Kina dhe mjedisi & ShBA dhe shërbimet sekrete & Buxheti në Gjermani | Studimi në Gjermani | DW | 26.11.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Kina dhe mjedisi & ShBA dhe shërbimet sekrete & Buxheti në Gjermani

Një sërë temash ndërkombëtare komentohen në shtypin e sotëm, ndër to veçojmë katastrofën e mjedisit në Kinë, burgjet e fshehta të shërbimeve sekrete të ShBA dhe trupat e tyre në Irak. Nga temat e politikës së brendëshme gjermane është në fokus buxheti i qeverisë së koalicionit të gjerë.

"Wiesbadener Kurier" i kushton një koment katastrofës së mjedisit në Kinë, pas shpërhtimit në një fabrikë kimike. Citojmë: "Katastrofa e mjedisit në Mandshurei zbulon jo vetëm pakujdesinë ekologjike dhe atë njerëzore kundrejt njerëzve, nëpërmjet të cilave Kina po çon përpara një zhvillim marramendës ekonomik. Por kjo katastrofë dëshmon edhe për humbjen e ngadalshme të kontrollit të udheheqjes së Pekinit. Me kritikat e pashembullta të hapura ndaj praktikës së retushimeve të autoriteteve lokale dhe të koncernit shtetëror të naftës, Komiteti Qendror synon të japë sinjalin e stopit. Kryesia e partisë komuniste duket se po e kupton, që pretendimi i saj politik për totalitarizëm nuk mund të harmonizohet në pafundësi me liberalizimin ekonomik", vëren "Wiesbadener Kurier".

Gazeta e Bonit "General Anzeiger" komenton çështjen e burgjeve të fshehta të shëbrimeve sekrete të ShBA: "Ka shumë të dhëna që flasin, se shërbimi sekret amerikan i qarkullon njerëzit si plaçkë mespërmes botës nëpër burgjet e fshehta, në vende ku kushtetuta e ShBA nuk vlen as një grosh. Ka shumë të fshehta për tranzitin e udhëtarëve të CIA-s edhe në Gjermani, por për këtë nuk ka asnjë siguri. Autoritetet gjermane po lëvizin në errësirë. Por ato marrin me mend, se këto fluturime mund të kenë të bëjnë edhe me tortura. Nga ana e kodit penal nuk mund të bëhet asgjë. Kush duhet marrë në pyetje dhe çfarë duhet sekuestruar? Ka norma ligjore dhe konventa që siç po duket nuk hyjnë në punë, kur ke të bësh me një mijë e njëqind të fshehta absolute. Konventa e Gjenevës për trajtimin e robërve të luftës, konventa e të drejtave të njeriut, statuti i trupave të NATO-s, të gjitha këto po rezultojnë tani si copa letre", tërheq vëmendjen "General Anzeiger".

E përditshmja e Bilefeldit "Neue Westfälische" në komentin e saj u referohet trupave të SHBA në Irak dhe tërheqjes së pjesshme të tyre: "Një perspektivë e qartë për stabilitetin në Irak dhe kthimi i ushtarëve në atdhe, kjo është ajo që dëshirojnë shumica e amerikanëve. Por kurrësesi një perspektivë e tillë nuk përbën bazën e planeve për tërheqjen e pjesshme të fokusuar për vitin e ardhshëm. Deklarimi i Pentagonit ka për qëllim vetëm që të shmangë presionin në debatin politik. Por nëse presioni do të ulet vërtetë, kjo mbetet e hapur", komenton "Neue Westfälische".

Qeveria e re në Gjermani duhet të rikuperojë buxhetin e shtetit. Për këtë arësye ajo ka ndërmend të shesë pasuri shtetërore që arrijnë vlerën e dhjetra miliardave. Analistët e vlerësojnë këtë në mënyra të ndryshme.

"Heilbroner Stimme" komenton: "Edhe sikur kjo masë sa për zbukurim të emërtohet si "privatizim", plani i kuq e zinjve duket se nga halli po shesim edhe tabakanë e fundit të argjendë. Ose ndoshta ministri i financave Shtajnbryk ka ndërmend që buxhetin ta rregullojë sipas motos së paradhësit: heq qafe, ndrysho prenotimet, e bëj llogari të bukura? Shitjet e menduara nga halli ende janë fatura në ajër, por ato zbulojnë krizën financiare, në të cilën ndodhet Gjermania. Këto të bëjnë të mendosh, se shkurtimet e njohura deri më sot dhe rritjet e tatimeve janë vetëm gjysma e së vërtetës. Më e keqja do të vijë", parashikon "Heilbroner Stimme".

Gazeta "Tageszeitung" që del në Berlin i vlerëson planet e kursimeve, por kërkon një program të diferencuar politik: "Edhe në politikën e brendëshme Merkel të bën pështypje. Ajo mbron me kompetencë dhe pas asnjë mëdyshje planet për shkurtimin e pagesave ekstra për nëpunësit, e për pensionistët, si dhe ndaj atyre që nuk u pëlqen rritja e tatimeve. (...) Në sfondin e zbrastisë së buxhetit ajo gjen tonin e duhur. Nuk është rastësi që Merkeli ndërkohë po fiton pikë edhe prej simpatizantëve të ekologjistëve dhe të partisë së majtë. (...) Por tek sheh programin e koalicionit të gjerë të errësohen sytë menjëherë. Deri tani ai është fokusuar tek kursimet, kursimet dhe kursimet. Por kjo nuk mjafton", shkruan "Tageszeitung".

  • Data 26.11.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arsf
  • Data 26.11.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arsf