1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Kismet!" Beethovenfest e DW-Campus surprizojnë

Anastassia Boutsko
19 Shtator 2018

Në takimin e sivjetëm të projektit të Campusit, në qendër është bota tingullore nga India. Jo detyrë e lehtë për muzikantët gjermanë dhe indianë, traditat muzikore as mund të ishin më të ndryshme.

https://p.dw.com/p/355mw
Campus-Projekt in Mumbai
Fotografi: DW/A. Boutsko

Prej vitit 2001, Deutsche Welle dhe Beethovenfest Bonn organizojnë projektin e përbashkët "Campus", një format takimesh për kultura nga Evropa dhe rajone të ndryshme ku transmeton DW. Kushtet kuadër dhe zbatimi gjithmonë janë të ndryshme, por gjithnjë e rëndësishme është një gjë: takimi i kulturave në frymën e një qëndrimi të hapur reciprok. Vitet e kaluara, pjesëmarrëse të projektit qenë vende nga Ukraina në Brazil, deri te Kina dhe Iraku. Për 2018-ën në qendër të projektit Campus është një subkontinent me një kulturë madhështore, krejtësisht të huaj për Perëndimin: India.

"Mission impossible"...

...e tillë të dukej detyra që i kishte vënë vetes këtë vit projekti Campus - që t'i vendosë në një dialog produktiv me njëra-tjetrën muzikën klasike indiane dhe muzikën evropianoperëndimore. "E vetmja mundësi është dështimi", paralajmëronin ekspertët. Sepse dy traditat muzikore janë kozmose më vete.

Muzika artistike klasike indiane është një nga të paktat tradita komplekse muzikore e zhvilluar historikisht, e cila nga kontakti me botën perëndimore nuk është zëvendësuar ose margjinalizuar. Vërtet që në rreptësinë e saj, në lidhjen me traditën dhe në disiplinën ajo i ngjan shumë estetikës së muzikës klasike perëndimore; megjithatë ajo është krejtësisht e ndryshme, qoftë edhe për faktin se muzika klasike indiane improvizohet.

Dialog gjermano-indian në frymën e ritmit

Që në janar 2018 Orkestra Federale e Rinisë udhëtoi në Indi. "Meqenëse muzika klasike nuk ka traditë të gjatë atje, ne shkuam pa pritje të veçanta në Indi" pranon Sönke Lentz, drejtues projekti i Orkestrës Federale të Rinisë. Por në vend, çdo gjë doli më mirë se pritej: shumicën e koncerteve i ndoqën kaq shumë njerëz, sa u bënë të nevojshme transmetime spontane me video në holl.

Campus-Projekt in Mumbai
Fotografi: DW/A. Boutsko

Veç kësaj, anëtarët e Orkestrës Federale të Rinisë patën mundësi të shohin shumë nga vendi, të admirojnë thesaret kulturore dhe të vendosin kontakte me indiane dhe me indianë, tregon Lentz. "Këto janë përvoja, të cilat janë të pazëvendësueshme për hartimin e programit të ri". Kështu u poq edhe ideja për Campusin për Indinë: që të vendoset ritmi si gjymtyrë lidhëse midis kulturës evropiane dhe asaj indiane.  

Faza e dytë pasoi në prill. Perkusionistë të rinj gjermanë të Ansamblit SPLASH të Rinit Verior-Vestfalisë shkuan të ngarkuar nga DW dhe nga Beethovenfest në Mumbai. Këtu ata takuan kolegët e tyre indianë, instrumentistët e Tablas të Taal Yogi Ashram nga Pune. Të pranishme ishin edhe dy valltare të Kathak-ut; kjo valle ritmike është një element i pazëvendësueshëm i perkusionit indian. Kontakti u vendos menjëherë, megjithëse muzikantët indianë shikonin për herë të parë instrumenta perëndimore si Marimba ose kselofonin, ndërsa të rinjtë gjermanë në fillim i ndiqnin me vështirësi ritmet indiane.

Bonn, po vijmë!

Më në fund erdhi 15 shtatori: në skenën e Beethovenfest në World Conference Center Bonn (WCCB), për herë të parë u mblodhën të gjithë pjesëmarrësit e Campusit. Që prej kësaj dite, muzikantët e Orkestrës Federale të Rinisë punuan së bashku me perkusionistët e rinj dhe valltaret nga Gjermania dhe India në programin e tyre të Campusit. Ndër të tjera ata janë përqendruar në një eksperiment kompozimi të Ravi Shankarit dhe Philip Glassit, në të cilin veçoritë ritmike të muzikës indiane janë përcjellë në një orkestër sinfonike, ose do t'i kushtohen veprave të frymëzuara nga India të minimalistit amerikan Steve Reich. Dhe natyrisht që edhe këtë vit do të ketë një premierë:  Bernhard Schimpelsberger, i lindur në Austri dhe që preferon Indinë si dhe Rakesh Chaurasia, kompozitor dhe virtuoz i flautit Bansuri, kanë shkruar me porosi të DW pjesën "Kismet" - njësoj si motoja e këtij viti e Beethovenfest-ës.

 

Koncertet e DW-Campus do të zhvillohen në 20 shtator në WCCB në Bonn dhe një ditë më vonë në Universitetin e Arteve (UDK) në Berlin.