Kancelari i Gjermanisë Shrëder viziton Varshavën - Ai synon të nxisë qeverinë polake për kompromis mbi kushtetutën evropiane | Evropa | DW | 26.05.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Kancelari i Gjermanisë Shrëder viziton Varshavën - Ai synon të nxisë qeverinë polake për kompromis mbi kushtetutën evropiane

Të mërkurën kancelari i Gjermanisë Gerhard Shrëder qëndron për një vizitë të shkurtër në Varshavë. Në qendër të bisedimeve me presidentin Aleksandër Kvaznievski dhe me kryeministrin Marek Belka janë çështje të Evropës. Kryesisht do të ketë konsultime lidhur me rezervat e Polonisë ndaj rregullave të veçanta të kushtetutës së ardhshme evropiane.

Kancelari ka shkuar me një mision të vështirë në Varshavë. Ai dëshiron ta bëjë për vete qeverinë polake për arritjen e një kompromisi lidhur me kushtetutën evropiane. Kryetarët e qeverive dhe të shteteve të BE-së planifikojnë për në mes të qershorit hapjen në Bruksel të fazës përfundimtare për një kushtetutë të përbashkët - megjithatë duhet që Varshava deri atëherë të heqë dorë nga rezistenca kryesisht lidhur me parimin e shumicës së dyfishtë në procesin e marrjes së vendimeve në BE.

Ministri i jashtëm i Polonisë, Vlodzimierz Cimoshevic ka sinjalizuar gatishmëri për bisedime, duke paralajmëruar njëkohësisht për të mos pasur optimizëm të ekzagjeruar:

"Vazhdon të ketë shumë mosmarrëveshje lidhur me konstruktin e sistemit të ri. Disa shtete janë pro propozimit të konventit kushtetues dhe disa të tjerë janë kundër. Presidenca irlandeze ka konstatuar me të drejtë: se propozimi i konventit nuk mund të pranohet kështu sic është dhe duhet ndryshuar, Nga ana tjetër irlandezët po përpiqen që të arrihet një kompromis."

Në Varshavë kancelarit i duhet të tregohet diplomat në negociata edhe lidhur me cështjen e fesë në preambulën e kushtetutës evropiane. Polakët katolikë, të cilët bashkë me gjashtë shtete të tjera janë shprehur për përfshirjen e traditës kristiane, e ndjejnë veten të keqkuptuar me vetëdije prej qeverive të tjera evropiane. Kreu i diplomacisë polake lidhur me këtë thotë:

"Polonia me një grup shtetesh duan, që në preambulën e kushtetutës evropiane të përfshihet edhe tradita krishtere. Por ne nuk kërkojmë, që në të të futen vlerat kristiane. Në një Evropë me shumë fe një gjë e tillë vërtetë që mund të cojë në ndarje. Pra shumë qeveri indinjohen nga termi "vlera fetare", kundër dickaje, të cilën ne nuk e kemi propozuar."

Kancelarit do t´i duhet të proponcohet lidhur me cështjen e Irakut në bisedimet me dyer të mbylura me presidentin Kvaznievski dhe kryeministrin Belka. Polonia preferon më mirë sot se nesër të tërheqë rreth 2400 ushtarët nga zona e luftës duke i zëvendësuar ato me trupa të NATO-s, këtë e deklaroi fare qartë ministri polak i mbrojtjes Jershi Shmajdshinski:

"Eshtë e kuptueshme që rezoluta e re e Këshillit të Sigurimit do ta ndryshojë organizimin e forcave ushtarake në Irak. Ne nuk do të qëndrojmë pafundësisht në Irak. Pas 30 janarit, pra pas zgjedhjeve për asamblenë kombëtare irakiane ne duam dhe do ta kufizojmë dukshëm praninë tonë."

Se ku do të vendoset linjat e kompromisit në politikën e jahstme të të dyja vendeve gati një muaj përpara mbledhjes së Këshillit Evropian të Ministrave në Bruksel, përgjigja pritet të jepet të enjten në mëngjes. Kancelari Shrëder në fjalimin e tij në institutin polak për ekonominë e tregut do të parashtrojë direktivat e politikës së tij për Evropën.


  • Data 26.05.2004
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArHD
  • Data 26.05.2004
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArHD