Kancelarja Merkel kujton viktimat e sundimit të dhunshëm nacionalsocialist | Gjermania | DW | 08.05.2021
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Gjermania

Kancelarja Merkel kujton viktimat e sundimit të dhunshëm nacionalsocialist

Në ditën e 76 vjetorit të fundit të Luftës së II Botërore kancelarja Merkel bëri thirrje, të mos harrohen kurrë viktimat. Socialdemokratët thonë, se prej kohësh duhej të ishte krijuar një vend qendror përkujtimi.     

Berlin Brandenburger Tor, Ansicht Kriegszerstörungen

Porta e Brandenburgut, Berlin, imazh nga maj 1945

"Mbetet përgjegjësia jonë e përhershme, që të ruajmë të gjallë kujtimin për miliona njerëz, të cilët humbën jetën në vitet e sundimit të dhunshëm nacionalsocialist“, deklaroi Merkel, sikurse bëri të ditur zëdhënsi i qeverisë Steffen Seibert përmes twitterit.

Ministri i Jashtëm Heiko Maas falenderoi të gjithë ata, që „rrezikuan jetën dhe u sakrifikuan me miliona, për të çliruar botën prej fashizmit". Ai kujtoi gjithashtu, që fashizmi ekziston edhe sot. "Ideja e fashizmit për fat të keq as sot nuk është zhdukur", shkruan ai në twitter. "Ne duhet të angazhohemi çdo ditë së bashku për demokracinë dhe lirinë."

Roth: Do të duhej prej kohësh një vend qendror përkujtimor

Michael Roth, ministër shteti për Europën pranë Ministisë së Jashtme, në një artikull për portalin t-online u shpreh për një vend qendror përkujtimor në Berlin, ku të përkujtohen bashkarisht të gjitha viktimat e sundimit pushtues nacionalsocialist. "Një vend i tillë do të duhej të ishte krijuar prej kohësh", shkruan politikani socialdemokrat. "Ne na duhet më në fund një përkujtim i përbashkët ndaj të gjitha viktimave dhe vlerësimi i vuajtjes së shkaktuar në të gjitha vendet e prekura."

Sekretari i përgjithshëm i partisë kristiandemokrate Paul Ziemiak me rastin e ditës së fundit të luftës citoi ish-presidentin Richard von Weizsäcker, duke shkruajtur në msazhin e tij në twitter: "Ne nuk kemi asnjë arsye, që të marrim pjesë në këtë ditë në festat e fitores. Por ne kemi të gjitha arsyet që 8 Majin 1945 ta pranojmë si ditën e fundit të një rruge të gabuar të historisë gjermane, ditë kjo që barti filizin e shpresës për një të ardhme më të mirë."

Me sulmin ndaj Polonisë ish-Rajhu Gjerman më 1 shtator 1939 nisi Luftën e Dytë Botërore. Rreth 60 deri në 70 milionë njerëz humbën jetën. Gjashtë milionë hebrej ranë viktimë e marrëzisë raciste të nacionalsocialistëve. Ndërhyrja ushtarake e aleatëve – SHBA, Bashkimi Sovjetik, Franca dhe Britania e Madhe – çoi në kapitullimin e Gjermanisë, që ishte shpallur më 7 maj në Reims dhe një ditë më pas më 8 maj u përsërit edhe në Berlin. Me këtë iu dha fund veprimeve luftarake në Europë.

bri/haz (epd, afp)