1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Katalonja e pavarur? Avantazhe dhe disavantazhe për rajonin

29 Shtator 2017

Katalonja është një rajon i pasur krahasuar me të tjerët në Spanjë. Nëse Katalonja do të jetë e pavarur, ajo mund të krijojë probleme ekonomike jo vetëm për Spanjën, por edhe për vet rajonin.

https://p.dw.com/p/2kyJS
Karte Katalonien ENG

Një e pesta e rendimentit ekonomik të të gjithë vendit realizohet në Katalonjë. Shumë koncerne ndërkombëtare janë vendosur përreth Barcelonës. Ka shumë sipërmarrës katalonjas që janë kundër pavarësisë, por jo të gjithë. Joan Canadell ka në pronësi pikën e furnizimit me karburant më të njohur të Katalonjës. Ajo ndodhet në L'Ametlla del Vallès, një orë me makinë larg Barcelonës. Ajo dallohet qysh nga larg prej Esteladas së madh, flamuri katalonjas i pavarësisë, që është stampuar krahas logos së firmës dhe prej pllakatës gjigande me "Si", që është vendsour mbi çati. Kjo është "Si-ja" për fushatën e referendumit, "Po" në fletën e votimit më 1 tetor. Sipërmarrësi Joan Canadell lufton për pavarësinë e Katalonnjës. Ai sheh vetëm avantazhe ekonomike në të: "Një Katalonjë e pavarur ekonomikisht do të ishte po aq e fortë sa Austria, Danimarka apo Norvegjia. Këto janë vende të vogla me të ardhura relativish të larta për frymë. Produkti ynë bruto në vend është gjithashtu i lartë. Unë jam i sigurtë, se me një qeveri katalonjase, që mbështet industrinë tonë lokale, e po ashtu edhe turizmin katalonjas e tregtinë me jashtë, do të jetojmë shumë më mirë, se sa tani me një qeveri në Madrid, e cila kryesisht mbështet ekonominë atje dhe do të krijojë një "Madrid të madh".

Joan është një ndër të paktët sipërmarrës, që angazhohen hapur për shkëputjen e Katalonjës nga Spanja. Shumë sipërmarrës të tjerë druajnë, se pavarësia mund të sjellë diavantazhe për ekonominë, kryesisht për koncernet ndërkombëtare, që e kanë selinë në Katalonjë dhe për firmat lokale, që bëjnë biznes jashtë vendit. Josep Bou ka një punishte buke në Barcelonë dhe është shef i shoqatës katalonjase të sipërmarrësve. Ai përfytyron këtë skenar:  "Nëse më 2 tetor, ditën pas referendumit, Katalonja shpallet e pavarur, ky rajon do të përjetojë një kolaps ekonomik. Nëse Katalonja shkëputet nga Spanja, ajo do të shkëputet edhe nga Europa e kësisoj do të humbasë një sërë avantazhesh dhe detyrimesh, për një tregti pa ndërlikime me pjesën tjetër të Europës. Kjo vlen edhe për qarkullimin e parasë dhe të personave. Ndaj pavarësia për ne do të ishte një tmerr."

Do të rivendoseshin barrierat doganore, e kësisoj eksportet dhe importet do të shtrenjtoheshin, e kjo do t'i ulte aftësinë e konkurrencës sipërmarrësve katalonjas në krahasim me partnerët e tyre jashtë vendit. Josep Bou sheh edhe të tjera probleme: "Firmat, që kanë vendosur marrëdhënie tregtie me partnerët në Europë - p.sh. për mirëmbajtjen e makinerive dhe aparaturave - do të hasin në këtë problem: Nëse ndryshojnë kushtet juridike dhe politike në Katalonjë, automatikisht kontratat do të anullohen."

Qeveria spanjolle mendon, se ekonomia në Katalonjë mund të bjerë me 25 deri në 30 përqind dhe se papunësia do të dyfishohet. Për t'u bërë sërish pjesë e BE-së, Katalonja duhet të nis nga fillimi procesin e antarësimit - ndoshta një rrugë e vështirë e plot pengesa kjo. Sepse Katalonja mund të bëhet anëtare e BE-së, nëse këtë e miratojnë të gjitha shtetet anëtare. E në radhë të parë do të jetë Spanja ajo që do të vendosë veton kundër.

Por përkrahësit e pavarësisë, si pronari i pikës së karburantit Joan, janë të bindur, se pas një ndarjeje BE-ja mund ta pranojë pa probleme Katalonjën për shkak të forcës ekonomike të saj. E që kjo mundësi të jetë e madhe Joan ndërmerr gjithçka që është brenda forcave të tij për t'ia arritur qëllimit: "Ne taksat tona i transferojmë në Barcelonë dhe jo në Madrid. Kjo nuk është ilegale. Nuk është rruga klasike, por nuk është një rrugë e ndaluar. Përveç kësaj ne një pjesë të të ardhurave tona i shpenzojmë në projekte, që çojnë përpara pavarësinë."

Tre vitet e fundit kanë qenë gjithsesi rreth 70.000 Euro. Joan p.sh. ka dhënë donacion para për një film dokumentar për pavarësinë, po ashtu ai ka mbështetur një kryetar bashkie katalonjas, i cili duhej të paguante një gjobë, sepse në bashkinë e tij nuk ishte vendosur flamuri spanjoll, por Estelada. Një problem, që do t'i përkasë së shkuarës, në rast se Katalonja vërtetë do të bëhet një republikë e pavarur.