1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sarrazin Bundesbank

4 Shtator 2010

Politikani gjerman Thilo Sarrazin i kritikuar për shkak të deklaratave të tij qortuese për fenë islame dhe pjesërisht fyese për imigrantët në Gjermani duket se do të humbasë postin në Bankën Federale gjermane.

https://p.dw.com/p/P4BO

Në fakt karriera e Thilo Sarrazinit si menaxher i lartë në Bankën Federale ka marrë fund. Shkarkimi ende nuk është bërë zyrtarisht nga kreu i shtetit, presidenti federal Christian Wulff. Por miratimi i tij konsiderohet i sigurtë, pasi që përpara marrjes së vendimit ai është shprehur me nota kritike ndaj tezave të kontestuara të Sarrazinit për inteligjencën dhe numrin e madh të fëmijëve të imigrantëve myslimanë. Pra Wulff ka kontribuar në rrëzimin e Sarrazinit nga posti, ku ndodhet prej majit 2009.

Radha e gjatë e kundërshtarëve të Sarrazinit ndihet e lehtësuar. Por çfarë vlere ka ky triumf i pretenduar ndaj një provokatori të njohur? Më të vogël se sa mendojnë pjesa më e madhe. Kjo pasi së pari, shumë prej atyre çka thotë Sarrazin për mjediset larg arsimit në familjet e imigrantëve nga Turqia dhe vendet arabe janë të vërteta. Këtë nuk e kundërshtojnë as kritikët e tij. Së dyti, nuk mund të pritet që Sarrazin në të ardhmen t'i japë fund dekaratave të tij. Për këtë do të kujdesen talk-shows dhe përfitues të tjerë në medie, të cilët i ofrojnë një personazhi si Sarrazini një podium, kur nuk mban më post publik.

Mbi ish senatorin për financat të Berlinit Thilo Sarrazin drejtohet akuza se ka rënduar në mënyrë të panevojshme debatin për integrimin me pretendime të pambështetura në prova dhe ekzagjerime të patolerueshme. Trajtimi i një teme me shumë dimensione dhe tejet emocionale, si ajo e integrimit të imigrantëve, me mënyrën e një tregtari që bërtet në treg, ishte i destinuar të dështonte. Të paktën nga këndvështrimi i atyre, që ndryshe nga Sarrazini janë të interesuar për një debat të qetë. Kush publikon pjesë të librit ende të pabotuar në gazeta bulevardeske, interesohet më shumë për të tërhequr sa më shumë vëmendjen dhe për kënaqjen e egos së vet se sa për zgjidhjen e problemit të integrimit.

Kush pretendon tani se Sarrazini ka trajtuar një temë tabu, gabohet dhe bëhet pjesë e krijimit të legjendave. Prej vitesh flitet dhe shkruhet me angazhim për mangësitë në integrimin e imigrantëve, për shkollat me numër të lartë fëmijësh të huaj dhe fëmijë, që flasin keq gjermanisht. Për pjesë qytetesh, nga të cilat shmangen nga policia, pasi ndihet e kërcënuar nga banorët kryesisht me sfond emigracioni. Për të rinj të dhunshëm dhe shpërndarës droge. Për asgjë nuk heshtet.

Ajo, që mungon, është luftimi konsekuent i të gjitha këtyre fenomeneve. Politika përballet prej vitesh me këtë akuzë. Shumë rrallë fjalët e bukura pasohen nga veprimet e nevojshme dhe afatgjata. Por nuk mjafton të shtohen aty këtu punonjësit socialë, kur diku ka probleme. Për një integrim të suksesshëm të gjithë kanë nevojë për durim dhe vullnet të mirë. Kjo vlen natyrisht edhe për imigrantët dhe fëmijët e tyre.

Një shije e hidhur mbetet në çështjen Sarrazin edhe për një tjetër arsye. Anëtari i bordit drejtues të Bankës Federale duket se po e humbet postin edhe për shkak të trysnisë politike. Në fillim të skandalit banka, e cila mbron me fanatizëm pavarësinë e saj, pati deklaruar se libri i Sarrazinit është në një farë mënyre një çështje private. Ndryshimi i mendimit në katet e shefave ndodhi vetëm, pasi Sarrazin u kritikua nga elita politike e vendit deri tek kancelarja Angela Merkel dhe presidenti Christian Wulff.

Por banka mund t'ia kishte lehtësuar punën vetes, duke e shkarkuar Sarrazinin bazuar në kodin e sjelljes. Në të thuhet se anëtarët e bordit drejtues duhet të sillen në çdo rast në mënyrë të tillë, që "mbrojnë dhe forcojnë reputacionin e Bankës Federale dhe besimin e publikut tek ajo". Dhe Thilo Sarrazin me natyrën e tij provokuese qysh përpara emërimit në bordin drejtues të Bankës Federale nuk e përmbushte në asnjë mënyrë këtë funksion.

Autor: Marcel Fürstenau

Redaktoi: Eliana Xhani / Angelina Verbica