthias von Hein. Po të lëvizin të dyja palët.

Në thelb është absurde: raketat iraniane godasin dy baza amerikane në Irak - dhe bota merr frymë e lehtësuar. Sipas asaj që dihet deri tani, dëmi është i vogël. Presidenti amerikan Donald Trump reagoi i matur për mënyrën e tij. Për mëngjesin në Uashington ai njoftoi vetëm  një deklaratë dhe jo lëshimin e raketave kundër pasurive kulturore iraniane.

Nga pala iraniane, ministri i Jashtëm Dschawad Sarif shkroi në twitter se Irani kishte marrë në mënyrë proporcionale masa vetëmbrojtjeje - dhe mbi të gjitha: i kishte përfunduar.

A është shmangur rreziku i tokës së djegur në Lindjen e Afërt dhe të Mesme? Jo. Por duket se bota të paktën është larguar një hap nga humnera, në buzë të së cilës qe afruar pas vrasjes së qëllimshme nga SHBA të gjeneralit iranian Soleimani.

Teherani mund të ruajë fytyrën

Sulmi me raketa duket i matur saktësisht: i madh në mënyrë që Teherani të shpëtojë fytyrën. Por nën pragun që do ta nxiste Trump të sulmonte objektivat brenda Iranit. E gjithë bota e dinte se Teherani do të reagonte në një formë në ndonjë pikë. Vrasja e Soleimanit ishte një akt lufte që udhëheqja iraniane nuk mund ta injoronte.

Në të njëjtën kohë të tërheq vëmendjen: Teherani kishte deklaruar se donte të hakmerrej vetë. Kjo gjithashtu mund të shihet si një paralajmërim për aleatët e "Boshtit të Rezistencës" në Liban, Irak dhe Jemen që të mos ndërmarrin veprime të tyre.

Matthias von Hein

Matthias von Hein

Tani që doli ca avull si nga kazani amerikan, ashtu edhe nga ai iranian, hapet një dritare për diplomacinë. Dhe bashkë me të edhe për evropianët. Ata duhet të bëjnë gjithçka që munden, për t'i nxitur të dyja palët për shtensionim ushtrarak dhe retorik.

Qëndrim në politikën e presionit maksimal?

Shkëmbimi publik i replikave mund të pasohet shumë shpejt nga ngacmime të militantëve aleatë të Teheranit ose veprime në të cilat Teherani mund të kundërshtojë besueshëm autorësinë e tij.

Kjo vlen veçanërisht po t'i përmbahen SHBA politikës së presionit maksimal. Me sanksionet e tyre, SHBA po zhvillojnë një luftë ekonomike që po e mbyt Iranin. Sa për kujtesë: ishte dalja e njëanshme e Shteteve të Bashkuara nga marrëveshja bërthamore në maj 2018 që e nisi spiralen e përshkallëzimit.