1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Muzikë dhe manovra ushtarake

2 Prill 2018

Gjendja e shtensionuar mes dy Koreve vazhdon. Ndërsa Koreja e Jugut dhe SHBA-ja nisën një manovër ushtarake, Kim Jong Un qe mysafir nderi në një koncert muzikantësh koreano-jugorë.

https://p.dw.com/p/2vM1c
Kulturaustausch zwischen Nord- und Südkorea K Pop in Pyongyang
Shfaqje e artistëve nga Koreja e Jugut në Teatrin e Madh të PhenianitFotografi: picture-alliance/AP Photo

Kim Jong Un dhe e shoqja  Ri Sol Yu morën pjesë të dielën (01.04) në shfaqjen e shumë artistëve nga Koreja e Jugut në Teatrin e Madh të Phenianit. Agjencia e lajmeve e Koresë së Jugut Yonhap, e cila citon Ministrinë e Kulturës në Seul, njofton se përveç Kimit në koncert morën pjesë gjithashtu motra e tij Kim Yo Jong, e cila ka ndikim të madh, dhe kryetari protokollar i shtetit Kim Yong Nam.

Në turneun dyditor të koncerteve në Phenian marrin pjesë disa yje të muzikës së Koresë së Jugut si Cho Yong Pil dhe Choi Jin Hee, grupi i vajzave Red Velvet dhe Seohyun, si dhe kërcimtarë, instrumentistë, teknikë dhe artistë. Delegacioni koreanojugor përbëhet nga 120 anëtarë. Ky turne nga Koreja e Jugut në Korenë e Veriut është i pari që prej 13 vjetësh.

Kultura si urë ndërlidhëse

Megjithë izolimin e vendit dhe kufizimin e koncerteve të grupeve të huaja, muzika pop nga Koreja e Jugut është mjaft e preferuar në Korenë e Veriut. Edhe babai i Kim Jong Unit, pushtetmbajtësi Kim Jong Il, ishte simpatizant i këngëtarit koreanojugor Cho Yong Pil.

Kulturaustausch zwischen Nord- und Südkorea
Kim Jong Un dhe ministri i Kulturës dhe i Sportit të Koresë së Jugut në shfaqjen e artistëve nga Koreja e Jugut në Teatrin e Madh të PhenianitFotografi: picture-alliance/YNA

Kim Jong Un është sundimtari i parë i Koresë së Veriut që merr pjesë në një koncert të artistëve nga Koreja e Jugut. Ai u shpreh për me tepërë aktivitete kulturore të përbashkëta mes dy Koreve dhe propozoi një koncert tjetër të përbashkët në Seul, citoi agjencia Yonhap nga një raport gazetarësh të përzgjedhur.

Manovër ushtarake detare amerikano-koreanojugore

Në të njëtën ditë me koncertin Koreja e Jugut dhe SHBA filluan manovrën vjetore ushtarake "Foal Eagle". Sipas Ministrisë së Mbrojtjes në Seul në të marrin pjesë rreth 11,500 ushtarë amerikanë dhe 290,000 ushtarë të Koresë së Jugut. Manovra duhej të fillonte në shkurt, por SHBA-ja dhe Koreja e Jugut ranë dakord të heqin dorë nga stërvitja e përbashkëta ushtarake gjatë Lojërave Olimpike Dimërore në Korenë e Jugut.

Südkorea und die USA bei einer eine Marineübung
Koreja e Jugut dhe SHBA filluan manovrën vjetore ushtarake "Foal Eagle"Fotografi: picture-alliancedpa/AP Photo

Manovra këtë herë do të zgjasë një muaj - përndryshe vitet e kaluara ajo zgjaste dy muaj. Udhëheqja e Koresë së Veriut zakonisht i kritikon ashpër manovrat e përbashkëta ushtarake të Koresë së Jugut me Shtetet e Bashkuara dhe i sheh ato si provokim të qëllimshëm. Por javët e fundit Pheniani as e përmendi apo komentoi fare këtë temë.

Pas një periudhe të tensionesh të forta lidhur me testet e raketave dhe të bombave të Koresë së Veriut dhe qëndrimi armiqësor për dekada të tëra mes të dy vendeve ka nisur një periudhë shtensionimi në marrëdhëniet diplomatike. Koreja e Veriut mori madje pjesë në Olimpiadën Dimërore në Korenë e Jugut.

Po ashtu Presidenti i Koresë së Jugut Moon Jae In dhe Kim Jong Un duan të takohen më 27 prill në Panmunjom në samitin e parë të Koreve që prej njëmbëdhjetë vjetësh. Aty ata pritet të diskutojnë për programin bërthamor të Koresë së Veriut. Për në muajin maj është planifikuar një takim i nivelit të lartë midis Kimit dhe presidentit amerikan Donald Trump. Koha e saktë dhe vendi i takimit ende nuk dihen.