1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kandidati i preferuar quhet Rafsanxhani

Peter Philipp15 Qershor 2005

Në prag të zgjedhjeve presidenciale në Iran

https://p.dw.com/p/ArOx
Postera elektoralë të kandidatit për president Rafsanxhani
Postera elektoralë të kandidatit për president RafsanxhaniFotografi: AP

Pak ditë përpara zgjedhjeve presidenciale në Iran duket se shanset më të mira për të pasuar në post presidentin aktual Mohamed Katami i ka ish-presidenti Ali Akbar Hashemi Rafsanxhani. Reformatori Katami pas dy mandatesh të njëpasnjëshme nuk mund të kandidojë për herë të tretë. Rreth 48 milionë iranianë me të drejtë vote do të zgjedhin mes tetë kandidatëve.

Sa më shumë afrohet dita e zgjedhjeve aq më tepër forcohet bindja se nuk do të ketë një rezultat përfundimtar qysh në raundin e parë. Meqënëse për postin e presidentit janë në garë tetë kandidatë nuk është aspak e sigurtë nëse njëri prej tyre do të fitojë shumicën e kërkuar absolute qysh në raundin e parë të zgjedhjeve. Kështu ka shumë të ngjarë që një javë më vonë të zhvillohet një raund balotazhi mes dy konkurrentëve më të suksesshëm nga raundi i parë që do të mbahet të premten më 17 qershor.

Pritet që shumica e votave të shkojnë në favor të Ali Akbar Hashemi Rafsanxhanit. Kjo është bindja që mbizotëron në Teheran pak ditë përpara zgjedhjeve. Megjithëse zoti Hashemi, siç preferon të thërritet ish presidenti në emisionet elektorale televizive, nuk është tepër popullor në opinionin iranian, duket se shumë vetë kanë vendosur t'ia japin atij votën. Kjo ndoshta pasi në rastin e tij njerëzit e dinë se me kë kanë të bëjnë: një konservator pragmatik i cili ka pushtet të mjaftueshëm për të iniciuar reformat urgjentisht të nevojshme për Iranin. Reforma para së gjithash në fushën e ekonomisë por pikërisht këtë presin iranianët që vuajnë nga mungesa e vendeve të punës dhe e perspektivës. Nga Rafsanxhani ata shpresojnë një përmirësim të gjendjes ekonomike dhe krahas saj përmirësim të marrëdhënieve ndërkombëtare. Para së gjithash shpresohet në një riafrim me ShBA të trajtuara si armiku numër një që prej revolucionit islamik në Iran.
Rafsanxhani nuk lë asnjë rast pa shfrytëzuar për ta paraqitur veten si njeriu i përshtatshëm për këto detyra. Ai pretendon se ka mjaft përvojë dhe zotëron qëndrueshmërinë e duhur dhe se është i vetmi që mund të zgjidhë çështjen delikate të energjisë bërthamore. Përveç këtyre ai e paraqet veten si njeriu i duhur për gjithçka: në posterat elektoralë ai pozon me ekipin kombëtar të futbollit, diskuton me të rinjtë mbi apatinë e tyre kundrejt zgjedhjeve, angazhohet për një pjesëmarrje më të gjerë të grave dhe diskuton hapur mbi akuzat kundër tij për korrupsion dhe pasurim të paligjshëm në detyrë. Në të njëjtën kohë ai vë në dukje se prej 50 vjetësh ka marrëdhënie shumë të mira me udhëheqësin më të lartë të vendit, Ajatollah Ali Kamenein. Rafsanxhani nuk pret ditën e zgjedhjeve për të parashtruar pikëpamjet e tij për politikën e jashtme. Këtë e ai bën p.sh. në një intervistë ekskluzive për kanalin televiziv CNN ku thotë mendimin e tij edhe për marrëdhëniet me ShBA.
Megjithatë Rafsanxhanit parashikimet për rezultatet e zgjedhjeve i japin vetëm 30% të votave. Dy kandidatët e tjerë të preferuar kanë përkatësisht nga 10% më pak vota ndërsa pjesa tjetër nuk arrin madje as 10%.
Megjithëse me diferencë të madhe, një konkurrent i ashpër për Rafsanxhanin pritet të jetë ish shefi i policisë së Teheranit, Mohamad Bakër Kalibaf cili vlerësohet si konservator por edhe njeri i veprimeve. Ai është njeriu që ka reformuar policinë dhe shpesh ulet në pultin e drejtimit të avionëve të "Iranair" për të ruajtur liçencën e tij të pilotit. Deklarata të rëndësishme politike nuk njihen prej tij dhe madje nuk dihet as kush e mbështet financiarisht në fushatën e shtrenjtë elektorale. Kalibaf konsiderohet megjithatë si kandidati i preferuar i Ajatollah Ali Kameneit dhe mendohet se gëzon mbështetjen e forcave të sigurisë. Dr. Kalibaf, siç shkruhet në postera emri i tij, nuk ka nevojë ta shprehë por tek shumë iranianë, atentatet e kryera pak ditë përpara zgjedhjeve kanë nxitur dëshirën për zgjedhjen e një njeriu të fortë. Për shumë të tjerë ai mbetet një figurë e frikshme.
E kundërta e Kalibafit duket se është Dr. Mostafa Moin, ish ministër i arsimit nën presidentin Katami: ky kandidat nuk përfaqëson ngjyra të caktuara politike dhe duket se nuk është në gjendje të mobilizojë masat. Në takimet e tij elektorale pjesëmarrësit nuk janë të shumtë dhe Moin e reformatorët përreth tij nuk duket të jenë aq revolucionarë sa dëshirojnë ta paraqesin veten.
Rezultati i zgjedhjeve të ardhshme presidenciale pritet të jetë një pjesëmarrëje e ulët e votuesve dhe nga qarqet zyrtare prej javësh kumbon thirrja për të votuar. Një pjesëmarrje e ulët jashtë vendit mund të keqkuptohej si refuzim i sistemit. Por nëse pjesëmarrja do të jetë më e lartë nga sa parashikojnë tani prognozat kjo duhet parë jo si shenjë e ndryshimit të qëndrimit të iranianëve por edhe si frikë nga raprezaljet.