Koalicioni në shërbim të qëllimit t′i presë rrugën falimentimit të shtetit | Studimi në Gjermani | DW | 14.11.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Koalicioni në shërbim të qëllimit t'i presë rrugën falimentimit të shtetit

Marrëveshja për koalicionin, programi sipas së cilit do të qeverisë ky koalicion, si dhe tërheqja e Edmund Stoiberit nga pozicioni i Ministrit të Ekonomisë që pritej t'i besoj në qeverinë e re gjermane, janë në qendër të vëmendjes së shtypit të sotëm gjerman.

Edmund Stoiber

Edmund Stoiber

Gazetarët shprehen me shpoti për faktin se politikanët i lanë pas tiradat e sharjeve ndaj kundërshtarëve politikë si dhe për transformimin e kundërshtarëve në aleatë. Fillimisht citojmë nga gazeta "Märkische Allgemeine" që botohet në Potsdam:

"Ai që i ka ende në vesh tiradat përbuzëse të socialdemokratëve kundër Angela Merkelit, çuditet sot shumë për ofensivën sharmante të politikanëve kryesorë socialdemokratë pro saj. Po kjo hare nuk mund të të bëjë të anashkalosh faktin që kohët janë ende të këqia. Madje aq që të këqia sa koalicioni gjithçka e vë në shërbim të një qëllimi të vetëm, t'i presë rrugën falimentimit të shtetit. Për këtë duke filluar nga viti 2007 do të fillojë rritja e taksave. Ndërsa gjatë vitit të ardhshëm do të vazhdojnë shpenzimet me shpresë se konjunktura do të shënojë rritje. Kjo është një ndërmarrje e rrezikshme, sepse bazohet tek besimi se hapat e tmerrshëm që ka ndër mend të ndërmarrë qeveria e re do të kenë edhe efekte pozitive. Po ky besim duket se nuk është i mjaftueshëm."


Edhe "Mitteldeutsche Zeitung" që botohet në Halle, mendon se megjithë optimizimin e dukshëm të të dyja partive në koalicion, shumë shpejt pritet të fillojnë problemet:


"Hapja e shtigjeve të reja ka pamje tjetër. Shumë shpejt, përshembull kur të vijë puna për reformën në fushën e shëndetsisë apo të reformimit të sistemit federal në Gjermani do të provohet se sa e qëndrueshme do të jetë qeveria e re. E pra kur të bëhet e qartë se për reforma të tilla nuk mjafton vetëm vullneti i mirë, atëhere do të merret vesh se sa i konsoliduar është ky koalicion qeveritar, që zgjodhi populli. Po ky popull do të vërë në diskutim sërish këtë koalicion kur të konstatojë se barra që duhet të mbajë në kurriz secili, është shumë e rëndë dhe e dhimbshme, sesa shpresa për një të ardhme më të mirë dhe më të sigurt për të gjithë."


Gazeta "Këlner Stadt-Anzeiger" ndalet në faktin se partisë demokristiane iu desh të hiqte dorë nga shumë prej projekteve që kishte premtuar gjatë fushatës elektorale:

"Vetëm para disa javësh Angela Merkel kishte premtuar një çudi të dytë ekonomike për Gjermaninë. Ajo prezantoi një sërë reformash revolucionare në fushën e taksave. Po sot? Gjithçka ka marrë fund. Kurrë më parë CDU-ja nuk ka qenë kaq e zhveshur nga programi sa sot. Kryetarja e CDU-së e zhvilloi fushtën elektorale pa iu referuar frikës që ekziston në vend ndaj reformave. Tani duket se ajo po kapitullon përpara kësaj frike. Për Gjermaninë do të ishte mirë që kabineti i Merkelit, gjatë punës së vet, t'i kapërcejë pikat për të cilat ka rënë dakord në marrëveshjen për koalicion."

Kalojmë në temën tjetër, tërheqjen e Edmund Stoiberit nga posti i Ministrit të Ekonomisë që pritej të merrte në kabinetin e Angela Merkelit dhe pasojat e këtij veprimi për karrierën e tij politike në Bavari. Në lidhje me këtë në gazetën "Nordkurier" lexojmë:

"Edmund Stoiberi do të pendohet rëndë për vendimin që mori kundër postit të Ministrit të Ekonomisë në kuadër të koalicionit të madh në Berlin. Tani atij do t'i duhet të luftojë në Mynih për të mbijetuar politikisht, sepse pjesë të tëra të CSU-së janë tepër të pakënaqur që Stoberi do të vazhdojë të qëndrojë në Bavari. Nga njëra anë sepse për shkak se Stoberi ka vite që nuk e lëshon karrigen e kryeministrit të landit të Bavarisë dhe të tjerët nuk kanë mundësi të ngjitin shkallët e karrierës. Dhe nga ana tjetër, sepse Stoiberin e bëjnë fajtor që demokristianët nuk fituan në zgjedhjet e sivjetshme më tepër se 50% të votave."

Kurse në gazetën "Ostsee Zeitung" që botohet në Rostok lexojmë:

"Çudi se si edhe në Bavari mbretëron ligji i xhunglës. Edmund Stoiberi i cili e ndjente veten gjithmonë si pasardhësi i kryebabait të bavarezëve Franz-Josef Straus, është vënë tani në shenjestër të sulmeve. Kundërshtarët e tij kanë dalë nga strehimet, dhe Organizata e Rinisë demokristiane bavareze ka deklaruar se do të organizojë në pranverë një puç. Shkak për këto qëndrime janë akuzat që i bëhen Stoiberit se ka dështuar politikisht dhe që nuk pranoi të merrte postin e ministrit."


  • Data 14.11.2005
  • Autor Pandeli Pani
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arss
  • Data 14.11.2005
  • Autor Pandeli Pani
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arss