Koment: Dje ende pjesë e problemit - sot pjesë e zgjidhjes | NRS-Import | DW | 27.06.2018
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

NRS-Import

Koment: Dje ende pjesë e problemit - sot pjesë e zgjidhjes

Maqedonia dhe Shqipëria marrin një premtim të qartë për bisedimet e antarësimit në BE. Më 2019 do të nisin bisedimet konkrete. BE-ja ndërmerr hapin e duhur, mendon Adelheid Feilcke.

Edhe pse pas kësaj Po-je! Ka shumë „por", lidhja e besës në BE për dy shtetet e Ballkanit është një sinjal i fortë për rajonin si edhe për BE-në: Shqipëria dhe Maqedonia janë të rëndësishme për ne, ato janë partneret dhe aleatet tona të natyrshme dhe bëjnë pjesë në familjen tonë europiane.

Ndonjëri mund të fërkojë sytë i habitur: a nuk qe vetëm tri vjet të shkuara, që në kuadër të krizës së refugjatëve erdhën në Gjermani edhe mijëra shqiptarë? Migrantë, që erdhën në Gjermani për shkak të varfërisë dhe mungesës së shpresës, për të kërkuar këtu fatin e tyre. Këtë nuk e përmend më njeri - përkundrazi: Shqipëria dhe Maqedonia konsiderohen tani partnerë të rëndësishëm në përballimin e rrymave të migrimit dhe të refugjatëve.

Përparime dhe pengesa

Çfarë ka ndodhur? Shqipëria dhe Maqedonia kanë bërë objektivisht përparime të qarta në çështjet e demokratizimit dhe të zhvillimeve, edhe përsa i përket sundimit të ligjit. Por shumë gjëra janë ende problematike. Maqedonia është zhvilluar në mënyrë shumë pozitive veçanërisht që prej ndryshimit të fundit të pushtetit dhe veçanërisht që prej zgjidhjes së mosmarrëveshjes për emrin me Greqinë është kthyer në fëmijë model në shtetet e Ballkanit Perëndimor. Të dyja vendet kanë deficite që peshojnë rëndë: veçanërisht mungesa e pavarësisë e drejtësisë si dhe lidhjet e politikës me mafian shkaktojnë shqetësime. Prandaj procesi i mëtejshëm i afrimit dhe negociatat konkrete të anëtarësimit do të ndiqen me vëmendje  të veçantë dhe do të shoqërohen.

Shqipëria dhe Maqedonia janë pjesë e gjashtë shteteve ballkanike. Këto shtete midis shteteve të BE Greqi, Bullgari dhe Kroaci janë një hapësirë e ngarkuar nga probleme të shumëllojshme historike dhe aktuale. Shtetësi të shoqëruara me probleme, me komponente politike dhe etnike ngërthejnë deri sot potencialin e konflikteve të dhunshme. Tani përqafimi miqësor përmes Bashkimit Evropian duhet t'i çojë gradualisht këto vende në rritje ekonomike dhe të ndihmojë për të pakësuar tensionet rajonale. Pas Serbisë dhe Malit të Zi tani janë afruar edhe Shqipëria dhe Maqedonia një hap më pranë Bashkimit Evropian. Ish-protektoratet Kosovë dhe Bosnjë-Hercegovinë mbeten përkundrazi pengje të shtetësisë së tyre me probleme dhe me siguri do të qendrojnë për një kohë të gjatë para derës së BE!

Integrim përpara se ta bëjë këtë Rusia dhe Kina

Gjendja në Ballkanin Perëndimor është e koklavitur. E megjithatë të gjitha vendet dhe popullsitë janë të orientuara në drejtim të BE. Megjithatë ka frikëra - të justifikuara - që vendet e Ballkanit Perëndimor do të lodhen me Evropën dhe ndoshta do të orientohen më fort tek Kina, Rusia ose Turqia. Edhe kjo arsye përse sinjali i BE - ju bëni pjesë në Evropë dhe ne angazhohemi për ju! - nuk duhet nënvleftësuar.

Por e gjitha kjo del në plan të dytë përballë një interesi që e lidh BE dhe të dyja këto vende: çështja e sigurisë evropiane dhe kontrolli i kufijve dhe i rrymave të refugjatëve. Sepse të gjitha aspektet e tjera janë tashmë të njohura prej kohësh dhe megjithatë nuk e përshpejtuan procesin e integrimit. Kurse tani megjithatë këto vende janë zhvendosur në qendër të vëmendjes në lidhje me diskutimin për izolimin e Evropës ndaj migrantëve dhe me sigurimin e kufijve: sepse ato ofrojnë diçka që mund ta shpëtonte BE nga situata e koklavitur e vetëshkaktuar: para dyerve të BE dhe megjithatë jashtë hapësirës së Shengenit dhe të Dublinit mund të zbatohet ndonjë ide për kontrolle të ndërmjetme dhe për të ashtuquajtura "qendra ankorimi (qendra pranimi, vendimi dhe riatdhesimi)".

Vetëm të dobishëm, por jo të mirëseardhur?

Është cinike dhe njëkohësisht paradoksale: Shqipëria dhe Maqedonia janë veçanërisht tërheqëse, sepse nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian, por kanë qindra kilometra kufij të përbashkët me shtetet e BE. Kjo mund të kthehet në një situatë win-win (ku të fitojnë të dyja palët): BE shpëton nga dilema e kufizimeve të vetëkrijuara në pranimin dhe shpërndarjen e refugjatëve, po t'i integrojë në mënyrë aktive këto vende në konceptet e sigurisë të izolimit dhe të kontrollit. Megjithëse kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e refuzoi sot në mënyrë kategorike ngritjen e kampeve të refugjatëve në vendin e tij, në çështjet e sigurimit dhe të migrimit ka shumë çështje akute, të cilat BE dhe Shqipëria mund t'i zgjidhin më mirë së bashku.

Maqedonia dhe Shqipëria janë pjesë e komunitetit evropian të lidhur në mënyrë vendimtare. Ky përfundim ka mbërritur ndërkohë edhe kryeqytetet e BE. Pranimi në NATO i Maqedonisë do të jetë hapi pasues konsekuent. Evropa po i mbyll krahët e hapur përballë vazhdimit të presionit të refugjatëve. Ish shtetet problematike Maqedoni dhe Shqipëri bëhen pjesë të zgjidhjes.