Koment: Demokraci e gjallë | Gjermania | DW | 19.09.2016
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Koment: Demokraci e gjallë

Konkurrenca gjallëron biznesin. Ajo që vlen për ekonominë, vlen edhe për politikën. Ndaj Marcel Fürstenau e përshëndet rezultatin e zgjedhjeve për senatin në Berlin.

Gjashtë parti do të jenë të përfaqësuara në parlamentin e landit të kryeqytetit gjerman pas zgjedhjeve të së dielës. Asnjëra prej tyre nuk ka marrë as një të katërtën e votave. Ndaj tani ka marrë fund edhe në Berlin koha e aleancave tradicionale dyshe, siç ka ndodhur prej dekadash në kryeqytet. Krijimi i qeverisë do të jetë kësisoj i ndërlikuar, sepse në koalicion duhen tri parti. Ky mund të jetë, ndonëse jo detyrimisht, një avantazh. Natyrisht në vështrim të parë është më e lehtë, të vendosësh kompromise politike në duet. Në një rast të tillë kjo presupozon vetëm që të peshohet cili do të jetë partneri i koalcionit, të negociohet dhe në fund të arrihet në një marrëveshje koalicioni.

Që një trio mund të kombinojë mirë, për këtë ka mjaft shembuj të kohëve të fundit në Gjermani. Në Tyringji qeveris qysh prej dy vjetësh pa asnjë problem një koalicion mes socialdemokratëve (SPD), të majtëve dhe ekologjistëve nën drejtimin e partisë "E Majta" (!). Në Saksoni-Anhalt që nga pranvera janë në koalicion kristiandemokratët (CDU), socialdemokratët dhe ekologjistët. Në Renani-Pfalc pavarësisht nga apelet pesimiste ndërkohë ecën mjaft mirë koalicioni mes socialdemokratëve, ekologjistëve dhe liberalëve. E tani vjen edhe koalicioni tresh në Berlin socialdemokrat, të majtët dhe ekologjistët nën drejtimin e SPD-së.

Vrulli drejt politikës së qendrës hasi në një qorrsokak

Kush e kupton politikën si përpjekje për idetë dhe konceptet më të mira, tani vetëm mund ta përshëndesë këtë fleksibilitet të ri të sovranit votues. Nisur nga shumëllojshmëria e re në parlment nga njera anë dhe rritja e pjesëmarrjes në zgjedhje nga ana tjetër duket se tashmë i ka ardhur fundi veljes së shumëpërfolur nga politika, në kuptimin, e largimit gjithnjë e më shumë të të painteresuarve nga politika dhe partitë.

Fuerstenau Marcel Kommentarbild App

Marcel Fürstenau

Që tendenca e pakënaqësisë në radhë të parë ka të bëjë me partitë dikur të fuqishme CDU dhe SPD, kjo s'ka diskutim. Humbjet e tyre natyrisht mund të shpjegohen me forcimin e partisë së re Alternativa për Gjermaninë (AfD). Pa temën e madhe të refugjatëve populistët e djathtë nuk do të ishin kurrësei kaq të fortë. Nga ky fakt mundet dhe duhet tani të nxjerrin mësime të tjerët. Kjo vlen krysisht për CDU-në, SPD-në dhe për të Gjelbërit. Vrulli i tyre që vërehet prej vitesh për të kapur qendrën ka bërë që në sytë e shumë zgjedhësve (potencialë) ato të duken gjithnjë e më të ngjashme.

Ka qenë dhe është partia liberale (FDP), prej së cilës vazhdimisht dëgjohej ankesa për një çorbë programatike të unifikuar. Dilema e saj kishte të bënte me faktin, se ajo vet prej kohësh nuk ofronte ndonjë model alternativë bindës. Për këtë arsye më 2013 ajo u ndëshkua duke mos marrë votat për t'u përfaqësuar në Bundestag. Në të njëjtin vit - e kjo nuk ishte rastësi - u themelua AfD. Deri më tani kjo parti ka mësyrë në dhjetë parlamente landesh. E të tjera do të pasojnë. Atje ku fiton AfD-ja, tkurren kryesisht partitë popullore CDU dhe SPD.

Reflektimi për thelbin e profilit partiak

Të dyja këto parti mund të mësojnë tani nga FDP-ja e riforcuar, e cila e ka nxjerrë mësimin e duhur duke e forcuar profilin. CDU-ja duhet sërish të reflektojë më shumë ndaj vlerave të saj konservatore dhe SPD-ja ndaj atyre sociale. Në ekonomi do të flitej për thelbin e markës. Kjo herë e më pak e herë më shumë mund të kopjohet nga konkurrentët në mënyrë serioze.

Ndryshe qendron puna me AfD-në. Kjo parti pa asnjë traditë mund të përfitonte prej boshllëkut të krijuar prej CDU-së. Këtë ajo e bën fuqimisht dhe duke i thyer tabutë në mënyrë të kalkuluar. Kësisoj ajo mbledh pa asnjë problem edhe atë potencial elektroal, që prej kohësh ka hequr dorë nga votimet. Ndërsa partive të etabluara prej kohësh u duhet të pranojnë me habi, se rigjetja e kënaqësisë për të votuar, po forcon AfD-në.

Pjesëmarrja e lartë në votime forcon ekstremet

Dikur thuhej gjithmonë, se me një pjesëmarrje të lartë në votime partitë në skajet e djathtë e të majtë nuk kanë shans të forcohen. Kjo vlente në kohët, kur partitë e etabluara i kishin të sigurta votat nga elektorati tradicional i tyre. Por gatishmëria për të vendosur për një ofertë tjetër po rritet prej vitesh. Kjo tendencë po pasqyrohet edhe në skenën politke, ndërkohë që në shoqëri prej kohësh është kthyer në realitet. Shumë kthehen tek produkti i tyre i preferuar dikur, nëse cilësia e të njëjtit produkt të konkurrencës le për të dëshiruar. Rilindja e FDP-së është një dëshmi për këtë.

Tek AfD-ja në të kundërt pavarësisht sukseseve befasuese të saj, mbetet të mësohet, nëse ajo do t'u përmbahet vlerave të saj. Ka shumë shenja, që tek pjesa më e madhe e klientelës politike ajo fiton pikë kryesisht prej formës. Në përmbajtje ajo është e çalë, kjo po duket qysh tani. Këtë zgjedhësit e dallojnë më shpejtë në qarqet tolerante të qyteteve të mëdha dhe në zonat urbane se sa në zonat rurale. Në Saksoni - Anlaht dhe në Meklenburg - Pomerani AfD-ja ka arritur në vendin e dytë në klasifikimin e partive. Ndërsa në Berlin ajo zë vendin e pestë.