1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kohë më e gjatë pune si zgjidhje për gjithçka?

Karl Zawadzky29 Mars 2004

Kërkohet fleksibilitet dhe jo zgjatje e kohës së punës.

https://p.dw.com/p/Ar75
Kryetari i Shoqatës së Sindikatave Gjermane Mihael Zomer
Kryetari i Shoqatës së Sindikatave Gjermane Mihael ZomerFotografi: AP

Sindikatat duan të kundërshtojnë në rast nevoja me greva zgjatjen e planifikuar të javës së punës në shërbimin publik. "Nëse është e nevojshme do të luftojmë për këtë" është shprehur të dielën në mbrëmje në kanalin e dytë gjerman ZDF, presidenti i shoqatës së sindikatave gjermane, Mihael Zomer. Nuk është e mundur që të jenë gjithmonë punonjësit e shërbimit publik ata që duhet të përmirësojnë gjendjen e arkave të shtetit, tha Zomer. Kryeministrat e landeve në Gjermani vendosën të enjten e kaluar të anullonin kontratat e kohës së punës për të punësuarit në shërbimin publik në pjesën perëndimore të Gjermanisë. Qëllimi është rritja e kohës së punës nga 38,5 në 40 orë në javë. Kryeministri i Bavarisë Edmund Shtojber i partisë kristian sociale ka kërkuar madje një javë pune prej 42 orësh. Shërbimi publik mund të bëhet kështu shembull për ekonominë është shprehur ai.

Për shumë vjet me rradhë në Gjermani koha e punës është shkurtuar vazhdimisht. P.sh. në industrinë elektro-metallurgjike e cila me tre milionë të punësuar përbën degën më të madhe të ekonomisë në Gjermani, në pjesën perëndimore të vendit është në fuqi që prej një dekade java 35 orëshe e punës. Por drejtimi po ndryshon. Për nëpunësit civilë është futur ndërkohë përsëri java 40-orëshe dhe tani edhe punëtorët dhe të punësuarit e tjerë të federatës, landeve apo komunave do të punojnë tetë orë e gjysmë më shumë në javë. Kryeministrat e landeve në një unison të pazakontë kanë shpallur kontratën përkatëse të punës për këtë. Krerët e partive opozitare kristian-demokrate dhe kristian-sociale shohin këtu një sinjal edhe për ekonominë private.

Kanë ardhur kohë të vështira për ekonominë gjermane dhe nuk është e vështirë të parashikosh se ato do të vështirësohen edhe më tej për shkak të zgjerimit të globalizimit. Duhet ruajtur aftësia konkurruese në plan ndërkombëtar pra duhen përveshur mëngët për të punuar më shumë dhe jo vetëm më intensivisht por edhe më gjatë. Të gjitha këto pa kompensime në rroga e paga, pra më shumë punë e cila nuk do të paguhet. Sindikatat shohin këtu një shpallje lufte dhe do të kundërshtojnë zgjatjen e kohës së punës në rast nevoje edhe me greva. Ky është stadi aktual i diskutimit. Por fatkeqësisht debati përsëri po lë mënjanë thelbin e çështjes. Kjo është për të ardhur keq pasi zgjidhjet e parafabrikuara pak ndihmojnë në rutinën e përditshme. P.sh. qëndrimi më i gjatë në punë i punonjësve në shërbimin publik nuk do të thotë aspak që në zyrat publike do të punohet më shumë. Dhe zgjatja e kohës së punës nuk do të çojë aspak në shkurtimin e rreth 100.000 vendeve të punës të cilit i trembet shoqata e sindikatave.
Në ekonominë private prodhimi është i lidhur në mënyrë shumë më direkte me kohën e punës. Por aty nga punëdhënësit nuk kërkohet një rritje përgjithshme e kohës së punës por më shumë fleksibilitet. Fakt është që shkurtimi i përgjithshëm i kohës së punës në 35 orë në javë ka rezultuar rrugë e gabuar. Kështu puna është bërë jo vetëm më e paktë por edhe më e shtrenjtë. Fillimisht firmat reaguan me racionalizim dhe automatizim të prodhimit, më pas me transferimin e prodhimit që kërkon punë intensive në vende me krah të lirë pune. Si rezultat është shtuar stresi në punë dhe vetë puna është pakësuar ndjeshëm në Gjermani. Shkurtimi i kohës së punës nuk e ka penguar aspak shtimin e papunësisë përkundrazi ka shërbyer si nxitës për automatizimin e punës dhe transferimin e saj jashtë vendit. Në shumë proçese prodhimi si p.sh. në prodhimin në seri ky ndryshim nuk mund të kthehet më mbrapsht, madje as me zgjatje të kohës së punës pa pagesë. Në sektorin e shërbimit publik orët pa pagesë jashtë orarit janë prej kohësh të zakonshme. Ky nuk është modeli që duhet synuar për të ardhmen. E nevojshme është diçka krejt tjetër, e pikërisht një masë më e madhe fleksibiliteti në kohën e punës. E nevojshme është një "fabrikë që merr frymë". Kur numri i porosive është i madh duhet punuar më shumë, në kohë krize kjo kohë e zgjatur pune mund të kompensohet me më shumë kohë të lirë. Koha e punës duhet të jetë rezultat i volumit të porosive. Të tilla modele të kohës së punës që praktikohen ndërkohë në shumë firma janë modelet e së ardhmes.