1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

KFOR-i kërkon ndihmën e popullsisë civile për kapjen e shkaktarëve të trazirave

20 Shtator 2010

Komandanti i ri i KFOR-it, gjenerali gjerman Erhard Buhler, kërkon nga banorët në veri të Kosovës që të ndihmojnë organet e rendit në identifikimin e shkaktarëve të trazirave që po ndodhin vazhdimisht atje

https://p.dw.com/p/PHee
Komandanti i KFOR-it, gjenerali gjerman Erhard Buhler në konferencë shtypi
Komandanti i KFOR-it, gjenerali gjerman Erhard Buhler në konferencë shtypiFotografi: DW

Komandanti i ri i KFOR-it, gjenerali gjerman Erhard Buhler, tha sot në Prishtinë se situata e sigurisë në përgjithësi në Kosovë është stabile mirëpo, vështirësi ka në veri. Gjenerali Buhler, tha se në veri të Kosovës nevojitet dialog ndërmjet aktorëve politik për të zgjidhur çështjet që rrezikojnë situatën e sigurisë dhe për të shmangur incidentet e vazhdueshme që po ndodhin në këtë pjesë të Kosovës.

“Na nevojitet ndihmë. Nevojitet ndihma e politikanëve dhe po ashtu nevojitet edhe ndihma e banorëve, sepse përshtypjet e mia nga vizitat që kam pasur në veri janë se shumica e njerëzve duan të jetojnë një jetë normale. Janë disa shkaktarë të trazirave të cilët duhen arrestuar dhe dënuar dhe për këtë nevojitet ndihma e banorëve që t'i identifikojmë ata, t'i ndjekim dhe t'i dënojmë”, tha gjenerali Erhard Buhler.

Gjenerali gjerman Erhard Buhler merr komandën e KFOR-it.
Gjenerali gjerman Erhard Buhler merr komandën e KFOR-it.Fotografi: DW

Policia e misionit EULEX, ka kohë që ka deklaruar se janë duke u zhvilluar hetime të cilat do të çojnë në arrestimin e shkaktarëve të trazirave në veri të Mitrovicës. Në këtë linjë, komandanti i KFOR-it është i gatshëm që të ndihmojë policinë nëse një gjë e tillë kërkohet nga ai. Sipas autoriteteve kosovare të rendit shkaktarët e trazirave në veri të Mitrovicës dhe persona të tjerë janë të përfshirë edhe në kontrabandë dhe krim të organizuar. Kontrabanda në të shumtën e rasteve bëhet në bashkëpunim serb dhe shqiptar.

Kohët e fundit EULEX njoftoi se në kontrabandë me derivate nafte janë përfshirë edhe ushtarë të KFOR-it. Hetime po zhvillohen për periudhën nga viti 2006 deri në vitin 2009 dhe cak i hetimeve janë ushtarët ukrainas, të cilët kanë shërbyer në Kosovë në kuadër të KFOR-it. Komandanti i KFOR-it gjenerali gjerman Erhard Buhler, i mbështet këto hetime. “Nuk është një situatë shumë e mirë për mua si komandat i KFOR-it, mirëpo mund t'iu them se jam shumë i interesuar që të ndiqen këta njerëz që janë të përfshirë në akte kriminale. Pra këta njerëz duhet ndjekur dhe duhet dënuar”, thotë komandanti i KFOR-it, Erhard Buhler.

Ushtarë të KFOR-it
Ushtarë të KFOR-itFotografi: DW

Komandanti i ri i KFOR-it, gjenerali Erhard Buhler, në konferencën për media, të parën që nga marrja e detyrës, thotë se ndër objektivat e tij është edhe ndihma për Forcën e Sigurisë së Kosovës që të përmbushë kapacitetet e saj operacionale. Objektiv i dytë është përmirësimi i situatës së sigurisë në mënyrë që KFOR-i të vazhdojë me reduktimin e trupave ashtu siç ndodhi në fillim të këtij viti. “Mendoj se ishte e drejtë. 10 mijë trupa janë të mjaftueshme për formatin që ka Kosova dhe për misionin e NATO-s. Ne duhet të mendojmë që të vazhdojmë me reduktimin sepse KFOR-i nuk do të qëndrojë përgjithmonë në Kosovë. Mirëpo, në këtë fazë dhe në të ardhmen ne duhet të adaptojnë forcën e NATO-s në Kosovë në varësi të situtatës së sigurisë," thotë komandanti i KFOR-it, gjenerali Erhard Buhler.

Faza e parë e reduktimt të të KFOR-it përfshiu zvogëlimin e trupave nga 15 mijë në dhjetë mijë, ndërsa faza tjetër do të përfshijë reduktimin deri në 2500 trupa. Për fazën e dytë akoma nuk është marrë vendimi, sepse sipas komandantit të KFOR-it, duhet të ketë një dakordim politik ndërmjet vendeve anëtare të NATO-s.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Aida Cama