Kardinalët e kishës katolike janë mbledhur në Vatikan në asamblenë e dytë të përgjithshme pas vdekjes së Papës | Bota | DW | 05.04.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Kardinalët e kishës katolike janë mbledhur në Vatikan në asamblenë e dytë të përgjithshme pas vdekjes së Papës

Sipas njoftimeve nga Roma, kardinalët duan të vendosin, se kur duhet të nisë konklavja për zgjedhjen e Papës së ri. Ndërkaq njerëzit nga e mbarë bota kanë nisur pelgrinazhin drejt Romës për të bërë homazhet dhe për t´i dhënë nderimet e fundit Papa Gjon Palit të II-të, trupi i të cilit është vendosur në katedralen e Shën Pjetrit.

Besimtarët presin në radhë për homazhe në katedralen e Shën Pjetrit

Besimtarët presin në radhë për homazhe në katedralen e Shën Pjetrit

Janë kaq të shumtë njerëzit që kanë mbërritur në Romë sa që atyre u duhet të presin në radhë të gjata me kilometra deri sa të hynë në katedrale, e cila do të qëndrojë e hapur 24 orë deri të premten në mëngjes, kur edhe zhvillohet ceremonia e përmortshme e varrimit të Papës.

Mund të kenë qenë 300.000 deri në 400.000 njerëz, sipas të dhënave të policisë së Romës, që të hënën në mbrëmje qëndronin në radhë për t´i bërë nderimet e fundit Papa Gjon Palit të II-të. Sheshi përpara katedrales së Shën Pjetrit është i bllokuar dhe vetëm një korridor rreth 5m i gjerë është lënë i hapur, nëpërmjet të cilit kalojnë njerëzit për të bërë homazhet. Duke pritur në radhë njerëzit krijojnë një masë të madhe që mbluon të gjitha rrugët përreth deri në afërsi të brigjeve të lumit Tiber. Disa prej tyre kanë qëndruar për orë të tëra dhe së fundi janë zhgënjyer, pasi nuk kanë arritur të hyjnë në katedrale për homazhet.

"Janë kaq shumë njerëz, jashtëzakonisht shumë". "Radha është mjaft e gjatë". "Eshtë e pamundur të kalosh, janë qindra mijëra njerëz që presin."

Qarkullimi përreth Vatikanit është bllokuar tërësisht, vë në dukje polica. Njerëzit janë të prekur dhe dëshirojnë që t´i japin me cdo kusht nderimet e fundit Papës. Ata që ia arrijnë thonë, se mundimi ia ka vlejtur.

"Eshtë dicka që të prek, dhe që nuk mund ta përshkruash me fjalë. Tek sheh kaq shumë njerëz, madje edhe fëmijë. Kemi ardhur këtu qysh në orën 9 të mëngjesit dhe vetëm në mbrëmje arritëm të hyjmë në kishë."

Eshtë ora 22, pas 11 orë pritjeje njerëzit kanë mundur të kalojnë në paradën e homazheve. E megjtihatë ata janë mjaft të disiplinuar, për hir të respektit ndaj Papës së vdekur: "Mendova, që ati i shenjtë ka përshkuar shumë kilometra, ndaj dhe ne duhet të presim ne qetësi."

Edhe sot gjatë ditës është e njëjta situatë, shumë besimtarë pritet të mbërrijnë në Romë. 43 trena të posacëm ka vënë në dispozicion shoqëria hekurudhore italaine. Gjatë ditëve të ardhëshme pritet që cdo ditë në sheshet e mëdha të parkimit në Romë të zbarkojnë rreth 4.000 autobusë me pasagjerë që vijnë nga vende të ndryshme. Janë përgatitur edhe kampe e kapanone masive për strehimin e pelegrinëve nga e gjithë bota. Në bregdet është ngritur një kamp i madh për mëse 200.000 të rinj. Të gjitha këto organizohen nën masa të forta sigurie, pasi ditën e premte në ceremoninë e përmortshme do të jenë të pranishëm mbi 200 kryetarë shtetesh dhe qeverishë nga e gjithë bota; ndër ta Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anan, presidenti i Gjermanisë Horst Këler dhe kancelari Gerhard Shrëder, presidenti francez Zhak Shirak dhe princi Carls, për të përmendur këtu vetëm disa prej tyre.

Nga qarqet e NATO-s mësohet, se hapësira mbi Romë do të mbikqyret me avionët radar të tipit AWACS. Prania e policisë në qytet është e jashtëzakonshme. Problemi kryesor është masa e njerëzve. Shefi i mbrojtjes civile Guido Bertolaso, komisari i posacëm i qeverisë italiane lidhur me ceremoninë e përmortshme të varrimit thotë: "Na duhet të jemi mjaft fleksibël, sepse nuk e dimë, se sa besimtarë do të vijnë vërtetë. Por ne italianët jemi jashtëzakonisht të mirë kur është fjala për fleksibilitet", thotë Guido Bertolaso.

  • Data 05.04.2005
  • Autor Stefan Troendle
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArPu
  • Data 05.04.2005
  • Autor Stefan Troendle
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArPu
Reklamë