1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kodi i BE për vizat Schengen krijon nje bazë të re ligjore për zbatimin rigoroz të marrëveshjes së lehtësimit të vizave

12 Prill 2010

Gazmend Turdiu, Sekretar i Pergjithshëm në Ministrinë e Jashtme, thotë se ky kod për herë të parë mundëson të drejtën e qytetarit për transparencë në rastet e refuzimit të kërkesës për vizë Schengen.

https://p.dw.com/p/Mtel
Fotografi: picture-alliance/ dpa

Çdo ditë, nga e hëna deri të premten, para selive të ambasadave të vendeve të BE në Tiranë, qytetarët presin në rradhë të aplikojnë për një vizë Schengen. Disa aplikojnë për herë të parë, të tjerë për të disatën, por ka edhe nga ata, që edhe pse viza u është refuzuar, presin të aplikojnë përsëri.

Një mesogrua, që qëndron në rradhë para ndërtesës së ambasadës italiane në Tiranë, më tregon përvojën e saj: “Jam nga Fieri, banoj në Tiranë. Kam marrë katër herë vizë Schengen që nga 2004. Kjo është e pesta. Nuk kam patur asnjë problem. Por di që ka persona, të cilët i kanë patur dokumentat njëlloj si unë, por... viza u është refuzuar. Dhe nuk e dinë arësyen. Dokumentat, që kanë futur, nuk u kthehen, i arshivon ambasada.” thotë ajo.

Një vajzë e re, rreth të 25-ve, ka një përvojë të tillë negative.

Kam aplikuar para dy vitesh. Prita dy muaj, viza m'u refuzua pa më thënë asnjë arsye, pa më dhënë asnjë shpjegim. Për më tepër nuk më kthyen as paratë… i kisha në rregull të gjitha dokumentat, që kërkoheshin dhe nuk e mora vizën. Më vjen shumë keq,” ankohet ajo.

Probleme në zbatimin e marrëveshjes së lehtësimit të vizave Shqipëri – BE

Albanien Gledis Gjipali Europäische Bewegung
Gledis Gjipali, drejtor i Lëvizjes Europiane në ShqipëriFotografi: DW

Kjo keqardhje duket se lidhet me mosrealizimin e pritshmërive të saj nga hyrja në fuqi që prej një viti e gjysëm e marrëveshjes së lehtësimit të vizave Shqipëri -BE. Kjo marrëveshje parashikon procedura të thjeshtuara, shpejtësi, që shmangin rradhën dhe një shërbim të orientuar nga plotësimi i nevojave të qytetarëve. Gledis Gjipali, drejtor i Lëvizjes Europiane në Shqipëri, një organizatë e njohur kjo e shoqërisë civile, që merret me problematikën e integrimit europian, mendon se procedurat e kesaj marrëveshjeje nuk jane zbatuar në mënyrë të unifikuar nga të gjitha zyrat konsullore të ambasadave të BE në Tiranë. Ai thekson se Komisioni Europian nuk mund t'i detyrojë vendet anëtare për ta bërë këtë.

Në rastin e marrëveshjes së lehtësimit të vizave, Komisioni Europian e nënshkroi atë me vendet e Ballkanit Perëndimor. Vendet anëtare ranë dakort të zbatojnë këtë angazhim të marrë nga KE, por jo me një vendim ligjor. Pra, në një farë mënyre, mungesa e një vendimi juridik, u linte atyre hapësirë të vazhdonin të aplikonin procedurat e tyre nacionale dhe jo ato të parashikuara në marrëveshjet e lehtësimit të vizave.” thotë Gledis Gjipali.

Kodi i ri i BE për vizat- bazë ligjore për ndryshim pozitiv të situatës

Por Kodi i ri i BE për vizat Schengen, që hyri në fuqi më 5 Prill, do të ndryshojë për mirë situatën në nivel global, pra edhe për qytetarët e Shqipërisë. Ky kod mbështetet tani në një vendim ligjor të Këshillit Europian të BE. Ai synon koordinimin, njësimin dhe lehtësimin e procedurave të aplikantëve nga gjithë bota për vizën Schengen. Gazmend Turdiu, Sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme thotë se në raport me këtë Kod, Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor ndodhen në një pozicion më të favorshëm, pasi kane nënnshkruar marrëveshjen e lehtësimit të vizave me BE.

Albanien Generalsekretär im Außenministerium Gazmend Turdiu
Gazmend Turdiu, Sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të JashtmeFotografi: DW

“Këtu kam parasysh afatet e dhënies së përgjigjes: nëse në Kodin e sapohyrë në fuqi ky afat është dy javë, ne e kemi 10 ditë, kostoja është 60.00 euro, ne e kemi 35.00, për fëmijët 12.00 euro, për studentët, pensionistët dhe kategori të tjera është falas. Shqipëria nuk është një vend çfarëdo i botës, por një vend, që është në një process afrimi me BE dhe që ka një perspektivë të qartë europiane.”

Hyrja në fuqi e Kodit të vizave do të bëjë të mundur zbatimin më të mire se deri më tani të marrëveshjes së lehtësimit të vizave Shqipëri-BE, pasi procedurat e tij tanimë nuk janë fakultative, por të detyrueshme për t' u zbatuar nga të gjitha zyrat konsullore të ambasadave të BE.

E drejta e informimit dhe e ankimit.

Kodi i BE per vizen Schenghen, i sapohyre ne fuqi, përmban edhe elementë të rëndësishem nga perspektiva e qytetarit, që marrëveshja e lehtësimit të vizave nuk i ka.

Kjo është e drejta e qytetarit për t'u informuar për arsyen e saktë të refuzimit të kërkesës për vizë Schengen dhe njëherazi për t' u ankuar. Kjo për rastet kur qytetari mendon se në refuzimin e zyrës konsullore ka subjektivizëm dhe vendimi i marrë është i gabuar. E drejta e informimit dhe ankimimit është tani një e drejtë e formalizuar, ndërsa më parë ishte në dorën e sejcilës ambasadë për ta bërë, ose jo transparencën.” thotë Gazmend Turdiu.

Një vit pas hyrjes në fuqi të kodit të ri të vizave, më Prill 2011, qytetarët në të gjithë botën, që aplikojnë për një vizë Schenghen, do të gëzojnë një të drejtë më shumë: atë të ndjekjes në rrugë juridike të refuzimit të kërkesës se tyre. Shqipëria shpreson që të realizojë brenda këtij viti liberalizimin e vizave me BE.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Angjelina Verbica