1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Karlsruhe: deputetët duhet të informohen për vendimet në BE

Bettina Marx / Eliana Xhani20 Qershor 2012

Ekologjistët gjermanë kanë arritur një fitore të qartë në Gjykatën Kushtetuese. Me vendimin e tyre gjykatësit në Karlsruhe forcojnë të drejtat e parlamentit për vendimet që merren në nivelin e BE-në.

https://p.dw.com/p/15HvA
Presidenti i Gjykatës Kushtetuese gjermane Andreas Vosskuhle (i treti djathtas) bashkë me kolegët shpall vendimin për informimin e deputetëve mbi vendimet në BE.
Fotografi: Reuters

Në radhët e opozitës në Berlin mbizotëron kënaqësia për vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Përfaqësues të Partisë Socialdemokrate (SPD) dhe ekologjistëve (Bündnis 91/Die Grünen) e shohin atë si forcim të të drejtave të tyre parlamentare.

Senati i dytë i dha të drejtë ekologjistëve, të cilët kishin ngritur padi kundër qeverisë gjermane. Deputetët konsideronin të cënuara të drejtat e tyre parlamentare, pasi qeveria nuk i kishte informuar gjerësisht dhe në kohë për planët rreth mekanizmit evropian të stabilitetit (ESM) dhe për paktin "Euro Plus". Kështu deputetët ishin privuar nga mundësia për të ndikuar në vendimin e qeverisë, kritikuan të gjelbrit.

Informim i gjerë dhe në kohë

Deputetë në seancë plenare në Bundestag
Parlamenti duhet informuar sa më parë të jetë e mundurFotografi: AP

Gjykatësit në Karlsruhe i dhanë të drejtë këtij këndvështrimi. Negociatat mes qeverive për ESM-në ishin bërë që në shkurt 2011, thuhet në argumentimin e vendimit. Në fund të marsit ekzistonte një marrëveshje fikse, por deputetët ishin informuar vetëm në muajin maj. Lidhur me vendimet mbi paktin për aftësinë konkurruese, të ashtuquajturin "Pakti Euro Plus", ata ishin informuar vetëm ditën në të cilën ai ishte miratuar nga kryetarët e shteteve dhe qeverive të Eurozonës. 

Gjykatësit e kritikuan këtë mënyrë të vepruari. Ligji themeltar e vë qeverinë para detyrimit që të informojë sa më shpejt të jetë e mundur parlamentin, në mënyrë që ai të mos përfundojë në rolin e dikujt që duhet vetëm të kuptojë, konstatoi Presidenti i Gjykatës Kushtetuese, Andreas Voßkuhle. Ai e hodhi poshtë argumentin e qeverisë gjermane, se në vendimet në plan ndërkombëtar informimi i shpejtë i Bundestag-ut mund të kthehet në pengesë. "Demokracia ka çmimin e saj. Por të tregohesh i kursyer me të mund të kushtojë shumë shtrenjtë", shprehet Voßkuhle në një deklaratë me shkrim.

Kënaqësi në radhët e opozitës

"Një ditë e mirë për demokracinë!" - deputeti i gjelbër Volker Beck përshëndet vendimin e Gjykatës Kushtetuese
"Një ditë e mirë për demokracinë!" - deputeti i gjelbër Volker Beck përshëndet vendimin e Gjykatës KushtetueseFotografi: dapd

Drejtuesi i punës së grupit parlamentar të ekologjistëve, Volker Beck, reagoi me gëzim pas shpalljes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Parlamenti nuk është një "lutës" por gëzon një të drejtë ligjore, tha ai. Kjo është një ditë e mirë për demokracinë në Gjermani, tha Beck. Në mënyrë të ngjashme u shpreh edhe drejtuesi i punës së grupit parlamentar të socialdemokratëve (SPD), Thomas Oppermann. Ai foli për një "disfatë të rëndë për qeverinë gjermane" dhe kërkoi që vendimi të përfshihet dhe zbatohet në procedurën legjislative në vijim e sipër, për ESM-në dhe paktin fiskal.

Qeveria gjermane u shpreh e habitur nga vendimi. Sekretari i shtetit për financat Werner Gatzer, tha në Karlsruhe se nuk kishte pritur një vendim me një qartësi të tillë. Ai kritikoi që negociatat ndërkombëtare dhe mbajtja e fshehtësisë tani do të vështirësohen. Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle, premtoi se qeveria "natyrisht do ta vërë në jetë vendimin në mënyrën më të mirë të mundshme".

Sipas vlerësimeve nga qarqe të koalicionit qeverisës ratifikimi i planifikuar i ESM-së dhe paktit fiskal në fund të qershorit nuk do të preken nga vendimi i gjykatësve në Karlsruhe.

Gjykata Kushtetuese forcon parlamentin

Presidenti i Bundestag-ut Norbert Lammert, e përshëndeti vendimin. Në këtë mënyrë "është përforcuar pozicioni qendror i parlamentit si vendi i diskutimeve publike politike dhe vendimeve me forcë ligjore", deklaroi ai. Kështu e drejta e Bundestag-ut për të thënë fjalën e tij vlen edhe për marrëveshje të së drejtës ndërkombëtare.