1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kolbow: Maqedonia duhet të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën

29 Maj 2009

Intervistë me deputetin e Partisë Socialdemokrate në Bundestag Walter Kolbow.

https://p.dw.com/p/I06a
Walter KolbowFotografi: picture-alliance/ dpa

DW: Zoti Kolbow, ju ishit para pak kohësh në Shqipëri. Si i vlerësoni marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve?

Kolbow: Marrëdhëniet bilaterale mes Shqipërisë dhe Gjermanisë janë të mira. Disa javë më parë Berisha ishte në Gjermani, po ashtu edhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili gjithashtu ishte këtu. Ne e bëmë të qartë, që ne si parlamentarë jemi të interesuar në intensifikimin e marrëdhënieve dhe që Bundestagu i ardhshëm mbas zgjedhjeve parlamentare në shtator 2009 do të marrë iniciativën për krijimin e një grupi parlamentar gjermano-shqiptar.

DW: Çfarë shpresoni prej tij?

Kolbow: Shqipëria ka bërë përparime të mëdha. Ajo është në NATO dhe sipas mendimit tonë, ashtu si edhe vende të tjera të Evropës Juglindore, ndodhet përpara portës së Bashkimit Evropian. Do të jetë me rëndësi që të gjendet një datë për fillimin e negociatave për anëtarësim. Liberalizimi i vizave është tani në axhendën e Bashkimit Evropian. Prandaj në përgjithësi Shqipëria është në formë të mirë.

DW: Kur dëgjon kancelaren Merkel të flasë për zgjerimin e BE-së, të krijohet përshtypja se kjo datë do të jetë shumë e largët.

Kolbow: Kjo ka të bëjë me faktin, që ne tani jemi në fushatë elektorale për parlamentin evropian. Ka shumë njerëz nëpër vendet e BE-së që janë për thellim, dhe jo zgjerim, të BE-së. Por unë mendoj se për Evropën Juglindore perspektiva është e domosdoshme. Kjo nuk vlen vetëm për Shqipërinë, por edhe për Maqedoninë, Kosovën, Serbinë, Malin e Zi, si dhe Bosnjën.

DW: Si mund të realizohet perspektiva evropiane e rajonit, kur dy shtete vazhdojnë të mos e njohin Kosovën?

Kolbow: Ato duhet të flasin me njëra-tjetrën. Bashkimi Evropian është një bashkësi e paqes dhe e mirëqenies. Mirëqenie arrihet vetëm, kur nuk ka luftë dhe armiqësi. Në rrugën drejt një Evrope sociale nacionalizmat duhet të dalin në plan të dytë. Kjo vlen sidomos për serbët, të cilët duhet ta kuptojnë që Kosova është e pavarur dhe që edhe ajo ka të drejtë të vijë në Evropë. Evropa pa Kosovën nuk mund të ketë, prandaj edhe Serbia nuk mund të hyjë në BE pa e njohur Kosovën.

DW: Gjatë vizitës suaj në Evropën Juglindore ju ishit edhe në Maqedoni. Cili është mendimi juaj për mosmarrëveshjet e kohëve të fundit mes Maqedonisë dhe Kosovës?

Kolbow: Ne folëm për këtë çështje dhe për faktin që president Sejdiu nuk ishte ftuar në inaugurimin e postit të presidentit Ivanov. Kjo ishte e gabuar. Maqedonasit duhet të marrin vendimet e duhura në kuadrin e përpjekjeve të tyre për të ruajtur ekuilibrin mes Kosovës dhe Serbisë. Ata e kanë njohur Kosovën dhe tani duhet të këmbehen ambasadorët. Në këtë mënyrë do të vendoset normaliteti mes dy vendeve dhe nuk do të kenë nevojë të marrin në konsideratë se ç'mendon Serbia.

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Angjelina Verbica