1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koalicioni qeveritar dhe Joschka Fischer-i

Auron Dodi21 Shtator 2005

Komentatorët e shtypit gjerman të së mërkurës vëmendjen më të madhe e kanë përqendruar tek situata pas zgjedhjeve parlamentare në Gjermani.

https://p.dw.com/p/Arti
Duke lexuar gazetat
Duke lexuar gazetatFotografi: dpa

Në gazetën SÜDDEUTSCHE ZEITUNG që botohet në Mynih ndër të tjera lexojmë:

"Zgjedhësit nuk zgjodhën as koalicionin midis socialdemokratëve dhe Të Gjelbërve, dhe as koalicionin unionist -liberal. Nga njëra anë ata forcuan liberalët e FDP-së dhe nga ana tjetër, edhe nëse këtë nuk e thotë askush hapur, ata votuan me shumicë për forcat më tepër të majta: për socialdemokratët, Të Gjelbrit, Partinë e Majtë. Kjo është një e majtë shumë e dëshpëruar, pranohet. Por është shumica. Nga kjo nuk duhet nxjerrë përfundime, por ajo duhet marrë në konsideratë. Edhe po të mos e bësh këtë, Gjermania nuk bëhet as atëherë e pamundur për t'u qeverisur; ajo bëhet e pamundur për t'u qeverisu,r kur politikanët kryesorë ngulin këmbë në kokëfortësinë e tyre."

I të njëjtit mendim është edhe komentatori i gazetës së Këlnit KÖLNER STADT-ANZEIGER:

"Po të kesh parasysh, se në Gjermani aktualisht ndeshemi me një lëvizje politike që ka marrë fuqi, dhe që paraqitet si socialiste, e kaluara e së cilës të çon drejtpërdrejt tek komunizmi, tani mund të prisje që partitë tradicionale të përpiqen me kujdes dhe në bashkëpunim me njëra-tjetrën për ndarjen e roleve. Dhe është për t'u turpëruar që po ndodh e kundërta."

RHEIN NECKAR ZEITUNG që botohet në Hajdelberg mendon për rezultatin e zgjedhjeve:

"Rezultati i zgjedhjeve nuk konfirmoi në post as kancelarin Schröder, as e pajisi Angela Merkelin me një detyrë të qartë. Në të njëjtën kohë ai nuk e ka bërë vendin të paqeverisshëm. Të vetmit, të cilat me sa duket po i stërmundon rezultati janë partitë. Që ato e kanë të vështirë të zgjedhin përtej skemës tradicionale të aleancave, është tregues i faktit se problemet strukturore të këtij vendi të ngurtësuar, pasqyrohen edhe në strukturat partiake."

Një numër të madh komentatorësh i preokupon vendimi i Joshka Fischerit për t'u tërhequr nga radha e parë e politikës:

Në gazetën DIE WELT që del në Berlin lexojmë:

"Pas 48 orësh gjendjeje shoku të ngrirë, vërehet lëvizje në politikën e Berlinit. Sistemi partiak i kritikuar kaq shumë fillon të nxjerrë kuptimin e votës hutuese të zgjedhësve. I pari që del nga strofulla është ministri i jashtëm Joshka Fisher. Joshka Fischer deklaron, se nuk është më në dispozicion për poste të rëndësishme politike. Një derë të pasme ai vërtet e lë hapur, por askush nuk luftoi për koalicionin kuq e gjelbër me një vrull të tillë si Joschka Fischeri. Tani ai e pranon fundin e projektit të tij politik dhe e quan këtë si duhet quajtur:një kthesë rrënjësore. Jo vetëm politike, por edhe personale. Kontrasti me kancelarin nuk mund të ishte më i madh në këtë moment."

Ndërsa STUTTGARTER NACHRICHTEN është e mendimit:

"Joschka Fisheri zgjodhi një moment të shkëlqyer për t'u tërhequr nga radha e parë. Me fundin e koalicionit mes socialdemokratëve dhe Të Gjelbërve përfundoi një epokë, tha ai të martën. Për veten e tij atij i lejohet ta thotë këtë. Ai e formësoi në mënyrë vendimtare procesin, i cili prej një grupi në fund të fundit protestuesish jopolitikanë dhe utopistësh, krijoi një forcë të respektueshme edhe në kampin konservator. Pushteti në federatë ishte përfundimi kurorëzues. Tani mund të largohemi. Kështu mund të largohemi. Ky është edhe një sinjal ndaj bashkëudhëtarit Gerhard Schröder. Ai ende po lufton për pushtetin e tij."


Ja edhe TAGESZEITUNG që del në Mynih:

"Mentori i Të Gjelbërve e hap rrugën për pasardhësit pragmatikë të partisë, të çliruar në një masë të madhe nga ritualet e vjetra. Momenti i duhur për një ndërrim brezash. Edhe nëse tani mund të jetë ende herët për një koalicion me unionistët- pa brezin e Fisherit do të jetë më e lehtë për partinë ekologjiste që të çlirohet nga burgosja babilonike me partinë socialdemokrate gjermane. Eshtë e mundur që Fisheri kërkon të heqë dorë krejtësisht nga droga pushtet? Disa ekspertë supozojnë se luftëtari i dikurshëm i rrugëve kërkon të vejë më lart: të zërë një post në BE ose në OKB."

Gazeta e Ahenit AACHENER ZEITUNG:

"Mund të shprehësh keqardhje, sepse përfaqësuesi i brezit të 68-ës, i cili ka gjurmët e tij në këtë republikë është një nga të paktët politikanë me profil, një figurë polarizuese. Por vendimi i tij ë shtë i sinqertë, një politikan të kalibrit të tij nuk e tërheq ajo që pritet të vijë. Vendimi është edhe korrekt përballë partisë së tij. Sepse Të Gjelbrit tani duhet të radhiten nga e para, të emancipohen nga Partia Socialdemokrate dhe të kërkojnë rrugë të reja."

Dhe së fundi gazeta KIELER NACHRICHTEN, e cila del në Kil:

"Për shkak të Joshka Fisherit nuk dështoi koalicioni mes socialdemokratëve dhe të gjelbërve. Përkundrazi: pa raportin e tij të mirë me Gerhard Schröderin dhe pa karizmën e tij të jashtëzakonshme, e cila i solli respekt përtej kufijve partiakë në vitet e tij si ministër i jashtëm, aleanca ndoshta do të ishte prishur prej kohësh. Joschka Fischeri e ndjeu se epoka socialdemokrate-e gjelbër me atë si aktor mori fund."