1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kohë shumë e rëndë për gastronominë dhe hotelierinë

16 Nëntor 2020

Gastronomia është përsëri në Corona-Lockdown. Fillimisht për katër javë. Ka ndihmë financiare dhe mund të shesësh edhe jashtë restoranit. Por a mjafton kjo?

https://p.dw.com/p/3lJcj
Deutschland Berlin Reportage Kinkartz - Kurpfalz-Weinstuben
Fotografi: Sabine Kinkartz/DW

"Tri menu me mish pate, një vegjetarian", thërret Vincenzo Berényi dhe fuqishëm i futet punës në përgatitjen e porosisë së klientit. Shefi i "Kurpfalz-Weinstuben" qëndron me disa punonjës në restorantin e tij në Berlin-Charlottenburg dhe përgatit 130 porosi për marrje me vete.

Një menu e veçantë për ditën e Shën Martinit. Por ajo që rregullohet dhe shërbehet në mënyrë dekorative në një pjatë, tani futet në kuti në këtë kohë të Corona-Lockdown dhe atë në porcione më të vogla.

Të mbetesh në kujtimin e mysafirëve

Që nga fillimi i nëntorit, e gjithë rehatia e gastronomisë sërish u trondit. Tavolinat e rënda prej druri janë larguar mënjanë, karriget janë grumbulluar në një qoshe. Një mal me kuti kartoni bosh grumbullohet përpara tij. "Na u desh të mbylleshim për dy muaj në pranverë, kështu që edhe asokohe kishim shitje jashtë restorantit, e herë pas here kishte porosi të mëdha", kujton pronari Berényi.

Pas një ore, kutitë mbushen, duke përfshirë udhëzime të sakta për ngrohjen dhe shërbimin. "Ju lutemi të lexoni me kujdes këto udhëzime, para se të filloni!" Ngrënia në shtëpi me siguri që nuk do ta mbajë të gjallë kujtimin e restorantit. "Ka 8.000 bare në Berlin, kështu që mund të harroheni shpejt," thotë Berényi.

Një menu me mish pate kushton 29.90 euro. "Një çmim i favorshëm", thotë pronari i restorantit, nëse merret parasysh koha e përgatitjes. "Por kjo nuk ka të bëjë me fitimin e parave. Tani është me rëndësi të jesh prezent dhe të mbijetosh."

Deutschland Berlin Reportage Kinkartz - Kurpfalz-Weinstuben
Fotografi: Sabine Kinkartz/DW

Puna me orar të shkurtuar dhe ndihmat financiare

Restoranti ka gjashtë punonjës të përhershëm dhe shtatë punëtorë të përkohshëm. Tani punohet vetëm me orë. Berényi ka lajmëruar se do të punohet me orar të shkurtuar, që do të thotë se shteti paguan 60 përqind të pagave për momentin. E shitjet jashtë restorantit shërbejnë si burim shtesë për të mbijetuar. Restorantet lejohen të mbajnë këto para, duke mos llogaritur edhe ato që vijnë si ndihma të shtetit.

Ministri federal i Financave dhe ministri i Ekonomisë kanë premtuar dhjetë miliardë euro për kompanitë e prekura drejtpërdrejt nga bllokimi. Kompanitë e vogla duhet të marrin 75 përqind të xhiros mesatare nga nëntori i vitit 2019, pra nga viti i kaluar. Për momentin askush nuk mund të fitojë, por me rëndësi është të mbijetosh.

Çdo e gjashta sipërmarrje cënohet nga falimentimi

Por për ndihma duhet kohë, ato mund të kërkohen në fund të muajit dhe ate përmes këshilltarëve për taksa apo avokatëve. Shumë prej të prekurve e konsiderojnë këtë procedurë tepër të komplikuar dhe shumë burokratike. Bujari Berényi është gjithashtu i zemëruar. "Kush e di nëse paratë do të vijnë," thotë ai. "Ndonjëherë kemi ndjenjën se kemi një klasë nxënësish që nuk dinë të lexojnë dhe të shkruajnë", kështu gjykon ai për menaxhimin e krizave nga ana e politikanëve, të cilët tani dëshirojnë t'i ndryshojnë gjërat nga fundi i nëntorit.

Paratë janë të nevojshme urgjentisht në shumicën e ndërmarrjeve, sepse nëntë muaj pas fillimit të pandemisë së Coronës, rezervat janë konsumuar në shumë vende dhe kompanitë janë dobësuar ekonomikisht. Sipas një sondazhi nga Shoqata Gjermane e Hoteleve dhe Restoranteve (Dehoga), 71 përqind e restoranteve aktualisht janë buzë ekzistencës. Çdo i gjashti biznes kërcënohet nga falimentimi.

Edhe sektorët e tjerë të rrezikuar

Deutschland Berlin Reportage Kinkartz - Kurpfalz-Weinstuben
Fotografi: Sabine Kinkartz/DW

Thomas Lengfelder, Drejtor i përgjithshëm në Dehoga Berlin, është edhe më i shqetësuar për industrinë e hotelerisë sesa për restorantet. Më shumë se 90 përqind e dhomave në kryeqytet janë aktualisht bosh. Përveç kësaj, ka humbje të mëdha për shkak të banketeve dhe festave të dështuara, të cilat zakonisht janë një biznes i mirë për hotelet në dimër. Nga bllokimi i parë në mars e deri më tani, sektori i hotelierisë ka pësuar një rënie mesatare të shitjeve prej 75 përqind.

Atje ku hotelet janë bosh dhe restorantet e mbyllura, edhe industritë e tjera vuajnë. Për shembull, lavanderitë që zakonisht punojnë për hotelet ose shoferët e taksive. Gjendje alarmi mbretëron edhe tek shitësit me pakicë, të cilët kanë humbur shumë klientë.

Krishtlindjet si zakonisht?

Në baret e verës Kurpfalz, biznesi nuk po shkonte mirë as para bllokimit. "Në tetor nuk kishim as 40 përqind të shitjeve, krahasuar me këtë kohë në 2019," thotë Vincenzo Berényi. "Na mungojnë turistët". Për më tepër, për shkak të numrit të rritur të të infektuarve, mysafirët u shmangen objekteve të mbyllura. Asgjë nuk është si përpara.

Me shqetësim pritet edhe dhjetori dhe koha e Krishtlindjeve. Normalisht në këto kohëra ka shumë shitje. Por frika është e madhe që gjërat do të shkojnë krejt ndryshe dhe se njerëzit nuk do të dalin në restorante apo sheshe. E njëjta gjë vlen edhe për hotelet dhe shumë degë të tjera të ekonomisë.