1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koemnt: Fillimi i një aleance shumë të bukur?

3 Dhjetor 2015

Me anëtarësimin e Malit të Zi në NATO bëhet aleatë një ish-kundërshtar. Por anëtarësimi në NATO nuk e modernizon shtetin, mendon Dragoslav Dedović.

https://p.dw.com/p/1HG9g
Fotografi: Reuters/J. Thys

Gjatë luftës në Kosovë, NATO kreu në vitin 1999 sulme të ashpra ajrore kundër Serbisë dhe Malit të Zi - që ishin dikur një shtet i quajtur "Republika Federale e Jugosllavisë". Në këtë luftë, Mali i Zi ishte shumë më pak objektiv i sulmeve se Serbia, që nën presidentin e saj autokratik Sllobodan Millosheviq, konsiderohej në Perëndim si problemi kryesor. Fokusi ushtarak mbi Serbinë e zemëroi asokohe ndonjë malazez, sepse trimëria ushtarake është pjesë e autoimazhit të Malit të Zi. Gjatë netëve të bombardimeve më të forta në Beograd në qytetin malazes të Nikshiqit, qe shkruar një grafit sfidues qesharak ku shkruhej: Na bombardoni dhe ne! Ne nuk kemi zgjebe!

Kohët e armiqësisë tashmë kanë marrë fund. Kryeministri malazes Milo Gjukanoviç mund të jetë shumë i lumtur se vendit të tij i vogël, i cili shtrihet në bregdetin e Adriatikut mes anëtarëve të NATO-s Kroacisë dhe Shqipërisë, i është ofruar tani anëtarësimi në NATO.

Njeriu me jelek të bardhë

Nga fundi i viteve 1990 ai u distancua fillimisht nga Sllobodan Millosheviqi, dhe pas rënies së tij edhe nga Serbia demokratike dhe e çoi Malin e Zi në vitin 2006 drejt pavarësisë. Objektivi i qartë i tij: anëtarësimi në BE dhe në NATO. Sundimi i Gjukanoviqit është prej vitesh i qëndrueshëm, por dhe i diskutueshëm: ai thuhet se është i përfshirë në shkallë të gjerë në kontrabandën e cigareve, dhe lidhjet e tij me Italinë konsiderohen të mira. Si skifter i Millosheviqit ai në fillim të luftërave jugosllave për shkëputje në vitin 1991 nxiti ideologjikisht guerilas malazezë deri në Dubrovnik të Kroacisë. Disa e quajnë atë që bëri ai në atë kohë, edhe nxitje për krime lufte. Krime lufte ndaj një vendi me të cilin Mali i Zi do të lidhet tani si partner i ardhshëm i NATO-s.

Dragoslav Dedovic
Dragoslav Dedović

Por Gjukanoviqi pohon që prej asaj kohe që i ka duart e pastra. Me ftesën për anëtarësim në NATO, ai do ta konsiderojë edhe më fort veten "si demokrat të përsosur" të Ballkanit Perëndimor dhe do ta shesë veten si të tillë. Në qoftë se në të ardhmen opozita e përçarë në Mal të Zi do të radikalizohet, kjo mund të konsiderohet si një nënprodukt i këtij vendimi. Gjëja kryesore Gjukanoviqi mban rusët larg nga deti Adriatik! Ata rusët që Gjukanoviqi disa vite më parë i priste me krahëhapur në vend dhe i quante miq tradicionalë të Malit të Zi - si pushuesit edhe njerëzit e biznesit.

Përfitime për Gjukanoviqin dhe NATO-n

Tonet mospranuese nga Moska për shkak të ambicieve të Malit të Zi për anëtarësim në NATO ka të ngjarë të jenë për Gjukanoviqin të pakëndshme politikisht sikurse protestat e opozitës agresive para parlamentit në Podgoricë. Por shpresat se do të mbetet pa u ndëshkuar edhe pas përfundimit të pushtetit të tij prej njëzet e pesë vjetësh, duket se peshojnë shumë më tepër për Gjukanoviqin.

Kurse NATO-ja mbyll një boshllëk gjeostrategjik potencial dhe siguron supremacinë në Adriatik - asgjë më shumë. Malazezët janë sigurisht ushtarë të guximshëm, por ushtarakisht ata janë të parëndësishëm. Madje edhe nëse Mali i Zi do të dërgonte në një zonë krize gjithë ushtrinë e tij - prej rreth 2.000 vetësh - kjo sigurisht nuk është vendimtare për luftën.

Anëtarësimi në NATO nuk e modernizon shtetin

A mund të jetë NATO së paku motor modernizimi? Mirë do të ishte. Pretendimi se anëtarësimi në NATO dhe lidhjet me Perëndimin e ndryshojnë konsensusin e vlerave të shteteve që pranohen anëtare, nuk ka bazë reale. Shumë përjashtime mund të përmenden menjëherë: Shqipëria, Bullgaria, por edhe anëtarët e vjetër të NATO-s Greqia dhe Turqia janë shembuj shtetesh tejet të korruptuar që drejtohen ose në mënyrë autoritare ose nga oligarkë. Dhe grushtet ushtarake të shtetit nuk i ka ndaluar ndonjëherë anëtarësimi në NATO!

Përkundrazi, NATO-ja adopton një fëmijë problematik, edhe pse aktualisht ende merr vlerësime për këtë. Departamentet e marrëdhënieve me publikun në Podgoricë dhe Bruksel po thurin tashmë suksesin e legjendës së shtetit të transformuar me sukses. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha: "Ky është fillimi i një aleance shumë të bukur." Por Mali i Zi nuk mund ta gjejë me këtë vendim në asnjë mënyrë paqen e tij të brendshme.

Ju mund të shprehni mendimin tuaj për këtë koment. Ne ge mirëpresim mendimin tuaj!