Klima e mirëbesimit gurthemeltar për zhvillimin - Mbledhja e parë e kabinetit Merkel | Gjermania | DW | 10.01.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Klima e mirëbesimit gurthemeltar për zhvillimin - Mbledhja e parë e kabinetit Merkel

Të martën pasdite (10.01) përfundoi punimet mbledhja e parë për bilancin e punës së deritanishme të qeverisë së koalicionit të gjerë. Rezultati: u vendos një paketë masash në vlerën 25 miliardë euro për rigjallërimin e koniukturës dhe tregut të punës si dhe më shumë para për kujdestarinë për fëmijët.

Kështjella Genshagen

Kështjella Genshagen

Çështjet e nxehta dhe të debatueshme mes partive: si heqja dorë nga energjia bërthamore, reformimi i sistemit të sigurimit shëndetësor, apo mbështetja nga shteti për pagat për ata që jetojnë me asistencë, tani për tani u shtynë. Në vend të kësaj ministrat demonstruan harmoni dhe u shprehën të kënaqur me klimën e konsultimeve qeveritare në kështjellën Genshagen.

Genshagen - tingëllon disi më zbehtë krahasuar me Neuhardenberg. Në këtë kështjellë princash ish-kancelari Gerhard Shrëder pat zhvilluar mbledhjet për bilancin e punës së qeverisë në vitet 2003 dhe 2004. Në kështjellëzën e thjeshtë të stilit prusian të një kështilltari të princit me emrin Shulc, pra në Genshagen, s´kish vend as për një konferencë shtypi, kjo duhej të mbahej në Berlin.

Thjeshtë dhe pa pompozitet qeveria e Merkelit e pa këtë të arësyeshme në sfondin e problemeve që ka Gjermania. Qeveria synon tani të ndërmarrë shumë, por hapa të vogla reformash, pasi projektet e deklaruara me pompozitet nga qeveria Shrëder nuk sollën shumë, ndonëse kushtuan mjaft.

Më shumë se këto hapa të vogla nuk të lejon tani as gjendja financiare e shtetit. Madje edhe e ashtuquajtura paketa për zhvillimin prej 25 miliardë eurosh, detajet e së cilës u përcaktuan në Gensenhagen, në vetvete është një hap i vogël. Përpjestuar në katër vjet, kjo përbën vetëm 0,25% të produktit bruto në vend, pra të rendimentit të ekonomisë gjermane. Programet për koniukturën më parë kanë qenë ndryshe.

Megjithatë komponentë të veçantë të kësaj pakete zhvillimi mund të kenë efekt. Një sërë të dhënash koniuktorale tani japin shkas për shpresa për një zhvillim të vogël. Reformat në tregun e punës të qeverisë parardhëse kanë filluar të tregojnë efektin e parë, paketa e zhvillimit mund t´u japë atyre impulse të reja.

Por e rëndësishme është, që këto hapa të vogla të shpallura edhe në sistemin e shëndetësisë, në tregun e punës dhe në ligjin e tatimeve, të vihen vërtetë në lëvizje. Edhe për këta sektorë u përcaktua itinerari në Genshagen.

Ky itinerar nuk do të jetë një shëtije. Kundërshtarët e dikurshëm politikë, sipas kancelares Merkel, "duhet të përballojnë së bashku marrjen e vendimeve të vështira."

Ndaj brenda koalicionit është e domosdoshme klima e mirëbesimit. Pikërisht forcimi i besimit, u shpall nga kancelarja edhe si qëllimi i parë i mbledhjes së kabinetit. Në ambjentet jo të varfëra, por modeste të Gensenhagenit duket se ky qëllim u arrit. Besimi në aleancën qeverisëse është si parakusht për një politikë, që t´u rikthejë njerëzve në Gjermani besimin tek e ardhmja: nëse realizohet kjo, atëherë Genshageni nuk ishte aq modest sa ç´tingëllon.

  • Data 10.01.2006
  • Autor Peter Shtytcle
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar1f
  • Data 10.01.2006
  • Autor Peter Shtytcle
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar1f