Koalicioni i Madh në Gjermani është një nevojë | FOKUS | DW | 30.09.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

FOKUS

Koalicioni i Madh në Gjermani është një nevojë

Po ravijëzohet koalicioni i madh, i pritur, midis CDU/CSU-së dhe SPD në Gjermani. Nëse negociatat përfundojnë pozitivisht, atëherë, kristiandemokratët dhe kristiansocialët do t'a qeverisin Gjermaninë në katër vitet e ardhshme

default


CDU/CSU dhe FDP akoma flasin me njëri-tjetrin, por një koalicion duke përjashtuar Të Gjelbrit nuk do të krijohet. Të Gjelbrit nuk janë të gatshëm të bashkëpunojnë, po kaq pak janë të gatshëm të bashkëpunojnë liberalët e FDP-së në një qeveri koalicioni mes socialdemokratëve dhe Të Gjelbërve. Kështu që mbetet vetëm Koalicioni i Madh mes CDU/CSU-së dhe SPD- dhe për liberalët dhe Të Gjelbrit mbetet opozita. Liberalët e FDP-së ka kohë që janë pajtuar me këtë opcion, edhe Të Gjelbrit.

Unionistët dhe socialdemokratët lëvizin të vendosur drejt bisedimeve zyrtare për koalicion. Dhe koalicioni i madh nuk është një zgjidhje emergjente, por përballë problemeve të vendit, i nevojshëm. Koalicione të vogla, të drejtuara qoftë nga CDU/CSU, apo edhe nga socialdemokratët, janë treguar të dobët për të zgjidhur problemet e vendit. Nevoja dhe pika takimi për një aleancë të dy partive më të mëdha gjermane ka mjaftueshëm. Eshtë e nevojshme që Koalicioni i Madh të mos ndërtohet mbi emruesin më të vogël të përbashkët, por që aleanca të kuptohet si koalicion meremetuesish- dhe të trajtohet si e tillë.

Vetëm përmes veprimeve të vendosura legjitimohet aleanca, e cila me siguri do të qeverisë së shpejti Gjermaninë. Reformat e thella janë të nevojshme, jo vetëm për shkak të krizës në tregun e punës dhe ritmit të ulët të rritjes ekonomike. Politika duhet të jetë në gjendje të reagojë po ashtu ndaj zhvillimit demografik edhe në reformën e sistemit të pensioneve, në sigurimet shëndetësore etj. Kësaj i shtohet nevoja e reformimit rrënjësor të ndërtimit federal të shtetit dhe të sovranitetit fiskal të federatës, të landeve dhe bashkive. Në fund të fundit, financat e shtetit ndodhen prej dy dekadash në një krizë të rëndë. Qeveria e ardhshme do ta shohë veten të konfrontuar me një detyrë gjigande, e cila ka të bëjë edhe me faktin se 25 vjetët e fundit në Gjermani kanë mbetur shumë punë pa bërë.

Përballë gamës së problemeve, të kujtohet Koalicioni i Madh midis Kurt-Georg Kiesingerit dhe Willy Brandtit. Ky koalicion arriti atëherë ta vërë sërish në lëvizje ekonominë, vendosi një reformë financash, miratoi ligjet e gjendjes së jashtëzakonshme dhe bëri korrigjime në politikën e jashtme, të cilat Brandti i coi me vendosmëri deri në fund me Ostpolitikën e tij. Sot problemet janë pakrahasueshmërisht më të mëdha. Në epokën e globalizimit dhe të tregjeve të hapura ndërkombëtare, si dhe përballë ndryshimeve demografike, zgjidhja është shumë më e vështirë.

Partia Socialdemokrate është, edhe nëse me distancë të vogël nga unionistët, partneri më i vogël në Koalicionin e Madh; kjo do të dalë në pah kur të bëhet ndarja e pushtetit. Megjithatë, është e drejta e Partisë Socialdemokrate që për të hequr dorë nga posti i kancelarit të kërkojë një çmim të lartë. Për këtë do të vendoset me siguri në fund të negociatave, kur të jetë rënë dakord për detyrat politike dhe synimet për katër vjetët e ardhshëm. Më parë duhen zgjidhur cështjet parimore, pastaj ndarja e ministrive dhe fare në fund çështjet e personelit. Vlen rregulli i vjetër: ai që lëviz i pari dhe bën lëshime për personelin, ai mban vulën e humbësit. Në fund do të ketë një paketë të madhe- e cila do të përmbajë edhe rregullat për të ardhmen politike e profesionale të Angela Merkelit dhe Gerhard Schröder-it.

  • Data 30.09.2005
  • Autor Karl Zawadsky
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqiV
  • Data 30.09.2005
  • Autor Karl Zawadsky
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqiV