1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Klinton apo Obama? - Zgjedhje paraprake në Karolinën e Jugut

Cem Sey23 Janar 2008

Votuesit e Partisë Demokrate në shtetin federal të Karolinës së Jugut, do të vendosin të shtunën se cilin kandidat për president të partisë së tyre do të mbështesin

https://p.dw.com/p/CwR8
Hillary Clinton dhe Barack Obama debatojnë në Myrtle Beach
Hillary Clinton dhe Barack Obama debatojnë në Myrtle BeachFotografi: AP

Karolina e Jugut vërtet nuk ka shumë vota delegatësh, por gjysma e zgjedhësve demokratë në këtë shtet të "jugut të thellë" amerikan, janë afro-amerikanë. Për këtë arsye Barak Obama, pret të ketë atje shanse të mira kundër rivales së tij Hilari Klinton. Por Klinton përfiton nga imazhi i shkëlqyer i bashkëshortit të saj Bill Klinton që mbizotëron në elektoratin me ngjyrë. Zgjedhjet paraprake në Karolinën e Jugut janë pra tejet të rëndësishme për fushatën e mëtejshme elektorale të demokratëve.

Otis Mos Junior, mik i aktivistit të vrarë për të drejtat e njeriut Martin Luter King, flet në zyrën elektorale të kandidatit për president Barak Obama përpara ndihmësve, kryesisht të rinj të bardhë. Shumë nga brezi i tij do të vinin në pyetje pjekurinë politike të Obamës për postin e presidentit, thotë famulltari rreth të gjashtëdhjetave: "Martin Luter ka ndryshuar historinë e Krishtërimit kur ishte vetëm 29 vjeç, Moxart e ka kompozuar muzikën e tij kur ishte 35 vjeç dhe Obama është gati me 46 vjetët e tij."

Kështu përpiqet të hedhë poshtë një argument nga kampi i kundërshtares kryesore Hilari Klinton famulltari me ngjyrë nga Ohajo. Klinton përfiton vërtet nga popullariteti i madh i bashkëshortit të saj në rradhët e popullsisë me ngjyrë. Por fakti që me Obamën për herë të parë një kandidat me ngjyrë ka shanse për postin e presidentit, lë përshtypje të forta tek zgjedhësit afro-amerikanë.

Virxhinia Brou dhe Gerte Brit bëjnë pjesë në brezin e afro-amerikanëve që në shkollë merrnin vetëm libra të përdorur më parë nga fëmijët e bardhë, që nuk kishin të drejtë të uleshin në prani të të bardhëve dhe që ishin të detyruar të bënin pranonin pagesë të ulët për punën e tyre. Në kishën e tyre simpatia është e ndarë mes Klintonit dhe Obamës, thonë ato. Për Virxhina Brou vendimi për Barak Obamën ishte si një lloj përjetimi fetar: "Kur ai tha se do të kandidonte për postin e presidentit, m'u duk sikur prej tij doli një shpirt që do të bekonte popujt e tokës. Unë e ndjeva këtë."


Dy pensionistët konservatorë votuan katër vjet më parë për presidentin Bush. Zgjedhës të tillë që largohen nga kampi republikan janë shansi i Obamës. Ndërsa zgjedhësit tradicionalë demokratë mbështesin Klintonin.


Por megjithëse Obaba entuziasmon shumë njerëz, një fitore e tij në zgjedhjet paraprake të partisë demokratike në Karolinën e Jugut nuk është aspak e sigurtë. Kështu mendon botuesi i revistës afro-amerikane "Black News" Xhimi Eduards. "Eshtë për të ardhur keq por është fakt që sa më shumë zgjedhës me ngjyrë të shkojnë në zgjedhje aq më shumë të bardhë do t'ju drejtohen kutive të votimit. Dhe kjo vetëm me synimin për t'i shkaktuar një rezultat të keq kandidatit të dëshëruar të popullsisë me ngjyrë."