Kaukazi vatër zjarri | Evropa | DW | 14.10.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Kaukazi vatër zjarri

Mbi sulmin në Nalçik

default

Rebelë islamistë ranë dje mbi ndërtesat qeveritare të qytetit Nalçik në republikën ruse të Kabardino-Balkarisë në veri të Kaukazit dhe zhvilluan luftime me forcat e sigurimit. Sipas të dhënave zyrtare u vranë 61 vetë e u plagosën mbi 80. Një vit më parë në Beslanin 100 km më larg rebelët çeçenë bënë kërdinë në një shkollë. Ngjashëm si në Beslan pushteti shtetëror godet edhe në Nalçik me gjithë fuqinë, por problemi i Çeçenisë që fshihet pas këtij terrori nuk mund të zgjidhet kështu.

Përsëri një sulm rrënues i rebelëve me të vrarë dhe të plagosur.- Përsëri pengmarrje. Përsëri popullsi civile e shokuar, fëmijë, nëna e baballarë që qajnë. Përsëri ushtri që fillimisht nuk di si të reagojë e më pas reagon brutalisht. Zgjohen kujtimet e Beslanit. Përsëri një president shteti që me pamje serioze e me gjuhë luftarake i drejtohet kamerave televizive. Fjalë pa efekt. Ngjarjet në Nalçik në veri të Kaukazit sado indinjuese qofshin pasqyrojnë edhe një rutinë të tmerrshme.

Së pari duhet thënë një gjë: Pikëllimi dhe keqardhja janë për viktimat e sulmit brutal; zbukurime faktesh dhe mirëkuptim për terroristët që ushtrojnë dhunë nuk duhet të ketë, dhënie çfarëdo ngjyrimi politik krimit të tyre kurrsesi. Asnjë shtet i botës nuk mund ta pranojë një sfidë të tillë duke qëndruar duarkryq.

E kush e njeh republikën Kabardino-Balkari në jug të Rusisë? Askush, përveç ndoshta disa ekspertëve, nuk e kishte të qartë që ky territor me emër të çuditshëm shtrihet fare pranë Çeçenisë. E shtangur bota kupton në këtë ditë se vatra e krizës Çeçeni rrezaton prej kohësh në gjithë rajonin, se Kaukazi verior rrezikon të zhytet në kaos e në gjak. Kush është ende në gjendje ta kufizojë dhunën?

Ndërkaq Kremlini me në krye Vladimir Putinin nuk ndryshojnë qëndrim: Edhe kjo vepër, thotë, si sulme dhe akte të tjera të panumërta mban vulën e Al Kaida-ës. Kjo është një legjendë e ruajtur me kujdes, por e hedhur poshtë me kohë.

Autorët e dhunës janë kaukazianë dhe nuk u përkasin aspak rrjeteve të ndërthurura ndërkombëtare. E shumta këto të fundit ofrojnë bazën ideologjike. Mund të ketë mes tyre ndonjë mercenar islamik të shkolluar në Afganistan apo Pakistan, por arsyet e krimeve janë para së gjithash të brendshme. Janë problemet të cilat Rusia dhe udhëheqja e saj nuk i kanë zgjidhur dot deri tani, gjendja e keqe, e dukshme në vend. Korrupsioni, nepotizmi, klanet kriminale, milicia e armatosur gjer në dhëmbë dhe e gatshme për gjithçka, varfëria e thellë, mungesa e perspektivës dhe shtypja janë ingredientët e konfliktit; por Rusia reagon ndaj tij gjithnjë sipas së njëjtës skemë: me masa ushtarake. Dhuna luftohet me dhunë. Deri sot politika nuk e ka kapur të keqen nga rrënjët, nuk i ka hetuar arsyet për t'i luftuar politikisht.

Pas pengmarrjes së Beslanit para më shumë se një viti ka pasur përpjekje të para, por të druajtura në këtë drejtim: ato kanë marrë fund. Një ndër arsyet për këtë është mungesa e dukshme e guximit dhe e fantazisë politike. Lejohet supozimi se Kremlini nuk ka vërtet interes ta zgjidhë konfliktin e Çeçenisë, por e shfrytëzon atë për qëllime të politikës së brendshme. Duket se tani është tepër vonë për zgjidhje. Kaukazi verior është kthyer në vatër zjarri.

  • Data 14.10.2005
  • Autor Cornelia Rabitz
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArD3
  • Data 14.10.2005
  • Autor Cornelia Rabitz
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArD3