1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koalicion shpresëdhënës në Irlandë

Martin Zagatta9 Maj 2007

Udhëheqësi i partisë protestante në Irlandën e Veriut, Ian Paisley, e pat quajtur dikur "si pakt me djallin" çdo lloj bashkëpunimi me partinë katolike Shin Fejn.

https://p.dw.com/p/AqmF
Ian Paisley
Ian PaisleyFotografi: AP

Të martën Ian Paisley u betua si kryeministër i Irlandnës së Veriut. Ketëj e tutje ai do të bashkëpunojë në kabinetin qeveritar me zëvendëskryeministrin Marti McGuines të partisë Shin Fejn. Kësisoj Irlanda e Veriut pas pesë vjetësh të administrimit prej Londrës ka sërish qeverinë e vet.

Për dhjetëvjeçarë me radhë udhëheqësi i diskutueshëm i partisë prostetante, Paisley, pat thënë jo për bashkëpunimin me katolikët e Irlandës së Veriut. Nëse tani në moshën 81 vjeçare ka pranuar të hyjë në koalicion me përfaqësuesit politikë të organizatës ilegale, IRA, atëherë kjo nuk është as shenjë dobësie prej moshës dhe as arësye për t´u turpëruar.

Paçka, se predikuesi grindavec edhe para pak kohësh kërcënonte me përjashtim nga partia këdo që guxonte të bisedonte me Shin Fejnin. Ndërsa tani në qeverinë e tij ai ka ministra, të cilët deri vonë i ka damkosur si terroristë dhe vrasës.

Por Paisley nuk e ka shitur shpirtin e vet për të farkëtuar këtë aleancë. Ai u lëkund vetëm pasi IRA dorëzoi armët dhe hoqi dorë prej luftës së saj me vrasje. Burri i vjetër ia ka dalë, që më në fund Shin Fejni pro-irlandez të pranojë edhe policinë e Irlandës së Veriut. Ai ndryshimin e kursit e ka konfirmuar përmes votimit në publik duke marrë votën e shumicës së zgjedhësve edhe për krijimin e këtij koalicioni të pazakontë, pavarësisht nga grindjet e shumta. Ky është një sukses i madh për kryeministrin Toni Bler, i cili pa u lodhur ka insistuar vazhdimisht për bisedime.

Natyrisht që është ironi e historisë, që tani pikërisht Paisley po vë në jetë marrëveshjen e së premtes së madhe të vitit 1998. Ai, që e ka luftuar me të gjitha mundësitë marrëveshjen, e cila i dha fund luftës civile me mbi 3.600 viktima. Por me sa duket vetëm një njeri i vijës së fortë, si Paisley është në gjendje të bindë shumicën protestante për të ndarë pushtetin me ish-terroristët, ashtu si edhe nga ana tjetër është vetëm Shin Fejni në gjendje, që t´i bindë katolikët të bashkëpunojnë me policinë dhe të pranojnë aleancën me Paisleyn. Ky është një kompromis i dhimbshëm për të dyja palët. Shumë plagë ende të hapura në Irlandën e Veriut nuk mund të shërohen shpejt.

Megjithatë: kushdo që tani parathotë, se ky koalicion i paekulibruar mund të pësojë shpejt një të çarë mund të zhgënjehet. Ndryshe nga rasti i shpërbërjes së qeverisë së krahinës përpara katër vjetëve e gjysmë, kryeministri ka tani më shumë kompetenca për t´i kontrolluar ministrat e vet. Kjo i jep dorë Paisleyt, në rast se do të ketë grindje me Shin Fejnin. Nga ana tjetër të dyja palët gjatë bisedimeve kanë bërë lëshime, prej të cilave pothuajse çdo ditë po përballen me sharjet si tradhëtarë, që të bëjnë ç´është e mundur për të parandaluar dështimin e këtij koalicioni. Ndaj "pakti me djallin", për të folur kështu me gjuhën e dikurshme të Paisleyt, mund të dëshmohet si një bekim për Irlandën e Veriut.