1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Europa e ka të humbur luftën

Christian Trippe
20 Janar 2019

Marrëveshja për ndalimin e raketave me rreze të mesme veprimi nuk mund të shpëtohet më. Me këtë rikthehet Lufta e Ftohtë. Për Europën kjo do të thotë jo vetëm politikisht më ftohtë, por një situatë më të rrezikshme.

https://p.dw.com/p/3BpP3
Pershing II Raketen US Mittelstreckenrakete
Pershing II - raketa amerikane me rreze të mesme veprimiFotografi: Frank Trevino/US Department of Defense

Heiko Maas nuk mund të kihet zili në këto ditë. Ministri i Jashtëm gjerman kërkon të shpëtojë mes amerikanëve dhe rusëve atë që nuk mund të shpëtohet më. Marrëveshja e ashtuquajtur, INF për ndalimin e raketave me rreze të mesme veprimi ka vdekur. Traktati i vitit 1987 ka rregulluar shkatërrimin dhe ndalimin e raketave bërthamore me rreze të mesme veprimi. Armë që u zhvilluan fillimisht nga Bashkimi Sovjetik, pastaj nga SHBA. Nëse këto armë do të ishin vënë ndonjëherë në punë, atëherë ato do ta kishin kthyer Europën në një ferr të rrezatimit atomik, por jo SHBA, sepse për shkak të distancës ato nuk do të kishin arritur tokën amerikane.

Kështu ndalimi i raketave të tilla ka qenë gjithmonë një çështje ekzitenciale për europianët. NATO i është përgjigjur kësaj gjendjeje me një „strategji të dyfishtë", kërcënim strategjik kundrejt sundimtarëve të Kremlinit. Nëse ju nuk i shkatërroni raketat tuaja SS-20, atëherë edhe ne do të prodhojmë të njëjtat armë – nga ana tjetër negociatat për një çarmatim të përgjithshëm janë gjithmonë të hapura.

Marrëveshja po jep shpirt

Kjo logjikë e forcës funksionoi. Bashkimi Sovjetik bëri kthesë dhe nënshkroi me SHBA marrëveshjen INF: Nga ana juridike vetëm dy palë janë pjesë e marrëveshjes. Kjo është e rëndësishme për të kuptuar, sepse ndërmjetësuesi, ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas e ka në këtë kuptim luftën të humbur. Marrëveshja INF i dha fund debatit shkatërrues të armatimit bërthamor dhe zierjes së emocioneve. Tani kjo marrëveshje është duke dhënë shpirt. As një defibrilator diplomatik nuk po mund ta kthejë atë në jetë.

Sepse Rusia shkel prej vitesh marrëveshjen dhe zhvillon sisteme raketash, që si pasuese e Bashkimit Sovjetik nuk lejohet t'i prodhojë. SHBA nën Donald Trump nuk mendojnë gjatë, por bëjnë menjëherë të ditur, se do të dalin nga marrëveshja. Me presionin e vendeve europiane të NATO-s është vendosur edhe një afat i fundit nga Uashingtoni: Rusia ka kohë deri më 2 Shkurt për t'i dhënë fund programeve të saj bërthamore të armatimit. Pas kësaj do të pasojë heqja dorë nga marrëveshja formalisht. „Rusia mund ta shpëtojë marrëveshjen", theksoi ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas në takim me homologun rus. Por Sergej Lavrov u kundërpërgjigj, se ai nuk ka përshtypjen se SHBA janë vërtet të interesuara për një dialog. Thënë ndryshe - kjo nuk bëhet më.

alt - bitte stattdessen 43082159 verwenden
Christian F. TrippeFotografi: DW

Sepse edhe Rusia vetë do të shpëtojë nga prangat e INF, ashtu si SHBA. Të dyja e shohin veten të konfrontuara si nga ana strategjike ashtu edhe në politikën e armatimit me rritjen e Kinës si superfuqi. Kina nga e saj nuk i nënshtrohet asnjë regjimi kontrollues për sistemet e raketave me rreze të mesme veprimi. E europianët e dinë shumë mirë se si qëndron puna e interesave. Nga ana tjetër Europa është lënë në baltë nga pikëpamja strategjike. Sepse SHBA ndryshe nga më parë nuk janë më hegjemoni shpirtmirë i perëndimit. Nën presidentin impulsiv Donald Trump, SHBA po e humbasin gjithnjë e më shumë besimin e europianëve. Aktualisht nuk ka më konsultime për të kërkuar pozicione të përbashkëta globale.

Kontinenti në një qorrsokak strategjik

E sikur të gjitha këto të mos mjaftojnë, Europa ndodhet në një krizë të vazhdueshme. Brexit paralizon britanikët por edhe BE, Franca është e trazuar në politikën e brendshme, Gjermania në pikëpamje të politikës së sigurisë shihet nga shumë në aleancë si „e sëmura" e Europës. Qeveria gjermane kërkon tani të trajtojë fort temat e armatimit dhe kërcënimet që vijnë nga lufta kibernetike dhe kërkon ta ngrejë çështjen e sistemeve të armëve autonome në shkallë ndërkombëtare. Kjo mund të lëvdohet, por në plan afatshkurtër nuk të nxjerr nga qorrsokaku strategjik, në të cilin ndodhen sërish europianët një çerekshekulli pas Luftës së Ftohtë. Ndërkohë që interesat strategjike të Europës nuk kanë ndryshuar aspak në këta dhjetëvjeçarët e fundit: Europa nuk do të jetë as fushëbetejë dhe as top loje.