1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Katastrofa në Azinë Juglindore hedh hije mbi zgjedhjet parlamentare në ishujt Malediven, në Oqeanin Indian. Mashtrimi në zgjedhje, i programuar!

Kristof Hajncle22 Janar 2005

Presidenti i ishujve të Malediven Gayom, i cili qëndron në këtë post prej 26 vjetësh, me apelin për rindërtimin dhe një fillim të ri në vend pas katastrofës së Tsunamit, synon të fitojë sa më shumë vota në zgjedhjet parlamentare që zhvillohen sot. Për opozitën dhe vëzhguesit ndërkombëtarë, kjo është një provë tjetër, se sa autoritar dhe jodemokratik është pushteti i presidentit Gayom në ishujt Malediven

https://p.dw.com/p/ArQv
Presidenti aktual i Malediven, Gayom
Presidenti aktual i Malediven, GayomFotografi: AP

Ishujt Malediven në oqeanin Indian vetëm në pamje të parë duket se kanë pasur fat. Dallgët gjigande shkaktuan aty vetëm 82 viktima, dhe kjo shifër nuk është aq e lartë në krahasim me vendet e tjera. Por dëmet materiale janë mjaft konsiderueshme. 5% e popullsisë kanë humbur strehët, 25% e kapacitetit të turizmit është e shkatërruar, ndërkohë që pjesa tjetër po përpiqet sa më shumë të rifitojë turistët. Malediven janë hedhur 20 vjet mbrapa në zhvillimin e tyre. Por për shkak se në vendet e tjera shkatërrimi ka përmasa të jashtëzakonshme,për Malediven është mjaft e vështirë të sigurojë ndihmën ndërkombëtare, thekson ambasadori i Malediven në Londër, Hasan Sobir: "Ne shpresojmë që bashkësia ndërkombëtare t'i mbajë premtimet. Malediven rradhiten të pestët në listën e vendeve të Bankës botërore që nuk keqpërdorin ndihmat e dhëna. Ne kemi krijuar madje një institucion kontrolli që bën të mundur transparencën në këtë drejtim."

Opozita akuzon se të varfrit po marrin shumë pak ndihmë, ndërkohë që qeveria në Male kundërpërgjigjet se opozita po përdor katastrofën e përmbytjes për të fituar pikë në zgjedhje. Politikani i njohur opozitar, Mohamed Latef, i cili jeton në ekzil në Sri Lankë akuzon presidentin aktual, Gayom për keqpërdorimin e pushtetit. Në këto 26 vjet të pushtetit të tij, Abdul Gayom është kthyer në një diktator dhe dhespot që nuk lejon ndryshimin: "Zgjedhjet bëhen para së gjithash për të qetësuar bashkësinë ndërkmbëtare. Por këto nuk janë zgjedhje të ndershme dhe të lira nga një arsye e thjeshtë, sepse opozita demokratike gjendet ose në burg ose e arrestuar. Së paku dhjetë prej tyre nuk kanë guxuar nga frika e represioneve të vënë kandidaturën"-thekson ai.

Qeveria në Male nuk do t'ja dijë për këto akuza, madje ajo kohët e fundit kreu një gjest pajtimi, mbylljen e disa proceseve me akuzën e tradhtisë së lartë. Kush ndodhet në burg, ka hyrë aty me të drejtë, thotë zëdhënësi i qeverisë, Ahmed Shahed: "Në Malediven kush synon një post nuk duhet të dalë mbi ligjin. Të arrestuarit janë vënë në pranga për shkak të shkeljeve të rënda të rendit publik. Por secili mund të kandidojë, qoftë ky në burg ose jashtë tij."

Pas shtypjes me dhunë të një demonstrate të fuqishme të opozitës, në gusht qeveria burgosi shumë nga opozitarët. Mohamed Latef, udhëheqës i opozitës vëren se me këtë akt u mbyt në embrion rezistenca kundër presidentit Gayom.
"Njerëzit u rrahën brutalisht, ata që u arrestuan u torturuan kaq shumë, saqë prej asaj kohe sundon frika në vend. Por gjithnjë e më shumë po humbet shpresa. Më duket se dikur njerëzit do të ngrihen dhe kushedi ç'do të ndodhë nga dëshpërimi."

Opozita shprehet se vjedhjet e votave janë të programuara. Amnesty International i ka kritikuar ashpër Maledivën, ndërsa për organizatën "Reporterë pa kufij" zgjedhjet nuk kanë për të qenë të lira, kjo për shkak të presionit të qeverisë.