1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kapiteni i lumtur

27 Prill 2010

Paraja nuk e bën atë të lumtur. Puna po. Friedrih Stuntz, të cilin e quajnë të gjithë vetëm "Fritz", e dashuron punën, që bën.

https://p.dw.com/p/N0Ft
Kapiteni i anijes Friedrih Stuntz.
Kapiteni i anijes Friedrih Stuntz

Që prej 54 vjetësh 68 vjeçari ndodhet në bordin e anijes së tij të lundrimeve brenda vendit. Kjo në një kohë kur ai mund të kishte dalë prej kohësh në pension.

Në bordin e anijes së tij, asnjë ditë nuk i ngjan tjetrës. Nëse e përjeton lindjen e diellit në baterinë e timonit të anijes së tij, në kabinën e tij në bord apo në shtëpi në shtrat, kjo varet krejtësisht nga kohëzgjatja e udhëtimit. Dhe natyrisht nga fakti sa njerëz të ekipazhit ndodhen në anije. Një gjë megjithatë është e njëjta për Fritz Stunzin dhe kjo që prej 30 vjetësh: vakti i mëngjesit. Duke buzëqeshur e paraqet ai ritualin e tij të mëngjesit: "Në mëngjes unë ha petëza cereali - nga e hëna deri të shtunën. Vetëm të dielën unë ha një vezë dhe simite." Këtë e shoqëron me një filxhan çaj ose me dy. Kafe pi vetëm disa orë më vonë, kur ka kohë që ndodhet i ulur në karrige në kabinën e komandimit të anijes së tij.

Në kabinën e drejtimit.
Në kabinën e drejtimit.Fotografi: DW

Moshën e pensionit 68 vjeçari ka kohë që e ka arritur. Por si kapiten anijeje private atë e gjen në lundrim ende disa ditë në javë. Këtë punë e ka në gjene. Parardhësit e tij kanë qenë lundërtarë. "Në anije ke lirinë", e argumenton ai vendimin e tij, se pse vendosi atëherë të ecë në gjurmët e të atit.

Kabina e komandimit ka pamjen e kabinës së pilotit

Rrota e vjetër metalike e timonit është ende në bord, por ajo është vetëm një kujtim i kohëve të mira të shkuara. Në kohën e sotme, kapitenit Stuntz i mjaftojnë dy gishta për ta komanduar anijen e tij. Kabina e komandimit ka pamjen e kabinës së një piloti: gjithçka është e re: radari, radioja, kompjuteri. "Kur nisa punën, këtu të gjithë i bënin të gjitha. Më parë, kur doje të bëheshe marinar i mësoje të gjitha që nga A-ja." Atëherë madje edhe shefat vetë vinin nga praktika. Sot njerëzit vijnë nga universiteti dhe i dinë të gjitha më mirë."

Gesichter Deutschlands Porträt FrSt
Fotografi: DW

Komandimi i anijes, vëzhgimi i raporteve të motit dhe nivelit të ujit, pastrimi i kuvertës dhe hambarëve të ngarkimit, mirëmbajtja e motorit - të gjitha këto janë pjesë e punës. Por mosha kërkon haraçin e saj- edhe nga Fritz Stuntz-i. "Punë fizike, këto nuk do të isha më në gjendje t'i bëja", konstaton ai dhe plotëson: "Po përsa i përket njerëzve që kemi këtu, mua kjo as më nevojitet më." Stuntzi bën be për ekipazhin e tij: katër vetë, të cilëve ai u beson verbërisht.

Luftë konkurence në ujë

Fritz Stuntz është një unikat i shkollës së vjetër: pronar i një anijeje private, i cili edhe vetë qëndron në timon. "Eshtë shumë bukur kur ke një anije, por ajo të mban të lidhur shumë kapital." Sa kapital mbetet për të - këtë ai e mëson gjithmonë në fund të vitit. Riparime, ndërprerje të punës, blerje - paratë ai duhet t'i përdorë me kursim, sepse nuk e di kurrë, se çfarë mund të ndodhë deri në fund të vitit. Anija e tij duhet të jetë nga pikëpamja teknike në nivelin më të ri. Konkurenca është e madhe. "Jo ai që ka anijen më të bukur e merr ngarkesën, as ai që ka anijen më të sigurtë, por ai që punon me çmimin më të ulët." Luftën e mbijetesës në kohët e krizës ekonomike ai e përballon me transporte zhavorri dhe mbeturinash. Stuntzi është megjithatë i kënaqur me jetën e tij. Nuk mund të kishte qëlluar më mirë, mendon ai.

Gesichter Deutschlands Porträt FrSt
Fotografi: DW

Stresi është një fjalë e huaj për Stuntz-in

Me biseda dhe me humor, koha në anije fluturon. Stresin Fritz Stuntz-i nuk e njeh. Ai ka një kundërmjet të thjeshtë: "Unë jam një njeri besimtar. Ajo që ndodh, ndodh." Kur e ka dorëzuar ngarkesën e tij në rregull, për të vjen koha të ndërrojë timonet: nga timoni i anijes në timonin e veturës. E gjitha funksionon shumë shpejt, sepse automjeti i tij udhëton gjithmonë së bashku me të. Për pak minuta veturën e zbresin me vinçin e ngarkesës. Pastaj ai niset për në shtëpi. Ajo është në Virneburg, në një fshat të vogël në Rheinland-Pfalz. Atje presin gruaja e tij dhe katër nipërit, të gjithë nga djali i vetëm i Stuntz-it, Torsten. Me profesion, biri i tij është - kush mund të çuditet? Kapiten anijeje! Kur mbërrin më në fund në shtëpi, atje e presin kafshët shtëpiake. Madje edhe ato kanë të bëjnë me ujin: peshqit e artë dhe krapët presin me durim në pellgun e tyre për "të zotin e tyre". Ai u thotë "Mirëdita" dhe u jep ushqim.

Pas pune me familjen.
Pas pune me familjenFotografi: DW

Edhe një ritual tjetër: leximi i revistës "Der Spiegel". Duket sikur fletorja do të priste me durim në tryezën e tavolinës së Fritz Stuntz-it. Ai interesohet për politikë dhe ekonomi. "Unë jam aktiv në degën e CDU-së në qytet. Përpiqem të flas shpesh me politikanë dhe të ushtroj kritikë. Unë nuk lejoj të më heqin qafe!", thekson ai. Jeta e përditshme e Fritz Stunz-it është e mbushur me punë. Një profesion që kërkon shumë kohë, familja, krahas saj angazhimi politik - shumë kohë nuk mbetet. Por për takimin me shokët, për bisedën me fqinjët, për një lojë me letra mbetet gjithmonë kohë. "Shumica e njerëzve e njohin tjetrin vetëm kur u leverdis atyre. Por të njohësh një njeri, prej të cilit nuk pret favore, kjo më pëlqen", thotë ai me bindje të plotë. Fritz Stuntz - një njeri i hapur dhe i ndershëm, të cilin e beson për atë që të thotë.

Pyetje për përgjigje: A jeni në gjendje ta kuptoni pse nuk do të largohet nga anija Fritz Stuntzi, megjithë moshën e tij 68 vjeçare?

Autor: Elisabeta Milosevska

Redaktoi: Mathias von Hein/Auron Dodi