Klishe kolonialiste në kopshtin zoologjik? Grindje për shkak të një „fshati afrikan“ në Parkun e Augsburgut | Gjermania | DW | 14.06.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Klishe kolonialiste në kopshtin zoologjik? Grindje për shkak të një „fshati afrikan“ në Parkun e Augsburgut

Kopshtet zoologjike në Gjermani përpiqen prej vitesh të tërheqin publikun përmes evenimentesh si “netët e xhunglës” ose maskarada. Shumë rrallë ato bëhen objekt diskutimi në opinion. Ndryshe qëndron puna me parkun zoologjik të Augsburgut dhe projektin e ketij: "African Village".

Zebra ne Kopshtin Zoologjik te Augsburgut

Zebra ne Kopshtin Zoologjik te Augsburgut

Një "fshat afrikan" në një park kafshësh në Gjermani. A është e mundur një gjë e tillë? Parku zoologjik në Augsburg të Bavarisë thotë: “Përse jo?” e argumenton me panoramën e veçantë të stepës bavareze, që do të shërbejë si sfond për festën. Që kur ky plan u bë publik, nuk pushon breshëria e protestave: „Iniciativa e njerëzve të zinj në Gjermani” ka bërë thirrje që të ndalohen përgatitjet. Zëdhënësja e saj Eleonore Wiedenroth-Coulibaly është e shqetësuar, jo vetëm për vendin, por edhe titullin përgjithësues "African Village".

Eleonore Wiedenroth-Coulibaly: "Së pari nuk ekziston një “Fshat afrikan”. Së dyti, panorama afrikane nuk ka vetëm stepë. Ky reduktim i afrikanëve është bërë në traditën kolonialiste: të lidhur me natyrën e botën e kafshëve. Pikërisht ky vështrim kolonialist na shqetëson.“

Wiedenroth-Coulibaly dhe kritikë të tjerë, mes tyre shkencëtarë nga brenda dhe jashtë Gjermanisë, kujtojnë historinë: Ekspozimi i njerëzve të kulturave të huaja nëpër kopshte zoologjikë kishte si qëllim të njihte evropianet e fundshekullit të 19=të me kolonitë e uzurpuara. Këto ekspozime popujsh synonin të vinin në dukje epërsinë civilizuese të Evropës. Një kopsht zoologjik është vendi më i papërshtatshëm për t’i shërbyer pajtimit ndërmjet popujve me anë të një ekspozite të tillë.

Eleonore Wiedenroth-Coulibaly: "Kopshti zoologjik është pjellë e tradites kolonialiste. Ekspozitat të tilla ku njerëzit tregohen pranë kafshëve dhe natyrës kanë lindur paralelisht me to. Këto të fundit janë dënuar dhe zhvlerësuar prej kohësh. Ndërsa ky njeri nuk pranon ta shohë në një kontekst të tillë. "

Me "ky njeri“ folësja e “Iniciativës së Njerëzve të Zinj në Gjermani” ka parasysh drejtoreshën e Kopshtit Zoologjik, Barbara Jantschke. Reagimi i kësaj ndaj protestës e konfirmoi shqetësimin e protestuesve: “Kopshti zoologjik i Augsburgut është vendi më i përshtatshëm për të transmetuar atmosferën ekzotike,” kishte shkruar Jançke.

Organizatori i „Fshatit Afrikan“ është një sipërmarrës me origjinë egjiptiane nga Munihu. Medhat Abdelati thekson se ai si afrikan nuk do të lejonte kurrë që me këtë ekspozitë të lidheshin tradita raciste dhe kolonialiste.

Abdelati: "Unë nuk shoh ndonjë gjë të keqe. Natyrisht që historia është e papranueshme. Por, po ta ndaloja, vetëm sa do ta konfirmoja mendimin tuaj. U kam thënë të gjithëve: Ejani njëherë e shiheni, para se ta gjykoni!“

Organizatorët e kanë pranuar ndërkohë që të paktën përzgjedhja e emrit "African Village" nuk ishte shumë e goditur dhe ka shkaktuar keqkuptime. Sigurisht që në parkun zoologjik të Augsburgut nuk do të tregohet kurrsesi jeta në një fshat afrikan, sqaron Abdelati.

Abdelati "Është një festë kulturore me sektorë të ndryshëm: Një sektor eshte me art, ku do të jenë tregtarë të ndryshëm, që shesin maska dhe arturina. Ka edhe një program për fëmijë. “

Por pyetja "fshat apo festë“ ka kohë që nuk shtrohet. Protesta ka të bëjë me vendin e ngjarjes, kopshtin zoologjik, si vend të përshtatshëm për të prezantuar kultura të huaja. Grupe të ndryshme kanë paralajmëruar që do të zhvillojnë aksione protestash për katër ditët që zgjat festa. Drejtoresha Barbara Jantschke nuk ka ndër mend ta anulojë atë, por ajo ka ofruar që paralelisht të zhvillohe një seminar ku të diskutohet për projektin.

  • Data 14.06.2005
  • Autor Thomas Mosch
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar3Q
  • Data 14.06.2005
  • Autor Thomas Mosch
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar3Q