1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kinë:Vdekja e një "gënjeshtari", që u kthye në hero kombëtar

8 Shkurt 2020

Pas vdekjes së mjekut kinez, i cili ishte i pari që tërhoqi vëmendjen për rrezikun e virusit të ri, partia tani lëvdon "profesionalitetin" e tij. Ndërsa fillimisht e pati damkosur atë si gënjeshtar.

https://p.dw.com/p/3XQs7
China Wuhan Augenarzt  Li Wenliang gestorben
Fotografi: AFP

"Po, e kuptova." Ky ka qenë me sa duket deklarimi i fundit me shkrim i Li Wenliang. Nën numrin e dosjes WuGong 2020103 Li më 3 janar 2020 u thirr në rajonin e policisë Zhongnanlu në Wuhan. Akuza kundër mjekut: Përhapje e të pavërtetave në rrjetet sociale. "Ju më 30 dhjetor 2019 në grupin WeChat të Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Wuhan-it në vitin 2004 përkundër së vërtetës keni përhapur lajmin për gjoja shtatë raste SARS", është shënuar në protokollin e marrjes në pyetje.

Li Wenliang lindi më 1986 në provincën veri-lindore Liaoning. Pas studimeve shtatë vjet në mjekësi në Wuhan dhe kualifikimit si mjek okulist në Xiamen, më 2014 ai nisi punën në spitalin qendror të Wuhan-it. Një stemë e kuqe në përparësen e tij të mjekut dëshmon për antarësinë e tij në Partinë Komuniste.

"Shtatë raste me SARS" në Wuhan

Më 30 dhjetor 2019 Li postoi mesazhin në grupin WeChat të studentëve të mjekësisë, ku janë 150 anëtarë: "Shtatë raste ne SARS në tregun Huanan për prodhimet e detit dhe frutat. Të gjithë pacientët janë izoluar në reanimacion."

Dikush nga grupi e përhapi mesazhin si një screenshot në internetin kinez bashkë me emrin dhe funksionin e Li. Me këtë sipas fletëthirrjes për në polici ai kishte përmbushur veprën penale "trazim i paqes sociale".  Atë e pyetën, nëse do të heqë dorë në të ardhmen prej këtyre veprimeve dhe e kërcënuan me përndjekje penale.

I damkosur si gënjeshtar

China Wuhan Arzt Li Wenliang Verhörprotokoll wegen Verbreitung von Unwahrheiten
Protokolli i marrjes në pyetje të Dr. Li nga policia Fotografi: Weibo

Ai dhe shtatë mjekë të tjerë në fillim të janarit u paraqitën nga shtypi i drejtuar prej shtetit si "gënjeshtarë". Të gjithë ata kishin përhapur njoftime të pasakta për rastet e sëmundjeve në mushkëri, me qëllim, të krijojnë trazira dhe panik në popull. Ky njoftim u dha edhe në lajmet kryesore të televizionit shtetëror CCTV.

Një javë më vonë Li u shtrua në spital për shkak të sëmundjes deri atëherë misterioze të mushkërive. Virusi u konstatua edhe tek disa kolegë si dhe tek prindërit e tij. 

Në një intervistë të fundit me revistën kineze të financave „Caixin" më 30 janar, kur ai ishte i sëmurë, Li e ritheksoi pohimin e tij. "Unë nuk përhapa të pavërteta", thotë ai, "vetëm desh t'u tërheq vëmendjen kolegëve të mi, por nuk desha të krijoj panik." Në postimin e tij ai kishte bashkangjitur edhe një protokoll laboratorik, sipas të cilit në rastet e konstatuara nga tregu Huanan bëhej fjalë për një virus të ngjashëm me SARS. "Në një shoqëri të shëndetshme nuk duhet të ketë vetëm një zë të vetëm", tha Li për revistën „Caixin."

Lëvdatë postum e partisë për "vëmendjen" e Li

Në të gdhirë të së premtes (07.02) Li ndërroi jetë. Ai ishte vetëm 34 vjeç. Organizata Botërore e Shëndetësisë shkruan në twitter: "Ne jemi jashtëzakonisht të trishtuar për vdekjen e Dr. Li Wenliang. Kontributi i tij në luftën kundër virusit duhet të vlerësohet." 

Pasi Li fillimisht u paraqit si përhapës të pavërtetash, tani pas vdekjes kthesa ishte 180 gradë: Gazeta nacionaliste "Global Times"vlerëson"profesionalitetin e Li dhe vëmendjen e tij në sfondin e një epidemie kërcënuese". Komisioni kombëtar i vrojtimit (një autoritet ri ri për luftën kundër korrupsionit i themeluar nën presidentin Xi Jinping) ka „ndërmarrë një hetim të pavarur lidhur me të gjitha pyetjet që vijnë nga popullsia në kontekstin e doktor Li".

Qytetarët në internet e konsdierojnë atë si një hero të guximshëm kombëtar, i cili nuk iu tremb udhëheqjes dhe tha të vërtetën. Disa në  Weibo nën titullin #hashtag shkruajnë "ne duam lirinë e mendimit".  Por forume të tilla sërish janë mbyllur shpejt.