Kancelari Shrëder kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare në Gjermani | Gjermania | DW | 22.05.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Kancelari Shrëder kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare në Gjermani

Kancelari gjerman Gerhard Shrëder ka kërkuar pas disfatës dramatike në zgjedhjet e së dielës të koalicionit qeveritar kuq e gjelbër në Landin e Nordrhein-Vestfalisë, zgjedhje të parakohshme parlamentare në Gjermani në vjeshtë 2005.

Kancelari Shrëder shpall kërkesën për zgjedhje të parakohshme parlamentare në Gjermani

Kancelari Shrëder shpall kërkesën për zgjedhje të parakohshme parlamentare në Gjermani

"Ne kemi ndërmarrë hapa të nevojshëm, për t'i bërë sistemet e sigurisë sociale të aftë të përballojnë të ardhmen dhe për të forcuar aftësinë për konkurencë të ekonomisë gjermane. Këto janë kushte të domosdoshme për më shumë rritje ekonomike dhe për më shumë punësim në Gjermani. Sukseset e para në këtë rrugë janë më se të dukshme. Por që reformat të japin ndikimin e tyre pozitiv në kushtet e jetesës të të gjithë njerëzve në vendin tonë, për këtë duhet kohë. Para së gjithash, për një politikë të tillë nevojitet mbështetja e qytetareve dhe qytetarëve për një politikë të tillë."

Më tej kancelari Shrëder vazhdoi:

"Prandaj unë si kancelar i Republikës Federale Gjermane e konsideroj si detyrimin dhe përgjegjësinë time, për të punuar në atë drejtim, që zoti president i Republikës të shfrytëzojë mundësitë që jep kushtetuta, dhe që sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë realiste në vjeshtë të këtij viti, të afrojë zgjedhje të reja për Parlamentin Gjerman."

Partia Socialdemokrate Gjermane pra, pas disfatës së rëndë në zgjedhje i vë të gjitha në një kartë dhe kalon në ofensivë, ajo kërkon të vendoset në rrafsh federal dhe të krijohen raporte të qarta në Këshillin Federal. Atje, në dhomën e landeve të rëndësishme për shumë projektligje, qeveria federale sigurisht që ka humbur vota të tjera të sigurta, në një kohë që opozitës tani i mungojnë vetëm tri vota për të arritur të ashtuquajturën "shumicë bllokuese". Kryetari i PSDGJ, Franc Myntefehring të dielën në darkë në Berlin:

"Njerëzit duhet t'i japin përgjigje gjendjes strukturore pat që ekziston në Parlament dhe Këshill Federal. Ata duhet të thonë se prej kujt duan të qeverisen në këtë vend, dhe ne jemi pro që Gerhard Shrëderi të qëndrojë në ballë- ky do të jetë vendimi"

Socialdemokratët në Dyseldorf dhe në të gjithë Landin e Nordrajn-Vestfalisë sigurisht që nuk ishin në humor feste, fytyra të ngrira në radhët e socialdemokratëve, duarktrokitje bucitëse tek kristjandemokratët. Sipas rezultateve jopërfundimtare, opozita kristjandemokrate ka marrë në zgjedhjet në landin e Nordrajn-Vestfalisë 45% të votave, duke dalë kështu qartë para socialdemokratëve, që mezi arritën të marrin dicka mbi 37%, rreth 6% më pak se në zgjedhjet e vitit 2000.

Një rezultat më shumë se zhgënjyes për kryeministrin Peer Steinbryk:

"Partia Socialdemokrate përjetoi një disfatë të hidhur në zgjedhje. Meqenëse unë jam kandidati kryesor i socialdemokratëve, më duhet ta pranoj këtë disfatë. E di shumë saktë se për këtë duhet marrë edhe përgjegjësi personale"

Edhe të Gjelbrit humbën vota. Ata morën aktualisht rreth 6% të votave, rreth një përqind më pak se pesë vjet më parë.

Koalicioni i parashikueshëm midis CDU dhe liberalëve të FDP - këta të fundit humbën shumë vota në krahasim me vitin 2000, megjithatë arritën të marrin rreth 6%- mund të qeverisë me një shumicë të rehatshme në parlamentin e landit të Nordrajn-Vestfalisë, kryeministri i ri i landit quhet Jürgen Rytgens:

"Unë e di se zgjedhësit dhe zgjedhëset sot na dhuruan besim, dhe na ngarkuan me një detyrë. Dhe këtë detyrë ne duam ta vazhdojmë në pesë vjetët e ardhshëm me një koalicion të mesit."

Nga rreth 13 milionë personat me të drejtë vote, sipas vlerësimeve të para, votat e tyre i dhanë rreth 60,5 % e tyre.

  • Data 22.05.2005
  • Autor D.Junghans/ A.Dodi/ DPA
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar3k
  • Data 22.05.2005
  • Autor D.Junghans/ A.Dodi/ DPA
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar3k