1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koenigs: Kosova duhet të mbrojë të drejtat e pakicave

Aida Cama16 Shkurt 2010

Kryetari i komisionit parlamentar për të drejtat e njeriut në Gjermani, Tom Koenigs, i bën thirrje Kosovës të respektojë pakicat dhe kritikon Gjermaninë që lejon kthimin e detyrueshëm të romëve.

https://p.dw.com/p/M2fD
Kryetari i komisionit parlamentar për të drejtat e njeriut në Gjermani, Tom Koenigs.
Tom Koenigs, kryetari i komisionit parlamentar për të drejtat e njeriut në Gjermani.Fotografi: dpa - Bildfunk

Deutsche Welle: Zoti Koengis, paraardhësja juaj, Hertha Däubler-Gmelin, e pat trajtuar disa herë çështjen e Kosovës në parlamentin gjerman, Bundestag. Jeni marrë ju me këtë çështje?

Tom Koenigs : Deri tani Kosova nuk ka qenë në rendin e ditës së komisionit, por problemet me të drejtat e njeriut në Kosovë janë të shumta. Njëri është diskriminimi i pakicave. Ai nuk ka pësuar përmirësim, por edhe as keqësim me ardhjen e pavarësisë. Një fushë që i irriton jashtë mase mbrojtësit e të drejtave të njeriut këtu në Gjermani është çështja e romëve, të cilët në Kosovë nuk kanë asnjë shans për zhvillim ekonomik, politik ose kulturor. Refugjatë që jetojnë në Gjermani kthehen me detyrim në Kosovë, çka e konsideroj shumë problematike. Në se marrim parasysh, që një ditë do të rrëzohen kufijtë në Evropë atëherë nuk ka përse të dëbohet askush. Por problematik është edhe fakti që Kosova e re nuk merret vetë me çështjen e pakicave.

Deutsche Welle: Shumica e romëve jetojnë në ato zona ku mundësia e veprimit të qeverisë së Kosovës është e kufizuar. A nuk është përgjegjëse për këtë gjendje më shumë bashkësia ndërkombëtare?

Tom Koenigs: Është përgjegjësia e një shteti që t'u japë të drejta të barabarta të gjithë qytetarëve dhe këtu bëjnë pjesë edhe të drejtat e pakicave. Kjo është detyrë e shtetit të ri të Kosovës. Në se qeveria e Kosovës përpiqet ta largojë këtë përgjegjësi nga vetja e të thotë se për këtë është përgjegjëse UNMIK-u, atëherë kjo nuk është dëshmi për sovranitet.

Deutsche Welle: A nuk është ky një proces i dyanshëm ku edhe pakicat duhet të tregojnë gatishmëri për integrim?

Tom Koenigs: Serbët në enklava duhet të pavarësohen nga mbështetja e Beogradit dhe të jenë në gjendje të jetojnë nga ekonomia e tyre. Kjo nuk arrihet nëpër enklava. Por edhe institucionet e Kosovës deri tani nuk kanë qenë shumë të forta për t'i mbrojtur pakicat. Kjo është e nevojshme në rast se Kosova dëshiron të hyjë në Bashkimin Evropian, sepse para së gjithash një element thelbësor i identitetit evropian është konventa e të drejtave të njeriut dhe angazhimi i aktiv për respektimin e saj.

Shënim: Tom Koenigs është lindur në vitin 1944 dhe është një nga themeluesit e partisë së gjelbër (Gruene). Në vitet 1999-2002 ai ishte nënkryetar i UNMIK-ut. Që nga shtatori 2009 ai është deputet në Bundestag dhe kryetar i komisionit për të drejtat e njeriut.

Intervistën e zhvilloi Anila Shuka

Redaktoi : Aida Cama